• e mërkurë, 16 tetor 2024
MIA Flesh

12:00/16 tetor/2024

Shkup – Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristian Mickoski dhe ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski sot do ta shënojnë fillimin e përgatitjes së Strategjisë Kombëtare për Zhvillim Informativ-Komunikues dhe Telekomunikimit në Vend – Strategjia Kombëtare IKT. Siç paralajmëroi shërbimi për informim i Qeverisë, pas takimit të kryeministrit Mickoski dhe ministrit Andonovski, në orën 12:30 do të mbahet konferencë e përbashkët për media në Qendrën e mediave të Qeverisë.

Shkup - Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, bashkë me sekretaren e Përgjithshme Marina Dimovska nga 16-18 tetor 2024 do të qëndrojnë për vizitë pune në Berlin. Shërbimi për informim i Kuvendit paralajmëroi se vizita organizohet para së gjithash me qëllim të shqyrtimit të mundësive për vazhdimin e bashkëpunimit tashmë të vendosur ndërmjet dy parlamenteve, në kuadër të Programit për Mbështetje Parlamentare dhe zgjerimin e mundësive për bashkëpunim në fusha të tjera me interes të ndërsjellë.

Shkup - Zëvendësministrja e Çështjeve Evropiane, Viktorija Trajkov prej sot gjendet për vizitë pune në Bruksel. Trajkov, siç kumtoi Ministria e Çështjeve Evropiane, do të ketë takim me përfaqësues të lartë të administratës evropiane, si Valentina Superti, drejtoreshë e Drejtorisë për fqinjësi dhe negociata aderuese, Berta L. Domeneç nga Qendra për politika evropiane, e ngarkuar me politikë të zgjerimit dhe Ballkanin Perëndimor, eurodeputetët Marion Ualsman dhe Karlo Resler, Sigrid Bretel, udhëheqëse e departamentit për Maqedoninë dhe Shqipërinë në Drejtorinë për Fqinjësi dhe Negociatat e Anëtarësimit të BE-së, si dhe përfaqësues të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (KBR).

Shkup - Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe njoftoi se është kategorikisht kundër ndarjeve etnike në shkencë pas idesë për formimin e një akademie paralele për shkenca dhe arte të shqiptarëve. "Jam i brengosur dhe kategorikisht e kundërshtoj idenë për formimin e një akademie të re paralele për shkenca dhe arte. Precedent është për formimi i institucioneve 'etnikisht të pastra', dhe kjo ide e njëjtë ishte refuzuar pa mëdyshje më parë nga akademikët aktualë", ka shkruar Filipçe në profilin e tij në Fejsbuk.  Ai theksoi se LSDM-ja nuk do ta mbështesë "kurrfarë paralelizmi në institucione".

Shkup - Me marrjen në pyetje të dëshmitarëve me propozim të Prokurorisë në Gjykatën Themelore Penale të Shkupit, sot ka vazhduar gjykimi për vrasjen e dyfishtë ndaj të miturës Vanja Gjorçevska dhe Pançe Zhezhovskit nga Velesi. Në seancën e sotme do të merren në pyetje dëshmitarët Muzafer Kalishiq dhe Riste Samarxhiev. Në seancën e kaluar të hënën dëshmuan nëna e Vanjës, Zorica Gjorçevska, si dhe vajza e Zhezhovskit, Ana Kirkova dhe bashkëshorti i saj, Todor Kirkov. Nëna e viktimës së Vanja Gjorçevskës, Zorica deklaroi se nuk i njeh të akuzuarit për vrasjen e vajzës së saj. Në seancë ajo dëshmoi për ditën kur vajza e saj ishte zhdukur dhe kërkimet rreth saj. 

