• e shtunë, 19 tetor 2024
MIA Flesh

15:00/18 tetor/2024

Shkup - Është shokuese që kam arritur ta lexoj dhe nëse vërtetë është kështu, mendoj se prokurori publik shtetëror duhet të dalë para opinionit dhe të sqarojë të vërtetën, tha sot kryeministri Hristijan Mickoski lidhur me akuzat e prokurorëve nga prokuroria e lartë publike se prokurori i shtetit Ljupço Kocevski u ka bërë presion në një rast gjyqësor. Sipas kryeministrit, ka shumë gjëra për të cilat PP duhet të japë përgjigje.

Shkup – Kryeministri Hristian Mickoski nuk pret të ketë turbulenca dhe lëkundje më të theksuara në tregun e energjisë elektrike në vend edhe krahas paralajmërimeve të disa vendeve evropiane se presin probleme gjatë dimrit. “Përsa i përket turbulencave në tregun e energjisë elektrike në Evropë, unë isha ndër të parët në verë që thashë se me ardhjen e dimrit do të ketë nevojë për tërheqjen e energjisë nga tregu në Evropë nga Ukraina, sepse fatkeqësisht atje për shkak të agresionit rus është shkatërruar plotësisht sistemi elektrik i vendit. E gjithë kjo do të ndikojë në rritjen e çmimit të energjisë elektrike në bursa”, tha Mickoski në përgjigjen e pyetjes së gazetarëve pas vënies së gurthemelit të shkollës së re fillore "Krste Misirkov" në lagjen Hasanbeg të Shkupit.

Shkup - Kryeministri Hristian Mickoski paralajmëroi investime të reja gjermane, ndërsa më e madhja, siç theksoi ai, do të jetë parku i erës në Kumanovë, Rankovc, Kriva Pallankë dhe Nagoriçan i Vjetër, me vlerë rreth 400 milion euro. Deri në fund të vitit, sipas kryeministrit, dy kompani gjermane do të fillojnë të investojnë, njërën, tashmë prezentë në vend, do të ndërtohet një fabrikë e re prodhimi, ndërsa tjetra do të fillojë një investim grinfild krejt të ri. Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve pas vendosjes së gurthemelit në një shkolle të re në Çento, Mickoski tha se pret një rigjallërim të ekonomisë pas dinamikës së përshpejtuar të investimeve kapitale dhe rritjes mbi tre për qind të BPV-së në tremujorin e tretë dhe të katërt të vitit.

Shkup - Kryeministri Hristian Mickoski nuk pret që komunat të dorëzojnë projekte të reja në afatin shtesë që u është dhënë për të aplikuar në thirrjen për ndarjen e 100 milionë eurove për realizimin e projekteve kapitale infrastrukturore, por të dorëzojnë dokumentacionin e përditësuar të projektit që u ka munguar për të marrë fonde në thirrjen publike. "Nuk pres projekte të reja, por ato komuna që nuk e kanë dorëzuar në kohë dokumentacionin e përditësuar ta bëjnë atë. Kjo është një periudhë e arsyeshme dhe nuk ka shumë të tilla. Edhe komunat e tjera që kanë marrë projekte, të themi se mund të kenë konkurruar me pesë projekte, kanë marrë tre, pra për këto dy nuk ka bazë të përditësuar etj. Për ata që nuk kanë marrë fare projekt, sepse nuk kanë dorëzuar dokumentacionin projektues konform thirrjes publike, pres që t'i dorëzojnë", deklaroi Mickoski në përgjigjen e pyetjes pas vënies së gurthemelit të shkollës së re fillore “Kërste Misirkov” në vendbanimin Çento të Shkupit.

