• e mërkurë, 16 tetor 2024

MIA Flesh

MIA Flesh

9:00/ 16 tetor/ 2024

Shkup – Me paraqitjen e dëshmive nga ana e Prokurorisë në Gjykatën Themelore Penale Shkup sot në orën 10 duhet të vazhdojë gjykimi për vrasjen e dyfishtë të të miturës Vanja Gjorçevska dhe Pançe Zhezhovskit nga Velesi.Në seancën e kaluar gjyqësore dëshmoi nëna e Vanjës, Zorica Gjorçevska, si dhe vajza e Zhezhovskit, Ana Kirkova dhe bashkëshorti i saj, Todor Kirkov. Nëna e të vrarës Vanja Gjorçevska deklaroi se nuk i njeh të akuzuarit për vrasjen e vajzës së saj. Në seancë ajo dëshmoi për ditën kur vajza e saj ishte zhdukur dhe kërkimet rreth saj.  Kirkovët dëshmuan për momentin kur e kishin vërejtur se nuk gjendet Zhezhovski, denoncimin në polici dhe gjetjen e tij. 

Shkup - Katër persona janë lënduar në aksidentin e komunikacionit që ka ndodhur mbrëmë te ura "Goce Dellçev". Në fatkeqësinë një nga automjetet është përmbysur dhe djegur. "Më 15.10.2024 rreth orës 20:55 është denoncuar se në bulevardin 'Goce Dellçev' ka ndodhur fatkeqësi e komunikacionit mes automjetit 'shkoda' me targa të Shkupit dhe automjetit 'bmv', po ashtu me targa të Shkupit. Automjeti 'shkoda' është përmbysur dhe djegur. Katër persona janë dërguar në Qendrën klinike 'Nënë Tereza' për dhënien e ndihmës", informoi mbrëmë Ministria e Punëve të Brendshme.

Shkup - Zëvendës kryetari i Qeverisë dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski sot do ta vizitojë komunën e Velesit. Siç kumtoi Ministria e Transportit, Nikollovski do ta vizitojë ndërtesën sociale në Veles dhe do të kryejë inspektim në rikonstruimin e rrugës "Luj Paster".

Shkup - Tribuna e dytë nga projekti "Mbrojtja e biodiversitetit të florës dhe faunës së Malit Sharr - imperativ shoqëror" që e realizoi Shoqata për kulturë dhe art "Tradita" - Tetovë do të mbahet sot në shkollën fillore "Kirill Pejçinoviq" në Tearcë. Sipas agjendës, ngjarja do të fillojë në ora 11:30 me fjalimin e Selam Sulejmanit, kryetar i Shoqatës "Tradita", i cili do ta prezantojë projektin dhe rëndësinë nga implementimi i tij në rajonin e Pollogut, respektivisht në komunat Tearcë, Tetovë dhe Bogovinjë. Pastaj, Agron Salihi do të mbajë ligjerim me temë "Mbrojtja e biodiversitetit të florës së faunës në Malin Sharr - Imperativ shoqëror", pas çka do të vijojë diskutim.

Shkup - Këshilli gjyqësor i Republikës së Maqedonisë së Veriut sot nga ora 10 duhet të mbajë seancë në rendin e ditës të së cilës janë disa pika, ndër të cilat kërkesa për përjashtimin e opinionit në procedurat pas kërkesave të parashtruara për përcaktimin e përgjegjësisë së gjykatësit/kryetarit të gjykatës, përcaktimin e ndërprerjes së funksionit të gjykatësit për shkak të pensionit, zgjedhjen e gjyqtarëve porotë të Gjykatës themelore penale Shkup dhe formimin e Komisionit për verifikimin e përmbushjes së kushteve dhe kritereve për zgjedhje të kryetarit të Gjykatës themelore Kavadar. Në rendin e ditës së seancës së 502-të, përvec miratimit të procesverbaleve të seancës 496 dhe 497, është edhe shqyrtimi dhe miratimi i Raportit për rezultatet e ekzaminimit të njohurive të punës praktike me kompjuter.

Shkup - Organizata për ushqim dhe bujqësi e Kombeve të Bashkuara (FAO) dhe Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave sot do ta shënojnë Ditën botërore të ushqimit me moton "E drejta e ushqimit për jetë më të mirë dhe ardhmëri më të mirë: Askush të mos anashkalohet". Ngjarja do të mbahet në fermën e Toni Dimevskit, në fshatin Ognjanci, komuna Petrovec, në afërsi të Shkupit. Dita botërore e ushqimit shënohet çdo vit më 16 tetor, kur në vitin 1945 u themelua FAO. Kjo ditë ka për qëllim ta ngrit ndërgjegjen për problemin global me urinë dhe të bëjë thirrje për aksion kolektiv për ndërtimin e ardhmërisë së qëndrueshme për ushqimin, njerëzit dhe planetin.

