• e enjte, 17 tetor 2024
MIA Flesh

15:00/16 tetor/2024

Shkup - Në seancën e sotme të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut do të merret vendim dhe formalisht procesi i selektimit të projekteve nga komunat është kryer për shfrytëzimin e parave nga huamarrja nga Hungaria, theksoi në konferencën e sotme për shtyp, kryeministri Hristian Mickoski i cili iu përgjigj pyetjes së gazetarëve, se kur komunat do të mund t'i shfrytëzojnë këto mjete për projekte infrastrukturore. Mickoski theksoi se deri në fund të muajit institucionet kompetente do t'i nënshkruajnë marrëveshjet me komunat, me çka do të fillojë implementimi, siç tha "i projektit historik i cili për herë të parë po ndodhë tek ne".

Shkup - Ministri i Çështjeve Evropiane, Orhan Murtezani, sot kishte takim me  ambasadorin jo-rezident të Republikës së Finlandës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, me seli në Beograd, Niklas Lindkvist. Në takim u bisedua për marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve, bashkëpunimit në korniza të BE-së dhe NATO-s, si dhe për bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtar. "Ministri Murtezani falënderoi për mbështetjen parimore finlandeze për politikën e zgjerimit me Bashkimin Evropian,  veçanërisht në kontekst të mbështetjes për Maqedoninë e Veriut. Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të deritanishëm, mes dy vendeve, në veçanti në kuadër të NATO-s, ku të dyja vendet janë aleate dhe në mënyrë aktive kontribuojnë në sigurinë dhe stabilitetin e hapësirës euroatlantike. Murtezani dhe Lindkvist riafirmuan gatishmërinë e ndërsjellë për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale, veçanërisht në sferën që mbështet Finlanda për reformat në administratën publike, sundimin e së drejtës dhe përforcimin e kapaciteteve institucionale të Maqedonisë së Veriut", njoftoi Ministria e Çështjeve Evropiane.

Shkup - Ministri i Çështjeve Evropiane, Orhan Murtezani, sot zhvilloi takim me David Oberhuber, drejtor i Programit Rajonal në Shoqatën gjermane për bashkëpunim ndërkombëtar (GIZ), ku u diskutua statusi aktual i disa projekteve kyçe që janë pjesë e bashkëpunimit gjerman për zhvillim. Në fokus të bisedimeve ishte projekti bilateral “Përkrahja e strukturave negociuese për integrim në BE të Maqedonisë së Veriut”, si dhe projekti rajonal “Bashkëpunimi rajonal për integrim në BE”. Siç kumtuan nga Ministria e Çështjeve Evropiane, ministri Murtezani shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme gjermane, duke theksuar se Gjermania dhe Maqedonia e Veriut kanë marrëdhënie të fuqishme strategjike bilaterale, të cilat karakterizohen me bashkëpunim të ngushtë politik, lidhje të ngushta ekonomike dhe shkëmbim kulturor dinamik.

Shkup – Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski sot ka realizuar takim të parë me ambasadorin e Finlandës me seli në Beograd, Niklas Lindkvist. Nga MPJTJ njoftuan se ministri Mucunski ka shprehur kënaqësi që mbi 30 vjet, të dyja vendet ndërtojnë marrëdhënie partneriteti dhe dialog aktiv politik, duke ndarë interes të përbashkët strategjik për paqe, stabilitet dhe prosperitet. "Në të njëjtën kohë, ai shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme dhe parimore të Finlandës për integrimin e Maqedonisë në BE dhe vizionin strategjik finlandez për të ardhmen evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor", thuhet në kumtesë.

Shkup - Ministri i Drejtësisë, Igor Fillkov në llogaridhënien për 100 ditë qeveri kumtoi se janë hedhur themelet për reforma në sistemin gjyqësor, të cilat, tha, duhet të jenë të thella, thelbësore dhe me ndikim, duke pasur parasysh se gjyqësori është fusha ku shteti ka pasur më së shumti kritika dhe për shkak të komenteve për rritjen e korrupsionit në institucionet gjyqësore. "Prandaj edhe me të drejtë janë të larta pritshmëritë e qytetarëve dhe fakti është se kemi shumë punë përpara për ligjin dhe drejtësinë. Rruga nuk është e lehtë, por ne jemi të vendosur të shkojmë, në njëqind ditët e kaluara i kemi vënë themelet", theksoi Filkov në konferencë për shtyp.