Shkup - Ende jemi duke bërë analiza, hapat e nxituara janë veprim i keq, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski në përgjigjen e pyetjes së gazetarëve në lidhje me letrën që ishte paralajmëruar t'i dërgohet BE-së me propozim-zgjidhje për zhbllokimin e procesit të integrimeve evropiane. "Kërkoj pak durim. Hapat e nxituara janë gjithmonë një veprim i keq do të thosha, ndoshta duhet të qëndrojnë pak gjërat që të mundemi me kokë të ftohtë të flemë dhe të marrim një vendim të vërtetë. Gjithçka është në qarkullim. Do të udhëtoj këtë fundjavë në Austri, do të jem pjesë e një ngjarje në Salcburg, më pas do të kem takime me përfaqësues të lartë të qeverisë austriake dhe shoqërisë austriake, presidentin, ministrin e Punëve të Jashtme. Atje e dini kishte pothuajse edhe zgjedhje, kështu që formimi i një qeverie të re është duke u zhvilluar, do të shohim si do të jetë me kryeministrin aktual, pastaj do të vijë kryetarja e KE-së, kështu që kemi një takim të Komunitetit Politik Evropian në Budapest më 7 nëntor, kështu që le të bëjmë një analizë po, le të shohim se si funksionon e gjithë kjo. Nëse kemi sukses në këtë mënyrë ta rrijmë qëllimin, nuk do të shpejtojmë për ta realizuar", tha Mickoski.

Bruksel - Një nga çështjet kryesore, për të cilat është biseduar në takimin dyditor të ministrave të mbrojtjes të NATO-s, që dje dhe sot po mbahet në Bruksel, ishin shpenzimet e mbrojtjes, deklaroi për MIA-n ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski pas përfundimit të takimit. "Sa përqind do të ndajmë nga buxheti ynë është me të vërtetë çështje e rëndësishme për një vend të vogël si Maqedonia. E dini se buxheti ynë për (mbrojtjen) duhet vazhdimisht të rritet. Edhe pse jemi mbi dy për qind nga bruto prodhimi vendor, ne shikojmë se si ta risim buxhetin", theksoi Misajllovski.

Shkup - Me emërimin e Bojan Hristovskit, pushteti i Mickoskit dhe DPMNE-së po bën partizim të rrezikshëm në Agjencinë për Siguri Kombëtare dhe po i shkel ligjet, tha në konferencën e sotme për media, Metodija Ilievski nga LSDM-ja.  Në nenin 10 nga Ligji për ASK-në, siç theksoi, qartë qëndron se drejtori i Agjencisë nuk duhet të jetë anëtar i partisë politike ose anëtar i organeve dhe trupave të partive politike. "Në vend të një profesionisti, në krye të ASK-së, qeveria përcakton një person partiak, kryetar të Komitetit të Qytetit të VMRO-DPMNE-së dhe një propagandues aktiv të pushtetit. Postimet, fotot dhe mbishkrimet e shumta në faqen e tij në Fejsbuk e konfirmojnë plotësisht këtë. Fjalë për fjalë çdo postim i tij i dedikohet DPMNE-së dhe në funksion të propagandës së Mickoskit. Hristovski, është në foto pothuaj të gjitha selitë partiake të DPMNE-së në Shkup. Mund të shihet shumë krenar me Mickoskin, me Siljanovskën, dhe si propagandon me zell politikat e partisë së tij", theksoi Ilievski.

Shkup - Armend Arsllani, anëtar i kryesisë së Bashkimit Demokratik për Integrim në konferencën e sotme për shtyp akuzoi se "VLEN"-i për 100 ditë i kanë rrënuar dhe vazhdojnë të rrënojnë gjithçka që u arrit në shëndetësi. "Ne me mund dhe sakrifice arritëm fillimishtë të krijojmë kuadër shëndetësorë të të gjitha niveleve ( teknik/motra medicinale, specijalist, doktorë shkence, professor universitar), nga mundi i Shqiptarëve  ata gjetën shëndetësi me përfaqsim në të gjitha nivelet, udhëheqës në shumë institucione shëndetësore, kuadro të dëshmuar ndërkombëtarisht", tha ai. Arllani thekoi e deria BDI ihte në pushtet, shqiptarët kryesonin me mbi 50 institucione shëndetësore, ndërkaq, siç tha, sot në Qendrën klinike "Nëna Terezë" - Shkup nga 34 klinika unoversitare, vetëm tre klinika udhëhiqen nga drejtorë m jekësorë shqiptarë.

Shkup – Kryetarja e Gjykatës Supreme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Besa Ademi dhe ministri i Drejtësisë, Igor Fillkov, realizuan takim protokollar. Në takim, siç bëri të ditur Gjykata Supreme, është diskutuar për shumë çështje nga sfera e gjyqësorit, me theks të veçantë në zbatimin e procesit të reformave, zbatimin e ligjeve dhe akteve nënligjore dhe nevojës për ndryshime të zgjidhjeve normative në përputhje me angazhimet për avancimin e sistemit gjyqësor. Ademi ka theksuar se Gjykata Supreme e Republikës së Maqedonisë së Veriut në vazhdimësi ndërmerr aktivitete për avancimin e efikasitetit, transparencës, besimit publik, zbatimit të standardeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe avancimin e praktikës gjyqësore.

