• e martë, 25 qershor 2024
MIA Flesh

15:00/24 qershor/2024

Shkup - Pançe Toshkovski, i cili ishte ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë teknike prej sot e kryen funksionin ministër i Punëve të Brendshme. Siç bëri të ditur MPB, në aktin e pranim-dorëzimit të funksionit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, nga ana e ministrit të deritanishëm Nazim Bushi, Toshkovski e ka falënderuar Bushin për angazhimin e tij të deritanishëm në Ministri. Ministri Toshkovski, i cili është kuadër në qeverinë e re të VMRO-DPMNE-së, më parë sot mori pjesë në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Refugjatëve në Parlament. 

Shkup - Në Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale, sot është bërë pranim dorëzimi zyrtar i detyrës së ministrit të vetëqeverisjes lokale. Pas zgjedhjes në Kuvend ministri i ri i Vetëqeverisjes Lokale, Zlatko Perinski, në kabinet është pritur nga ministri i deritanishëm Risto Penov. Siç kumtoi Ministria e Vetëqeverisjes Lokale në takim është biseduar për realizimin e projekteve aktuale të Ministrisë, zbatimin e politikave për zhvillim lokal dhe rajonal, zbatimin e Programeve IPA për bashkëpunim ndërkufitar, si dhe për mbështetjen financiare të komunave dhe rajoneve planifikuese që realizohet nga programet buxhetore të Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale dhe Byrosë për Zhvillim Rajonal.

Shkup - Modernizimi i arsimit dhe stimulimi i veprimtarisë kërkimoro-shkencore në Maqedoni, përmes zëvendësimit të improvizimeve dhe vendimeve ad hok me politika gjithëpërfshirëse afatgjate të krijuara me kontributin e të gjitha palëve të interesuara, njofton ministrja e re e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, e cila sot mori funksionin nga ministri i deritanishëm, Jeton Shaqiri. Siç kumtuan nga MASH, pas takimit, ministrja tha se shumë shpejt do të fillojë procesi i rindërtimit të plotë të të gjitha niveleve të arsimit formal, por edhe atij joformal, ndërsa sistemi arsimor do të sinkronizohet me nevojat e tregut të punës, në mënyrë që të rinjtë të mos kenë nevojë të kërkojnë angazhim pune jashtë vendit.

Shkup - Zoran Lutkov sot e ka marrë postin e ministrit të Kulturës dhe Turizmit nga ish ministrja Bisera Kostadinovska Stojçevska. Lutkov theksoi se koha e ndryshimeve po vjen, ndërsa të gjithë aktorët në fushën e kulturës dhe turizmit po përballen me një periudhë intensive të punës së mundimshme dhe investimeve, që paraqet edhe prioritetin kryesor të qeverisë së re, informoi shërbimi për shtyp i Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit. Kostadinovska - Stojçevska e uroi ministrin e sapozgjedhur për detyrën e re dhe i dëshiroi sukses në tejkalimin e sfidave lidhur me realizimin e projekteve aktuale dhe të ardhshme të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit.

Shkup - Ministri i ri i Shëndetësisë, Arben Taravari sot pas pranim-dorëzimit të funksionit i vizitoi kliniakt kirurgjike në Qendrën klinike, me qëllim të kontrollimit të disfunksionalitetit të kompresorëve në salla. Pas vizitës në salla, ai deklaroi se këto ditë do të marrë raport nga hulumtimet e bëra dhe shpreson se deri të premten do të sjellë vendim definitiv se si do të zgjidhet problemi - nëse do të mund të riparohet sistemi ekzistues apo do të instalohet sistem i ri.

Shkup - Ministria e Shëndetësisë do të formojë komision i cili do të duhet të konfirmojë nëse ka lëshime në mjekimin e lehonës dhe foshnjës nga Resnja e cila javën e kaluar ndërroi jetë 30 orë pas lindjes. Me kërkesë të Inspektoratit Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor, sot ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari në një deklaratë për mediat tha se një komision i tillë do të formohet. "Duhet të bëjmë pasi Inspektorati mendon ashtu. Sot pranova një brifing të shkurt edhe për këtë. Do të bëjmë komision dhe menjëherë të dalin dhe të konstatojë se çka ka ndodhur", deklaroi Taravari i cili pas marrjes së funksionit i vizitoi klinikat kirurgjike në Shkup.

