• e martë, 25 qershor 2024

MIA Flesh

MIA Flesh

9:00/ 24 qershor/ 2024

Shkup - Në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut sot në orën 10 kryeministri i sapozgjedhur Hristijan Mickoski do të pranojë detyrën nga kryetari i deritanishëm teknik i Qeverisë, Talat Xhaferi. Siç kumtoi shërbimi për shtyp i qeverisë, Mickoski dhe Xhaferi do të kenë takim të shkurtër.  Pas marrjes së detyrës, Mickoski do të shkojë në Shtip ku do të marrë pjesë në vendosjen e gurthemelit të sallës së re sportive "Xhekson", ndërsa më pas do të inspektojë ndërtimin e bulevardit të ri "Ilinden". Kryeministrit Mickoski në Shtip më vonë do t'i bashkohet edhe ministri i Shëndetësisë Arben Taravari, me të cilin do të bëjnë kontroll në spitalin e Shtipit.

Shkup - Kryetari i sapozgjedhur i Qeverisë, Hristijan Mickoski sot zyrtarisht do të fillojë mandatin e tij. Në qeveri është parashikuar pranim-dorëzim të detyrës së kryeministrit nga kryetari i deritanishëm i qeverisë teknike, Talat Xhaferi, pas së cilës të dytë do të kenë një takim të shkurtër. Ceremoni për pranim-dorëzimin e funksioneve do të mbahen edhe në ministri ndërmjet ministrave të Qeverisë teknike dhe ministrave të sapozgjedhur. Kuvendi pas një debati dyditor mbrëmë e zgjodhi Qeverinë e re me 77 vota “pro” dhe 22 vota “kundër”. Koalicionin qeveritar e përbëjnë VMRO-DPMNE, partitë nga koalicioni VLEN dhe ZNAM. Kundër Qeverisë votuan deputetët nga LSDM dhe E Majta, ndërsa Fronti evropian e braktisi mbledhjen pak para përfundimit të saj. 

Shkup - Largimi nga seanca për zgjedhje të qeverisë është në shenjë revolte për shkak të shkurtimit të listës së të regjistruarve për diskutim, deklaroi në konferencë për shtyp në Kuvend deeputeti nga koalicioni i Frontit Evropian, Zijadin Sela duke e shpjeguar vendimin për tu larguar nga seanca dhe për të mos marrë pjesë në votimin për qeverinë e re.

Shkup - Si pasojë e motit të ligë i cili dje pasdite e kaploi Rajonin e Pollogut i shoqëruar me erë të fuqishme dhe breshër, në numrin e telefonit të Qendrës për Menaxhim me Kriza (112) kanë mbërritur një numër i madh i denoncimeve për hapësira të vërshuara, rrëshqitje të dheut, nënkalime dhe rrugë të vërshuara, ndërprerje të energjisë elektrike, dru të rënë, etj. Siç bënë të ditur nga QMK, ekipe të NPK Tetovë dhe NJTZ Tetovë mbrëmë intensivisht punuan në normalizimin e situatës, ndërsa të gjitha akset rrugore janë të kalueshme.

Shkup - Moti do të jetë me diell dhe shumë i nxehtë me vranësira të vogla deri mesatare. Pasdite do të ketë paraqitje lokale të shiut të rrëmbyeshëm dhe bubullimave, kryesisht në pjesët perëndimore të vendit do të ketë edhe në disa vende shi më afatgjat me erë të fuqishme dhe bubullima. Temperatura minimale do të jetë në interval prej 13 deri 21, ndërsa ajo maksimale do të lëvizë prej 30 deri 38 gradë. UV=8. Në Shkup mot me diell dhe shumë i nxehtë me vranësira të vogla deri mesatare. Pasdite në disa pjesë të luginave është e mundur paraqitje e shiut të rrëmbyeshëm, bubullimave dhe erës së fuqishme. Temperatura minimale do të bie deri në 18, ndërsa ajo maksimale do të arrijë deri 36 gradë.