Shkup - Në fillim të hetimeve konsideruam se vajza vullnetarisht është futur në ndonjë automjet dhe është larguar nga shtëpia dhe se thjesht ka dashur t'i ndëshkojë prindërit e saj. Nuk kishte logjikë se është kidnapuar, nuk ka pasur as ryshfet, asgjë, deklaroi shefi i Njësisë për krime të dhunshme pranë SPB Shkup i cili dëshmoi në seancën e sotme për vrasjen e dyfishtë ndaj minorenes Vanja Gjorçevska dhe Pançe Zhezhovskit nga Velesi në Gjykatën Themelore Penale Shkup. Dëshmitari Dejan Dimovski i cili në atë kohë punonte si shef i Njësitit për krime të dhunshme pranë SPB Shkup, për ngjarjen ka qenë i informuar më 27 nëntor 2023, ku siç tha ishte e pazakontë, edhe pse kompetencat për t'u marrë me vajzën e zhdukur ka qenë nën Stacionin policor Qendër.

Shkup - Hetimi për automjetin e djegur "citroen" i ka çuar deri te automjetu pik-ap "kangu" dhe partia politike "E djathta", e Lupço Palevskit, deklaroi shefi i Njësitit për krime të dhunshme pranë SPB Shkup i cili dëshmoi në seancën e sotme për vrasjen e dyfishtë ndaj minorenes Vanja Gjorçevska dhe Pançe Zhezhovskit nga Velesi në Gjykatën Themelore Penale Shkup. Dëshmitari Dejan Dimovski i cili në atë kohë punonte si shef i Njësitit për krime të dhunshme pranë SPB Shkup, tha se kërkuan urdhër për bastisje, por meqenëse bëhet fjalë për parti politike, kanë hyrë mjaft vonë.

Shkup - Dyshimet ndaj babait të Vanjës, Aleksandar fillimisht erdhën nga Velibori dhe Bore, të cilët na treguan se edhe babi është i përfshirë. Me deklaratat e tyre dhe perceptimin e arsyeshëm, kjo mund të shihet. Ne vetëm faktet i shohim, deklaroi dëshmitari- shefi i Njësisë për krime të dhunshme pranë SPB Shkup i cili dëshmoi në seancën e sotme për vrasjen e dyfishtë ndaj minorenes Vanja Gjorçevska dhe Pançe Zhezhovskit nga Velesi në Gjykatën Themelore Penale Shkup. Në pyetjen e avokatit të të akuzuarit Bore Videvski, në çfarë gjendje ka qenë Videvski kur i ka tregua për lidhjen e Aleksandrit, dhe nëse ndaj tij është kryer torturë, dëshmitari Dejan Dimovski, i cili gjatë asaj kohe punonte si shef i Njësisë për krime të dhunshme pranë SPB Shkup tha: "ai ishte ulur në një karrige kur tha këtë".

Shkup - Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski ka realizuar takim pune me ambasadorin e Mbretërisë së Spanjës, Rafael Soriano Ortiz. Në takim, siç njofton MPB-ja, është konfirmuar bashkëpunimi i mëparshëm i mirë policor në drejtim të shkëmbimit të shpejtë, cilësor dhe efikas të njohurive operative, përkatësisht veprimive të rregullta ndaj kërkesave të dërguara nga të dyja shtetet për lloje të ndryshme të kontrolleve në të gjitha format e krimit të organizuar.

Shkup – Komisioni për Çështje Etike dhe Juridike pranë Odës së Mjekëve nuk ka kompetenca ligjore që ta hetojë punën e Komisionit për Mbikëqyrje Profesionale të formuar nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, e as me vetiniciativë të përcaktojë masa, veçanërisht sepse nuk ka në dispozicion dokumentacion mjekësor në bazë të të cilit është përgatitur raporti. Pjesa më e madhe e lëshimeve të shënuara në raport janë lëshime sistemore në këto institucione shëndetësore, sepse seriozisht ndikojnë në punën e institucioneve shëndetësore dhe cilësisë së shërbimeve shëndetësore. Këtë e bëri të ditur sot Oda e Mjekëve të Maqedonisë së Veriut për rastin me mjekimin dhe trajtimin e fëmijës së ndjerë R.S.