Shkup – Nuk do të jenë sipërfaqësore por gjithëpërfshirëse dhe të hapura për sugjerime dhe kritika nga të gjithë faktorët relevantë diskutimet të cilët do t’i fillojë Ministria e Drejtësisë për ligjet për Këshillin Gjyqësor dhe për Prokurorinë Publike, me qëllim që të krijohet zgjidhje e cila do të garantojë pavarësi të këtyre institucioneve, tha ministri Igor Fillkov në konferencën për media me rastin e 100 ditë Qeveri. Informoi se debatet publike do të fillojnë muajin e ardhshëm dhe qëllimi i tyre do të jetë të gjendet zgjidhja më e pranueshme, duke theksuar se Këshilli Gjyqësor dhe Prokuroria Publike “duhet të lirohen nga çdo formë e ndërhyrjes politike dhe të funksionojnë vetëm në shërbim të drejtësisë”.

Veles - Zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit, Aleksandar Nikollovski sot në Veles, duke e komentuar deklaratën e djeshme të shefes së diplomacisë gjermane, Analena Berbok, e cila tha se ndryshimet kushtetuese janë hap kyç drejt fillimit të negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE-në, theksoi se pozita e qeverisë është e qartë, e drejtpërdrejtë dhe e hapur, ndërkaq ajo është se nuk ka ndryshime kushtetuese nën diktat bullgar dhe se mënyra e vetme që kjo të zgjidhet është të jepet garancë se nuk do të ketë bllokada të mëtutjeshme të llojit të tillë.

Shkup - Gjatë mbrëmjes së kaluar, NP Higjiena Komunale - Shkup ka realizuar disa aktivitete për largimin e deponive të egra, në kuadër të të cilave janë mbledhur dhe transportuar përafërsisht 50 metra kub mbetje të hedhura në sipërfaqet publike ose të trafikut. Aktivitetet u zhvilluan në disa komuna të Shkupit, kështu që në komunën Qendër të Shkupit - në bulevardin Nënë Tereza (Vodnjanska) është larguar sasi e madhe e mbetjes së vëllimshme  dhe të kopshtit të hedhura në trotuar në afërsi të SHFK "Koço Racin". Në këtë komunë të Shkupit është intervenuar edhe rrugën Vasil Gjorgov.

Shkup - Ministri i Drejtësisë Igor Filkov në konferencën e sotme për shtyp informoi se dokumenti me rekomandimet nga Misioni vlerësues i Komisionit Evropian është marrë nga ministri i mëparshëm i drejtësisë. Ai theksoi se për këtë është në vijim një procedurë dhe se do të kërkohet përgjegjësi. "Këshilli Gjyqësor dhe Prokuroria Publike duhet të jenë të lira nga çdo lloj ndërhyrje politike, duke funksionuar vetëm në shërbim të drejtësisë. Këto organe do të reformohen për të funksionuar me integritetin maksimal, me fokus profesionalizmin dhe respektimin e rreptë të shtetit ligjor. Sfidë e madhe në realizimin e këtij aktiviteti është fakti se Ministria e Drejtësisë nuk disponon me dokumentin e lartpërmendur me rekomandimet e Misionit Vlerësues të Komisionit Evropian në lidhje me Këshillin Gjyqësor. Edhe pse dokumenti është informacion i klasifikuar, ai është marrë nga paraardhësi im, prandaj Ministria nuk disponon me të njëjtin", sqaroi Filkov.

Shkup - Çmimi i ngrohjes qendrore në Shkup do të jetë stabil deri në verën e ardhshme, nëse nuk ka ndryshim dramatik tek çmimet e gazit natyror, potencoi sot kryetari i Komisionit rregullator për energjetikë (KRRE), Marko Bislimoski dhe shtoi se nuk pret të ketë ndryshime. "Tani po hyjmë në përllogaritje me një çmim të gazit natyror rreth 40-të euro për megavat orë, nëse ai shkon jashtëzakonisht i lartë atëherë mund të flasim për rritje të çmimit të ngrohjes, por nuk besoj se do të kemi ndryshime kaq drastike, kështu që në çmimin e ngohjes nuk pres ndonjë ndryshim", deklaroi Bislimovski në pauzën e takimit të Misionit të ekspertëve TAIEX për transpozimin e legjislacionit të BE-së për energjinë elektrike i cili bashkëorganizohet nga KRRE-ja.