Shkup - Ministri i ri i Shëndetësisë, Arben Taravari paralajmëroi se sot do të fillojë me shkarkimin e drejtorëve ekonomiknë Qendrën klinike "Nëna Terezë" të cilëve u ka skaduar mandati dhe se procedura do të vazhdojë edhe për të tjerët të cilët kryejnë funksion të këtillë, por pasi që të bëhen ndryshimet e nevojshme ligjore.

Shkup - Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski sot ka dorëzuar raport në Ministrinë e Punëve të Brendshme, për kërcënime të bëra për jetën dhe sigurinë e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Siç informojnë nga Gjykata Kushtetuese, denoncimi është dorëzuar për shkak të kërcënimeve të drejtpërdrejta të drejtuara ndaj një gjyqtari, përkatësisht gjyqtarëve që kanë të bëjnë me trajtimin e një çështjeje të caktuar nga Gjykata.

Shkup - Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikës, në vitin 2023 në ujësjellësin publik janë përfshirë dhe janë distribuar 293.191 mijë m3 ujë, që është për 2,3 për qind më pak krahasuar me vitin 2022. Nga sasia totale e ujit, shumica e ujit është nga ujërat e burimit, 63,4 për qind, dhe më pak nga liqenet 1,0 për qind. Sipas Entit shtetëror për statistikë, sasia totale e ujit të furnizuar nga ujësjellësi publik në vitin 2023 është për 0,9 për qind më pak krahasuar me vitin paraprak. Sipas strukturës së konsumit të ujit, konsumatorët më të mëdhenj ishin ekonomitë familjare, të cilat konsumuan 68,9 për qind të ujit të përgjithshëm të furnizuar nga ujësjellësi publik.

Shkup - Nga mesnata shtrejtohen benzinat prej 1,5 deri 2,5 denarë, vendosi sot Komisioni Rregullator i Energjetikës. Çmimi i Eurosuper BS-95 rritet për 1,5 denarë për një litër dhe ai do të shitet me çmim prej 82,5 denarë për një litër. Për dy denarë shtrejtohen edhe Eurosuper BS-98 dhe Vaji ekstra i lehtë për amvisëri, ndërsa për 2,5 denarë dizeli.

Shkup - Në vendkalimin kufitar "Tabanoc" shënohet frekuencë e rritur e automjeteve, koha e pritjes për hyrje në vend është rreth 15 deri 30 minuta. Në vendkalimet tjera kufitare nga ana e Maqedonisë së Veriut,  nuk ka vonesa më të gjata për hyrje dhe dalje nga vendi, informon LAMM. Qarkullimi në rrugët shtetërore zhvillohet pa probleme, në rrugë të thata. Intensiteti i rrugëve drejt zonave urbane është mesatar.

Prishtinë - Grupi parlamentar i partisë katalanase "Junts" (Junts per Catalunya) ka ngritur iniciativë në Parlamentin spanjoll që t'i propozojë Qeverisë në Madrid njohjen e Kosovës si shtet sovran, njoftuan mediat në Prishtinë, duke cituar burime në parti dhe zëra në mediat spanjolle. Zhosep Alaj, shef i kabinetit të liderit të partisë, Karles Puçdemon, deklaroi për portalin "Gazete ekspres" (gazetaexpress.com) se parlamenti spanjoll do të diskutojë dhe do të votojë për propozomin për njohjen e Kosovës gjatë ditës së nesërme, 25 qershor. 

Prishtinë - Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi me 15 muaj burg dhe 12 mijë euro gjobë personin Nenad Orloviq, i akuzuar për sulmin ndaj pjesëtarëve të Misionit Paqëruajtës të NATO-s – KFOR në Zveçan në veri të Kosovës, në maj të vitit të kaluar, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina. Kryetarja e këshillit gjyqësor, Valbona Musliu Selimaj, tha se vendimi do të bëhet drejtpërdrejt i zbatueshëm pasi ka ardhur si rezultat i marrëveshjes për pranimin e fajësisë.