Shkup - Rreth 100 kilogramë mish i pasigurtë dhe prodhime nga mishi janë asgjësuar pa dëme nga shërbimet inspektuese të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) të martën në Kumanovë, gjatë kontrolleve të jashtëzakonshme në disa restorante, mishtore dhe tregje. Për shkeljet e konstatuara – shitja e çorbës së ngrirë, vendosja në shitje e prodhimeve të ngrira nga mishi, shitja e mishit dhe pordhimeve të mishit pa deklarim, si dhe për vlefshmërinë e skaduar të librezave sanitare të punonjësve në operatorët me ushqim dhe mosposedimi i dokumentacionit të plotë, janë shqiptuar masa vërejtjeje dhe gjobë në shumë nga100 deri 1.000 euro në kundërvlerë në denarë, varësisht nga pesha e kundërvajtjes dhe madhësia e operatorit me ushqim.

Shkup - Gjatë fundjavës na pret mot me vranësira të ndryshueshme: Nesër do të ketë kushte për të reshura të dobëta të shiut, kumtoi Drejtoria për punë hidrometeorologjike. Të dielën temperaturat e mëngjesit do të lëvizin në interval prej -1 deri 9 gradë, ndërsa ato ditore do të arrijnë deri 23 gradë. Gjatë javës së ardhshme do të mbisundojë mot i qetë me temperatura të ulta të mëngjesit, të cilat në disa vende do të ulen nën zero. Në disa lugina do të ketë kushte për paraqitje të mjegullës në mëngjes.

Berlin - Presidenti amerikan Xho Bajden sot ka arrit në Berlin për të biseduar me liderët gjermanë për mbështetjen e Perëndimit për Ukrainën dhe situatën e paqëndrueshme në Lindjen e Mesme. Bajdeni do të takohet me presidentin gjerman Frank-Valter Shtajnmaer dhe kancelarin Olaf Sholc, ndërsa pritet që bisedimet e tyre të fokusohen në forcimin e lidhjeve transatlantike dhe ruajtjen e ndihmës ushtarake për Ukrainën. Gjermania për momentin është donatori i dytë më i madh i ndihmës ushtarake për Ukrainën, pas SHBA-së dhe ka ofruar armë të avancuara si tanke luftarake Leopard 2, raketa Patriot dhe sisteme të mbrojtjes ajrore IRIS-T.

Kiev – Shefi i Drejtorisë kryesore ukrainase për inteligjencë, Kirilo Budanov, konfirmoi se rreth 11.000 ushtarë koreanoveriorë për momentin janë në stërvitje në lindje të Rusisë. Sipas tij, ata do të jenë të gatshëm të marrin pjesë në veprimet ushtarake kundër Ukrainës nga 1 nëntori. Shefi i DKI theksoi edhe se këta ushtarë duhet të jenë të gatshëm për luftë me përdorimin e pajisjes dhe municionit rus. Njësia e parë prej 2.600 ushtarëve do të dërgohet në Kursk.

Kiev - Ukraina sot kumtoi se ka zmbrapsur një sulm të madh me dronë rusë gjatë natës. Komanda e forcave ajrore ukrainase kumtoi se nga dje në mbrëmje janë zbuluar 135 dronë, nga të cilat 80 janë zmbrapsur. Rreth 10 ishin ende në ajër mbi Ukrainën qëndrore, ndërsa 44 u zhdukën nga radarët, ndërsa dy gjoja hynë në hapësirën ajrore të Bjellorusisë. Sirena u dëgjuan në kryeqytetin Kiev për më shumë se katër orë gjatë natës, por autoritetet nuk raportuar dëme ose të plagosur.

Bejrut - Zëdhënësi i misionit paqeruajtës UNIFIL, Andrea Tenenti, sot deklaroi se misioni prej 10 mijë njerëzve, do të qëndrojë në Liban përkundër disa sulmeve të drejtpërdrejta nga forcat izraelite në ditët e fundit, të cilat i cilësoi si të qëllimshme. "Duhet të rrimë, na kërkuan të lëviznim. Shkatërrimi i shumë fshatrave përgjatë Linjës së kaltër, dhe madje edhe më gjerë është tronditës, tha Tenenti përmes një video-lidhjeje nga Bejruti. I pyetur për rrëzimin e djeshëm të një droni pranë një anijeje të UNIFIL në bregun libanez, ai deklaroi se droni erdhi nga jugu, por rrethoi anijen dhe u afrua shumë afër, vetëm pak metra larg anijes.