Shkup - Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski dhe kryetari i Shoqatës së Juristëve, Goran Koevski, nënshkruan Memorandum për bashkëpunim. Me nënshkrimin e Memorandumit, siç informojnë nga Gjykata Kushtetuese do të intensifikohet  bashkëpunimi ndërmjet gjyqtarëve, këshilltarëve dhe anëtarëve të Shoqatës duke organizuar punëtori edukative për shkëmbimin e informacioneve rreth ligjit të BE-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare, roli i të cilave është vendimtar në ndërtimin e mekanizmave të mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të njeriut.

Shkup – Për shkak të ndërprerjeve të planifikuara në furnizimin me energji elektrike, nesër pa energji elektrike do të jenë shfrytëzuesit e komunave Ilinden, Sopishtë, Çair, informojnë sot në mëngjes nga Qendra Rajonale për Menaxhim me Kriza – Shkup. Prej orës tetë deri në orën 15, pa rrymë do të jenë “Pjureli plant”, “fotovoltaikë Nordik”, “Eurovia”, “Energji grup” në zonën industriale Çojlia, komuna Ilinden. Prej orës 8:30 deri në orën 11:30, një pjesë e shfrytëzuesve të rrugëve “Kërste Asenov”, “Dobri Daskalov”, një pjesë e bulevardit “Hristian Todorovski Karposh” në komunën Çair. Përderisa prej orës 11:30 deri në orën 14:30, një pjesë e shfrytëzuesve të rrugës “Resenska”, “Brigada e Dytë Maqedonase”, “Kemal Sejfulla”. 

Shkup - Tërmet me epiqendër në rajonin e Demir Kapisë, me magnitudë lokale 2,2 ballë sipas Rihterit, është regjistruar dje në orën 18:35, kumtoi sot Observatori sizmologjik pranë Fakultetit Matematiko-Natyror në Shkup. "Sipas të dhënave të deritanishme, me të cilat disponon observatori, tërmeti është ndjerë nga popullata e Demir Kapisë dhe rrethina, me intensitet të shkallës III sipas shkallës makrosizmike evropiane", kumton Observatori sizmologjik pranë Fakultetit Matematiko-Natyror në Shkup.

Shkup - Sot në mëngjes temperatura më e ulët prej një gradë është matur në Berovë, ndërsa temperatura më e lartë prej 12 gradë Celsius është matur në Gjevgjeli. DPHM informoi se në Lazarapole temperatura e mëngjesi ishte 3 gradë, 5 në Manastir, Hanet e Mavrovës dhe Kodrën e Diellit, 6 në Strumicë dhe Tetovë, 7 gradë në Shkup-Petrovec, Kriva Pallankë, Prilep dhe Demir Kapi, 8 në Shtip, Dibër, Ohër dhe Pretor, 9 në Shkup-Zajçev Rid dhe Krushevë dhe 19 gradë në Kumanovë, Veles, Kavadar dhe në Vinicë. Gjatë natës ka qenë kthjellët, sot në mëngjes është me diell dhe më ftohtë me pak vranësira lokale. Fryen erë e dobët kryesisht nga drejtimi verior.

Tiranë - Anija e marinës italiane "Libra" është ankoruar sot në portin shqiptar Shëngjin, për të sjellë grupin e parë prej 16 emigrantësh, të kapur në ujërat ndërkombëtare. Anija u largua nga porti i Lampeduzës të hënën me 16 burra - dhjetë nga Bangladeshi dhe gjashtë nga Egjipti - të cilët u shpëtuan në det pasi u nisën nga Libia, kumtuan autoritetet italiane. Javën e kaluar, Italia hapi zyrtarisht dy qendra në Shqipëri, ku planifikon të sistemojë mijëra azilkërkues jashtë kufijve të saj.