Kumanovë - Ekipi i avokatëve nga Kumanova ka mbledhur dokumentacionin dhe falas do ta përfaqësojë familjen e lehonës e cila gjatë lindjes ka ndërruar jetë në spitalin e rajonit të Kumanovës, bënë të ditur në konferencën e sotme për media nga zyra e avokatit Georgievski. Ata tashmë kanë dorëzuar kërkesë deri te institucionet kompetente, Ministria e Shëndetësisë, Inspektorati Shtetëror Sanitar Shëndetësor, Prokuroria Publike e Kumanovës, MPB-ja, mjeku amë.

Shkup - Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike (DPHM) paralajmëron se deri të dielën do të mbizotërojë mot i ndryshueshëm me vranësira dhe dukshëm më freskët. Nesër do të ketë kushte për paraqitje të mjegullës nëpër lugina, ndërsa të premten dhe të shtunën reshje të dobëta lokale të shiut kryesisht në pjesët perëndimore. Në fillim të javës së ardhshme do të vijojë mot stabil dhe i qetë me temperatura të ulëta gjatë mëngjesit.

Prishtinë - Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se kërkimi për drejtësi nuk duhet të ndalet për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina. Në konferencën e sotme  të organizuar nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), Osmani ka theksuar se kjo betejë kërkon këmbëngulje dhe guxim të jashtëzakonshëm. Duhet të luftojmë që historia të mos përsëritet. Padrejtësitë nuk duhet asnjëherë të kalojnë në heshtje dhe pa i bërë fajtor përgjegjësit për krimet e bëra. Andaj lufta jonë e përbashkët duhet të jetë për drejtësi. Kjo betejë kërkon këmbëngulje dhe guxim te jashtëzakonshëm, tha Osmani.

Bruksel – Dymbëdhjetë vende anëtare të BE-së i bënë thirrje Komisionit Evropian që ta mbështesë krijimin e ndërlidhjeve të energjisë, para së gjithash për përçim të energjisë elektrike, me qëllim që të kontribuohet për uljen e çmimeve të rrymës dhe të karburanteve të tjera, në kushte të paqëndrueshmërisë së tregut. “Ndërlidhjet dhe bashkëpunimi ndërkufitar janë kyçe për uljen e çmimeve të energjisë, lehtësimin e tranzicionit, funksionimin e tregut, parandalimin e bllokimeve në rrjetin energjetik dhe përshpejtimin e dekarbonizimit”, thuhet në deklaratën e përbashkët të Austrisë, Gjermanisë, Greqisë, Danimarkës, Irlandës, Italisë, Qipros, Luksemburgut, Maltës, Portugalisë, Holandës dhe Spanjës.

Bruksel – Komisioni Evropian punon në miratimin e agjendës së reformave të dorëzuara nga pesë prej gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe në përgatitjen e marrëveshjeve në bazë të të cilave së shpejti do të jetë e mundur pagesa e mjeteve të para në kuadër të Planit të Rritjes për Rajonin, informoi sot zëdhënësja e KE-së për politikë fqinjësore, zgjerim dhe partneritet ndërkombëtar, Ana Pisonero. “Pasi vendet anëtare (të BE-së) më 11 tetor dhanë mendim pozitiv për agjendën e reformave që ishin dorëzuar nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, Komisioni tani do të kalojë drejt hapit të ardhshëm – miratim formal të agjendës së reformave. Kjo dukshëm do të ndodhë së shpejti”, tha Pisonero.

Kiev - Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski sot në Radën supreme e prezantoi “planin e fitores”, i cili përbëhet nga pesë pika kyçe, transmeton Kiev Independent. Pika e parë është anëtarësimi në NATO, vijon mbrojtja, pastaj parandalimi i agresionit rus, rritja ekonomike dhe bashkëpunimi dhe e fundit është një arkitekturë sigurie e pasluftës. Plani përfshin gjithashtu tre shtesa sekrete që lidhen me pjesë të ndjeshme që nuk do të publikohen, por do të jenë kyçe për zbatimin e qëllimeve strategjike të Ukrainës.