Tiranë - Mediat shqiptare i kushtuan hapësirë të veçantë zgjedhjes së Qeverisë së re, si dhe aktit të pranim-dorëzimit të funksionit nga ana e Talat Xhaferit kryeministrit të ri Hristian Mickoski. "Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut u zgjodh me 77 vota", "Hristijan Mickoski kryeministri i 13-të i qeverisë së 20-të të Maqedonisë së Veriut", "Qeveria e re maqedonase me më shumë ministra se ajo e mëparshme", "Xhaferi ia dorëzoi funksionin Mickoskit dhe i uroi punë të suksesshme dhe efikase në interes të të gjithë qytetarëve"... janë vetëm disa nga titujt në media.

Moskë - Ambasadores amerikane në Moskë, Lin Trejsi, sot iu dorëzua një demarsh për shkak të sulmit raketor të Ukrainës në plazhin në Sevastopol në Krime, me vërejtje se Rusia fajëson njëlloj Uashingtonin dhe Kievin për atë sulm, kumtoi Ministria ruse e Punëve të Jashtme. "Aksione të tilla nga Uashingtoni nuk do të mbeten pa përgjigje" kumtoi Ministria. Në kumtesën për mediume thuhet se demarshi i është dorëzuar ambasadorit amerikan në Ministrinë ruse e Punëve të Jashtme, njoftoi RIA Novosti. 

Luksemburg - Ministri i Punëve të Jashtme të Austrisë, Aleksandar Shallenberg, sot deklaroi se siguria dhe stabiliteti janë synim gjeostrategjik i Bashkimit Evropian dhe për këtë arsye duhet të shtyhet përpara ideja për zgjerimin e Unionit. Para fillimit të takimit të ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të BE-së, që po mbahet në Luksemburg, ai tha se Austria po angazhohet për konceptin e integrimit gradual.

Luksemburg - Ministri italian i Punëve të jashtme, Antonio Tajani deklaroi sot se Ballkani Perëndimor duhet t'i bashkangjitet Bashkimit Evropian para Ukrainës dhe shfaqi shpresë se kjo do të ndodhë para vitit 2030. Në Luksemburg, ku po mbahet tkaimi i ministrave të jashtëm të BE-së, Tajani, i pyetur për të komentuar faktin se Ukraina nesër zyrtarisht do t'i fillojë negociatat me BE-në, tha se BE-ja është e gatshme ta mbështesë atë vend në çdo sektor, prëfshirë edhe në luftën kundër korrupsionit, por theksoi se në rend duhet të vijë Ballkani Perëndimor para Ukrainës.

Lion - Kandidati për shef të ardhshëm të Interpolit, Mubit Nava nga Zambia, është akuzuar për përfshirje në rrëmbim, arrestim, sulm dhe tentativë për zhvatje të dy biznismenëve indianë. Avokatët Vinod dhe Udit Sadu i kanë shkruar Interpolit, duke thënë se akuzat kundër Mubita Nava, zëvendëskomisioneri i policisë së Zambisë, tregojnë se ai është "i pavolitshëm" për të qenë sekretari i ardhshëm i përgjithshëm i asaj organizate, shkruan "Gardian".

Tampa - Reperi Fulio, emri i vërtetë i të cilit është Çarlls Xhons, ishte qëlluar dhe vrarë dje në mëngjes në Tampa, Floridë, SHBA, konfirmoi avokati i tij. Reperi të premten e kishte festuar ditëlindjen e tij të 26-të, sipas një rrëfimi të tij në Instagram. Fulio kishte afro një milion dëgjues në "Spotifaj" në muaj, ndërsa me muzikë meret nga viti 2015.

Budapest - Federata hungareze e Futbollit publikoi se mbrojtësi i kombëtares Baranbas Varga do të ketë nevojë për operacion. "Disa kocka të fytyrës së Vargës janë thyer gjatë një përplasje gjatë ndeshjes. Ai gjithashtu pësoi goditje në tru. Sulmuesi i Ferencvaroshit me shumë gjasa do t'i nënshtrohet një intervenimi", deklaroi një përfaqësues i federatës, transmeton “Goal”. Trajneri i Hungarisë, Marko Rosi, kumtoi se 29-vjeçari do të humbasë pjesën tjetër të Kampionatit Evropian në Gjermani.

 

QËNDRONI TË LIDHUR