Athinë – Vazhdim i takimeve joformale, por me përbërje të zgjeruar, si dhe takim në Qipro i dy liderëve për të shqyrtuar mundësinë e hapjes së vendkalimeve të reja, ndër të tjera janë dakorduar presidenti i Qipros. Nikos Hristodulidis dhe lideri i turqve qipriotë Ersin Tatar në darkën joformale të mbrëmshme në Nju Jork, të organizuar nga sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guteresh, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina. Nga kabineti i Sekretarit të Përgjithshëm kumtuan se Guteresh i "inkurajoi liderët të konsiderojnë se si të kapërcejnë hendekun në pozicionet e tyre dhe të rindërtojnë besimin për të mundësuar lëvizjen që çon në një zgjidhje".

Athinë – Në pjesën detare në jug të ishullit të vogël grek Gavdos u fundos një anije me emigrantë, ndërsa me ndihmën e një anije të mallrave që ishte në afërsi, ishin shpëtuar 96 persona, informon korrespondentja e MIA-s nga Athina.  Nga shërbimi bregdetar i Greqisë informuan se po vijon aksioni i shpëtimit me dy anije patrulluese, gjashtë anije që janë në afërsi dhe një helikopter i marinës ushtarake për gjetjen eventuale të personave të zhdukur.  Televizioni shtetëror grek ERT njoftoi se sipas informacioneve të tyre, rreth dhjetë persona janë zhdukur në det.

Kiev - Rusia gjatë natës ka kryer një seri sulmesh me dronë dhe raketa drejt Kievit dhe qytetet të tjera të Ukrainës, duke shkaktuar zjarr në një impiantin industrial në rajonin perëndimor të Ukrainës, Ternopil, njoftuan autoritetet ukrainase këtë mëngjes. Gjatë natës, Rusia lansoi ​​drejt Ukrainës 136 dronë dhe tre raketa, ndërsa mbrojtja ajrore e Ukrainës shkatërruan shumë, njoftuan forcat ukrainase ajrore në Telegram. Pjesa më e madhe e Ukrainës ishte nën alarm për sulm ajror këtë mëngjes. Forcat ajrore kumtuan se Rusia i lansoi ​​dronët disa herë dhe në drejtime të ndryshme.

Kiev - Komandanti i forcave të armatosura ukrainase, gjenerali Oleksandar Sirski, pas bisedës telefonike me ministrin britanik të Mbrojtjes, Toni Radakin deklaroi se Britania e Madhe punon në propozime të veta për zbatimin e planit ukrainas për fitore. "Pala britanike në këtë moment punon në propozime të veta si pjesë të zbatimit praktik të planit për fitore", tha Sirski.

Bruksel - Ballkani Perëndimor ka nevojë për BE-në, por edhe Unionit i duhet rajoni që t'i sjellë energji të re dhe një shtysë të re, ta forcojë dhe ta bëjë më të fortë, por zgjerimi i bllokut është i bllokuar duke e bilateralizuar procesin e anëtarësimit, duke shkaktuar kështu dëme në standardet dhe vlerat evropiane, por edhe në shtetin e bllokuar, sepse është ndërprerë furnizimi me oksigjen dhe mundësitë e tij për të krijuar një sistem vlerash, shtet ligjor dhe një demokraci funksionale. Këto janë pjesë e mesazheve të dërguara pas mbajtjes së djeshme të Konferencës së Dytë Ndërqeveritare BE-Shqipëri në Luksemburg, me të cilën vendi praktikisht nisi negociatat e anëtarësimit  sipas kapitujve dhe u nda përfundimisht në rrugën evropiane nga Maqedonia e Veriut.

Bruksel - Vendet- anëtare të Bashkimit Evropian të cilat kanë kontingjent në Forcën e përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Liban (UNIFIL) nuk kanë për qëllim të tërhiqen nga Libani jugor pavarësisht thirrjeve nga Izraeli, deklaroi sot ministri për çështje evropiane dhe ndërkombëtare të Austrisë, Aleksandar Shalenberg. Pozicionet e UNIFIL-it janë nën zjarr që nga fillimi i një operacioni tokësor izraelit në Libanin jugor kundër luftëtarëve të Hezbollahut, ndërsa dy tanke izraelite shkatërruan portën kryesore të njërës prej bazave të tyre, njoftuan Kombet e Bashkuara. Pesë paqeruajtës u plagosën.