Bruksel - Komisari evropian për Zgjerim dhe Politikë të Fqinjësisë, Oliver Varheji i dërgoi urime kryeministrit Hristian Mickoski dhe Qeverisë me rastin e zgjedhjes së tyre.  "Urime kryeministrit Mickoski dhe anëtarëve të Qeverisë së re! Me padurim pres të punojmë shpejtë me Ju që ta avancojmë rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut", bëri të ditur Varheji në urimin e publikuar në IKS

Bruksel - Shefat e diplomacive të vendeve të Ballkanit Perëndimor sot në Luksemburg do të marrin pjesë në mbledhjen e Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së (FAK), në pjesën në të cilën do të bisedohet për situatën në rajon, informon korrespondenti i MIA-s nga Brukseli. Siç bëri të ditur presidenca belge me BE-në, në pjesën e mbledhjes së GAK kushtuar Ballkanit Perëndimor, ministrat e punëve të jashtme të vendeve anëtare të Unionit do të shkëmbejnë mendime me homologët e tyre nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Kosova, Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi dhe Serbia. Përveç për Ballkanin Perëndimor, Këshilli i Punëve të Jashtme do të debatojë edhe për agresionin rus ndaj Ukrainës, situatën në Lindjen e Afërt, ngjarjet në Gjeorgji dhe për bashkëpunimin me vendet nga Rajoni i Liqeneve të Mëdha në Afrikë.

Jerusalem – Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu, dje deklaroi se luftimet intensive kundër Hamasit në Rafah së shpejti do të përfundojnë. "Faza intensive e luftës kundër Hamasit do të përfundojë së shpejti. Kjo nuk do të thotë se lufta do të përfundojë shpejt. Pas përfundimit të fazës intensive, ne do të mund të vendosim disa forca në veri dhe do ta bëjmë këtë, kryesisht për qëllime mbrojtëse, por edhe për t'i kthyer banorët e zhvendosur në shtepitë e tyre", tha Netanjahu. Ai shtoi se nuk do të pranojë asnjë marrëveshje “të pjesshme”.

Sanë - Kryengritësit jemenë Huthët mbrëmë kumtuan se kanë sulmuar dy anije në Detin e Kuq dhe Oqeanin Indian. Një anije në Detin e Kuq u sulmua nga një varkë pa ekuipazh, ndërsa anija në Oqeanin Indian u sulmua me disa raketa. Zëdhënësi i Huthëve, Jahija Sari deklaroi se anijet e sulmuara kanë qenë pronë e kompanive "të cilat e kanë shkelur ndalesën për hyrje në portet e Palestinës së okupuar". Por, ai nuk saktësoi se kur janë kryer sulmet.

Uashington- Sulmet izraelite në Liban mund ta rrisin rrezikun nga krijimi i një konflikti më të gjerë, në të cilin do të përfshiheshin Irani dhe grupet militante të cilat kanë mbështetje nga Teherani, veçanërisht nëse nën kërcënim vendoset ekzistenca e Hezbollahut, deklaroi mbrëmë shefi i Shtatmadhorisë së Bashkuar të Forcave Ushtarake të SHBA-së, gjeneral Çarlls Braun. Braun nuk dha parashikime për veprime të mëtutjeshme të Izraelit dhe e theksoi të drejtën e tij për vetmbrojtje, por paralajmëroi se sulmi ndaj Libanit "mund ta rrisë potencialin për konflikt shumë më të gjerë".

Dyseldorf  - Seleksionuesi i kombëtares shqiptare në futboll, Silvinjo foli për atë se çka e pret në ndeshjen e ardhshme me Spanjën në xhiron e tretë nga faza e grupeve të EURO2024. Ai tha se është mirë i informuar për shumë lojtarë që luajnë për Spanjën. "Ekip i shkëlqyer me trajner të shkëlqyer dhe asnjëherë nuk do ta harroj këtë ditë. Të përballem me Spanjën dhe të kesh mundësi të përparosh, është gjë e shkëlqyeshme", deklaroi Silvinjo për faqen zyrtare të UEFA-s. Ai shtoi se kohë të gjatë jeton në Spanjë me familjen e tij. Ndeshja do të luhet sonte në ora 21 në Dyseldorf.

Shtutgart - Seleksionuesi i kombëtares hungareze Marko Rosi foli për gjendjen e sulmuesit Barnabas Varga pas ndeshjes kundër Skocisë, të cilën hungarezët e fituan me rezultatin 1:0. "Gjendja e tij është stabile. Ai është nën mbikëqyrje në spital. E dimë se ka frakturë. Nuk dimë nëse ka nevojë të operohet, por sigurisht nuk mund më të luajë më në evropian. Por, më me rëndësi është se gjithçka është në rregull me të", deklaroi Rosi pas ndeshjes së mbrëmshme. Sulmuesi 29-vjeçar e humbi vetëdijen pasi u përplas me portierin e Skocisë, Angus Gan. Pas ndihmës mjekësore, lojtari me ndihmën e barelave u largua nga fusha.

QËNDRONI TË LIDHUR