Kiev - Pothuajse të gjitha kapacitetet e Ukrainës për prodhimin e energjisë termike janë shkatërruar nga sulmet e Rusisë me armë me rreze të gjatë veprimi, deklaroi kryeministri Denis Shmihal, duke shtuar se vendi tani duhet të mbështetet në zëvendësues. Shmihal tha se Kievi po bën gjithçka për ta rritur qëndrueshmërinë e energjisë, veçanërisht në rajonet e vijës së frontit dhe zonat në kufi me Rusinë. Ai shtoi se “qytetet që varen nga termoelektranët e mëdha janë veçanërisht të cenueshme”, duke pasur parasysh se Rusia "me qëllim po i sulmon" këto lloj objekte, "duke shkatërruar ose dëmtuar gati 90 për qind të prodhimit total të energjisë termike" në vend, raporton Rasha tudej.

Moskë - Kremlini sot e ka hedhur posht "Planin për fitore" që presidenti ukrainas Vollodimir Zelenski e ka prezantuar para Parlamentit ukrainas dhe i ka bërë thirrje Ukrainës "të zgjohet".  "Plani i vetëm paqesor që mund të ekzistojë është regjimi i Kievit të kuptojë se politika e tij është pa perspektivë dhe se është e domosdoshme të zgjohet", deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitrij Peskov. Zelenski, duke e prezantuar planin e tij për fitore ndaj Rusisë para deputetëve në Kiev, u angazhua për sistemim të mjeteve jobërthamore për zmbrapsje në Ukrainë.

Bejrut - Kryeministri i Libanit, Naxhib Mikati sot dënoi sulmet me raketa vdekjeprurëse të armatës izraelite (IDF) në qytetin Nabatieh në jug të Libanit ku mbeti i vrarë edhe kryebashkiaku i atij qyteti, Ahmad Kalil. Ai vlerësoi se Izraeli qëllimisht ka kryer sulm ndaj ndërtesës komunale ku është mbajtur seanca e këshillit komunal. "Kryeministri e dënon agresionin e ri izraelit ndaj civilëve në qytetin Nabatieh dhe sulmin e qëllimshëm ndaj ndërtesës komunale ku këshilli komunal po diskutonte për shërbimet në qytet dhe situatën me ndihmat humanitare", theksohet në kumtesën zyrtare nga zyra e Mikatit të cilën e transmeton "Gardian".

Atlanta/Tel Aviv - Izraeli ka plan të përgatitur për përgjigje ndaj sulmit, që Irani e ka kryer më 1 tetor ndaj vendit, njofton sot Si-En-En, duke iu referuar një burimi mirë të informuar. Si-En-En ka kërkuar koment nga Ministria izraelite e Mbrojtjes, por prej aty nuk dhanë hollësira shtesë lidhur me planin. Autoritetet izraelite, duke përfshirë edhe kryeministrin Benjamin Netanjahu, e bindin SHBA-në se sulmi ndaj Iranit do të jetë i kufizuar vetëm në objektiva ushtarake, e jo në impiante të naftës apo bërthamore, njofton burimi anonim.

Abuxha - Të paktën 94 persona kanë humbur jetën, ndërsa 50 të tjerë janë hospitalizuar pas një shpërthimi në veri të Nigerisë, i cili ndodhi pasi banorët filluan të mbledhin karburantin që kishte rrjedhur nga një cisternë e përmbysur. Shpërthimi ndodhi pasi shoferi i cisternës, i cili po udhëtonte nga Kano deri në Nguru në shtetin Jobe, humbi kontrollin e timonit pranë qytetit Maxhija, kumtoi televizioni i Nigerisë Çenels.

Uashington - Kamala Haris do ta hartojë rrugën e saj nëse bëhet presidente, deklaroi shefi i shtetit amerikan, Xho Bajden. Haris, aktualisht zëvendëspresidente dhe kandidate nga radhët e demokratëve për presidente në zgjedhjet e 5 nëntorit, është kritikuar nga kundërshtari i saj republikan Donald Tramp se nuk ka ndryshuar asnjë nga politikat aktuale të Bajdenit. Kritikat e Trampit u nxitën nga një intervistë televizive në të cilën Haris tha se "asgjë nuk më bjen në mend" pasi u pyet se cilën nga politikat e Xho Bajdenit do të ndryshonte.

 

QËNDRONI TË LIDHUR