Londër – Ish shefi i armatës britanike, gjenerali sër Majkëll Xhekson, ndërroi jetë në moshën 80-vjeçare, konfirmoi armata britanike në rrjetin X. Xheksoni ishte komandanti i parë i KFOR-it dhe nënshkrues i Marrëveshjes së Kumanovës. Në vitin 1999, gjenerali Majkëll Xhekson e nënshkroi Marrëveshjen e Kumanovës, me të cilën pas 78 ditëve përfundoi bombardimi i Republikës Federale të Jugosllavisë (RFJ) dhe e shënoi fillimin e operacionit për formimin e misionit KFOR në Kosovë, të cilën e udhëhoqi si komandant i parë, informon Bi-Bi-Si.

Jerusalem - Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu deklaroi se i ka thënë presidentit francez Emanuel Makron se nuk do të pajtohej për një marrëveshje armëpushimi në Liban përderisa nuk ndërpritet armatimi i sërishëm dhe rigrupimi i Hezbollahut. Makron paraprakisht ka bërë thirrje për një armëpushim midis Izraelit dhe Hezbollahut, të mbështetur nga Irani, si dhe për t'i dhënë fund eksporteve të armëve, që shfrytëzohen në Rripin e Gazës dhe Liban. "Kryeministri i tha presidentit Makron se ai është kundër armëpushimit të njëanshëm, i cili nuk do të ndryshojë situatën e sigurisë në Liban dhe do ta kthejë vendin në gjendjen e mëparshme", thuhet në kumtesën e kabinetit të Netanjahut.

Bejrut – Ushtria izraelite sot në mëngjes ka kryer dy sulme ajrore në një lagje shiite në jug të Bejrutit, vetëm pak minuta pas lëshimit të urdhrit për evakuim të sektorit, mund të shihet në pamjet e transmetuara nga AFPTV. “Ju jeni afër instalimeve dhe interesave të lidhura me Hezbollahun, kundër të cilave ushtria izraelite do të veprojë së shpejti”, paralajmëroi më parë ushtria izraelite në kumtesën. Zëdhënësi i IDF në gjuhën arabe, Aviçaj Adrae në orën 6:09 të mëngjesit përmes Rrjetit X i paralajmëroi civilët në zonën e Dahija - për të cilin besohet se është bastion i Hezbollahut - se forcat ajrore do të gjuanin një ndërtesë.

Pekin - Kina nuk do të premtoj se do të tërhiqet nga përdorimi i forcës kundër Tajvanit, për kjo ka të bëjë me ndërhyrjen e jashtme dhe një pakice të vogël separatistësh, njoftoi sot zyra e Qeverisë kineze për Tajvanin, pas stërvitjeve të fundit ushtarake rreth atij ishulli. Kina, e cila pohon se Tajvani është territori i saj, të hënën organizoi stërvitje të mëdha ushtarake rreth ishullit, për të cilat njoftoi se ishin paralajmërim kundër "veprimeve separatiste" pas fjalimit të javës së kaluar të presidentit tajvanez, Lai Çing me rastin e Ditës Kombëtare.

Uashington - Tubimi parazgjedhor i kandidatit republikan për president Donald Tramp në periferi të Filadelfias është ndërprerë pasi dy persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Por pas incidentit ish presidenti nuk iu përgjigj pyetjeve dhe mori rolin e dixhejt dhe porosiste këngë dhe vallëzime. Sipas bashkëpunëtorëve të tij, skena të kujtonte pritjet në Mar-a-Lago. Moderatore e ngjarjes ka qenë guvernatorja e Dakotës së Jugut, Keisti Noem e cila vuri re se në sallë është tepër nxehtë, pas çka Trampi pyeti nëse kondicionerët punojnë, informon Zëri i Amerikës.

QËNDRONI TË LIDHUR