Shkup - Në Kuvend sot seancë do të mbajë Komisioni për transport, transformim digjital, mjedis jetësor dhe planifikim hapësinor. Në rendin e ditës së këtij Komisioni ka një pikë - Propozim i Ligjit për plotësimi e Ligjit për banim në lexim të parë, i propozuar nga deputetët e partisë politike "E majta". Siç thuhet në sqarimin e publikuar në faqen e Kuvendit, me propozim ligjin do të plotësohet dispozita e nenit 65 të ligjit amë në lidhje me masën maksimale të qirasë vjetore për një banesë dhe do të rregullohen dispozitat penale për mosrespektimin e kësaj dispozite.

Shkup - Një delegacion i lartë i Forcave të armatosura (FA) të Republikës së Turqisë, i udhëhequr nga shefi i Shtatmadhorisë së FA, gjeneralin Metin Gjurak, prej sot do të jetë për vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Gjenerali Metin Gjurak pas pritjes me nderime të larta ushtarake në Shtatmadhorinë e Armatës, do të zhvillojë takim me nikoqirin e tij, shefin e Shtatmadhorisë së Armatës, gjeneral-major Sashko Lafçiski. Tema kryesore të takimit, siç kumtoi Shtatmadhoria e Armatës, do të jenë avancimi i bashkëpunimit dypalësh ushtarak, procesi i transformimit dhe modernizimit të Armatës dhe kontributi i Armatës në operacionet dhe misionet ndërkombëtare.

Shkup - Komunikacioni në rrugët shtetërore zhvillohet pa ndërprerje, kryesisht nëpër rrugë të thata. Intensiteti i komunikacionit në akset rrugore jashtë mjediseve urbane është mesatar. Në vendkalimet kufitare nga ana e Maqedonisë nuk ka vonesa të gjata për hyrje dhe dalje nga shteti.

Shkup - Moti sot në mëngjes do të jetë më i ftohtë, gjatë ditës me diell dhe relativisht i ngrohtë, me vranësira të ulëta deri në mesatare lokale, më të larta deri në fund të ditës. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi verior. Temperatura minimale do të jetë në interval prej 2 deri 12 gradë, ndërsa ajo maksimale do të jetë prej 22 deri 28 gradë. Në Shkup mot me diell, me vranësira të vogla dhe me erë të dobët deri mesatare veriore. Temperatura minimale do të ulet deri 6, ndërsa ajo maksimale do të arrijë deri 26 gradë.

Prishtinë – Ish kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, deklaroi se ura në lumin Ibër, e cila i ndan pjesët veriore dhe jugore të qytetit, do të hapet pas përfundimit të procesit zgjedhor në Kosovë, pas 5 shkurtit.  “Pasi që të kryhet procesi zgjedhor, pas 5 shkurtit ura do të hapet”, deklaroi Bahtiri dhe shtoi se i gjithë operacioni do të realizohet në bashkëpunim me KFOR-in dhe të gjitha institucionet.  “Situata po përmirësohet, është normale, dhe nuk ka asnjë problem, ju mundeni ta vizitoni pjesën e veriut në mënyrë normale sikur në jug”, ka shtuar Bahtiri.

Bruksel - Kryetari i Këshillit Evropian, Sharll Mishell, sot ka ftuar presidentin e Ukrainës, Vollodimir Zelenski, në samitin e liderëve të vendeve anëtare të BE-së. "Kam ftuar presidentin Vollodimir Zelenski në samitin e Këshillit Evropian të enjten, 17 tetor, për të shqyrtuar ngjarjet e fundit në luftën ruse kundër Ukrainës dhe ai të prezantojë planin e tij për fitore", shkroi Mishell në platformën X. Prej 17 deri 18 tetor në Bruksel do të mbahet takimi i Këshillit Evropian, në të cilin liderët e BE-së do të bisedojnë për zhvillimin e situatës në Ukrainë dhe për çështje tjera të rëndësishme nga politika e jashtme dhe e brendshme e Bashkimit Evropian.

Uashington - SHBA-ja mbrëmë kumtoi se është "kundër" bombardimit të Bejrutit, kryeqytetit të Libanit dhe shtuan se për këtë i kanë informuar autoritetet izraelite. "I kemi bërë të qartë Izraelit se ne kundërshtojmë fushatën e bombardimeve që ky vend ka zhvilluar javët e fundit në Bejrut", deklaroi zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Methju Miler. Ai vlerësoi se ato sulme në ditët e fundit janë ulur për nga intensitetit.