Bejrut – Anëtari i byrosë politike të lëvizjes Hamas, Basem Naim deklaroi sot se vdekja e liderit nuk nënkupton fundin e lëvizjes. Ai tha se organizata nuk mund të shkatërrohet me vrasjen e udhëheqësve të saj, transmeton Bi-Bi-Si, duke shtuar se ai nuk e ka konfirmuar vdekjen e liderit të Hamasit, Jahja Sinvar.  “Duket se Izraeli beson se vrasja e udhëheqësve tanë nënkupton fundin e lëvizjes sonë dhe luftës së popullit palestinez. Nuk është hera e parë që Izraeli të thotë një gjë të tillë”, tha ai, duke aluduar në vrasjet e liderëve të mëparshëm të Hamasit dhe shtoi se ata ishin bërë “ikona” për gjeneratat e ardhshme.

Uashington - Ministri amerikan i Mbrojtjes, Llojd Ostin, pas lajmit se Izraeli ka vrarë liderin e Hamasit, Jahja Sinvar, deklaroi se vdekja e tij është një mundësi e jashtëzakonshme për të vendosur një armëpushim përhershëm në Gazë. "Vdekja e Sinvar është një mundësi e jashtëzakonshme për të vendosur një armëpushim të përhershëm dhe për t'i dhënë fund kësaj lufte të tmerrshme, tha Ostin, duke shtuar se kjo gjithashtu mundëson ndihmën e menjëhershme humanitare për popullin e Gazës. Duke konfirmuar mbështetjen e SHBA-së për "të drejtën për vetëmbrojtje" të Izraelit, Ostin tha se forcat e vendosura në Lindjen e Afërt janë gati të mbrojnë Izraelin dhe të zvogëlojnë rrezikun e një lufte gjithëpërfshirëse në rajon.

Uashington - Demokratja Kamala Harris për herë të parë do të bëjë fushatë së bashku me Barak dhe Mishel Obaman në ngjarje të veçanta javën e ardhshme, me qëllim që të japë energji politike në hovin e fundit para zgjedhjeve në nëntor, deklaroi një përfaqësues i lartë i fushatës së saj. Ish presidenti dhe bashkëshortja e tij ende janë mjaftë të popullarizuar mes demokratëve dhe pritet të jenë efikasë në përkrahjen për Harrisin në pjesën e fundit të fushatës para zgjedhjeve presideciale më 5 nëntor. Anketat tregojnë se gara presidenciale mes Harrisit dhe kundërkandidatit republikan Donald Tramp ende është shumë e ngushtë.

Liverpul - Menaxheri i Liverpulit, Arne Slot, e paralajmëroi ndeshjen e së dielës me Çellsin si ndeshjen më të rëndë për ekipin e tij këtë sezon. Me të, "të kuqtë" hyjnë në një seri jashtëzakonisht të vështirë të ndeshjeve, e madje pas saj, mund të bëhet një vlerësim të vërtetë për nivelin e të "të kuqve", vlerëson holandezi. Deri në pushimin e radhës për ndeshjet e kombëtarëve, Liverpuli ka ndeshje kundër Çellsit, RB Lajpcigut, Arsenalit, Brajtonit (dy herë), Baer Leverkuzenit dhe Aston Vilës.

Madrid - Trajneri i Real Madridit, Karlo Ançeloti sot shfaqi bindje se sulmuesit të ekipit të tij, Kilian Mbapes "nuk i ndikojnë" akuzat për dhunim kundër tij në Suedi. "për momentin ato janë vetëm spekulime. E shoh lojtarin çdo ditë, ai punon shumë, ai është i lumtur dhe nuk e ndjej se kjo i ndikon në ndonjë mënyrë. Përkundrazi, ai madje është entuziast", deklaroi eksperti italian në konferencë prë shtyp para lojës në Selta Vigo të shtunën. Tha se nuk kërkon përforcim nga drejtoria e klubit sepse sezonin e kaluar janë përballur mirë me lëndimet dhe tani mund ta bëjnë të njejtën.

 

QËNDRONI TË LIDHUR