Bejrut- Hezbollahu, i cili tashmë tre javë është në luftë me Izraelin, kumtoi se ka rrëzuar edhe një dron izraelit "Hermes 450". Sipas kësaj organizate proiraniane, ky dron është parë "në zjarr" në anën izraelite të kufirit. Hezbollahu tani përmend "përplasjet të drejtpërdrejta" me trupat izraelite, të cilat filluan me sulme tokësore më 30 shtator në Libanin jugor, i cili kufizohet me Izraelin verior. Kjo organizatë njofton se ata për çdo ditë sulmojnë Izraelin me raketa dhe drone.

Pekin – Presidenti kinez Si Xhinping deklaroi se partneriteti i suksesshëm mes Kinës dhe SHBA-së është mundësi që të dyja vendet të jenë shtytëse të zhvillimit të ndërsjellë, ndërsa jo pengesë, informuan mediat shtetërore kineze. “Kina është e gatshme të jetë partnere dhe mike e SHBA-së. Kjo do të jetë në dobi jo vetëm për të dyja vendet, por edhe për botën”, tha Si në ceremoninë vjetore të ndarjes së çmimeve për vitin 2024 të Komitetit Kombëtar për Marrëdhënie mes SHBA-së dhe Kinës, transmetoi CCTV. Si theksoi se marrëdhëniet mes Kinës dhe SHBA-së janë në mesin e marrëdhënieve më të rëndësishme dypalëshe në botë dhe ndikojnë në të ardhmen dhe fatin e njerëzimit. 

Tel Aviv - Ushtria izraelite pretendon se në një sulm ajror ka vrarë komandantin e njësive të dronëve të Hamasit në pjesën veriore të Gazës, Mahmud al-Mabuh. Siças kumtesës së IDF-së, Al Mabuh ishte përgjegjës për sulmet me drone mbi Izraelin dhe ushtarët izraelitë në Gazë, transmeton "Tajms of Izrael". IDF, gjithashtu, kumtoi se ka eliminuart operativët e Hamasit në Xhabalia në luftime kokë më kokë, si dhe në sulme ajrore. 

Londër - Bëhen të ditura kushtet nga kontrata e Tomas Tuhelit me përfaqësuesen e Anglisë.  Sipas gazetarit Fabricio Romano, 51-vjeçari gjerman do të nënshkruajë kontratë deri në fund të korrikut 2026. Pritet që Asociacioni anglez i futbollit (FA) ta publikojë emërimin këtë javë. Puna e fundit e Tuhel ishte në Bajern të Mynihut, të cilin ai e menaxhoi nga marsi 2023 deri në qershor 2024. Nga janari i vitit 2021 deri në shtator 2022, gjermani ishte trajner i Çellsit. Përfaqësuesja e Anglisë drejtohej nga Garet Sauthgejt deri në korrik 2024. Ai u largua nga ekipi kombëtar pas Euro 2024, ku në finale britanikët humbën nga Spanja (1:2).

Paris - Gazetari francez Romen Molina, i njohur për punën e tij investigative, pohon se sulmuesi i Real Madridit dhe i përfaqësueses franceze, Kilian Mbape, ka probleme me alkoolin. Sipas Molinës, futbollisti 25-vjeçar shpesh del nga shtëpia e tij për të pirë. Më 11 tetor, Mbape u pa në një klub nate në Stokholm. Më 14 tetor, doli se policia në kryeqytetin suedez kishte hapur një hetim për një ankesë për përdhunim, që dyshohet se kishte ndodhur në hotelin ku Mbape po qëndronte në atë kohë. Vetë futbollisti ka mohuar çdo përfshirje në këtë ngjarje. Më pas, shërbimi për shtyp i Real Madridit e hoqi sulmuesin nga fotoja e fushatës reklamuese të koleksionit “Artist Pack”.

Buenos Ajres - Futbollisti i Inter Majamit dhe Argjentinës, Lionel Mesi shënoi tre gola për kombëtaren në ndeshjen e mbrëmshme të xhiros së 10-të në kuadër të kualifikimeve të Amerikës së Jugut për Botërorin 2026 kundër Bolivisë (6:0). Argjentinasi (37) ka ulur dallimin në krahasim me sulmuesin e Al-Nasër dhe Portugalisë, Kristiano Ronaldo për nga numri i hat-trikave në karrierë. Mesi tani ka 58, ndërsa Ronaldo 66. Në 29 raste kur kanë shënuar tre gola në një ndeshje, 39 vjeçari Ronaldo ka shënuar të paktën një gol nga pika e bardhë, ndërsa Mesi ka 12 ndeshje të tilla.

QËNDRONI TË LIDHUR