• e mërkurë, 03 korrik 2024
MIA Flesh

09:00/3 korrik/2024

Shkup - Ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska sot në Shkup do të mbajë fjalim në ngjarjen vjetore "Bisedime për barazi" të Komisionit Shtetëror për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi (KSHPMD). Në fokus të ngjarjes, siç bëjnë të ditur organizatorët, do të jetë edukimi gjithëpërfshirës.

Shkup - Konventa Nacionale për Bashkimin Evropian në Maqedoninë e Veriut (KNBE-MK) sot do ta mbajë sesionin e 14-të nga Grupi punues 3 (Kapitulli 23) - "Drejtësia dhe të drejtat themelore" me temën "Ndryshimet e Kodit Penal nga 7 shtatori i vitit 2023: Legjislativa e Maqedonisë dhe Evropës në parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit". Siç kumtuan nga KNBE-MK, fjalë hyrëse do të mbajnë prof. Mileva Gjurovska, koordinatore nacionale e KNBE-MK dhe kryetare e Lëvizjes Evropiane në Maqedoninë e Veriut dhe bashkëkryesuesi Muhamed Halili nga Këshilli i ambasadorëve.

Shkup - Konferenca me temën "Progresi në zbatimin e rekomandimeve të Misionit vlerësues të BE-së nga Këshilli Gjyqësor i Republikës së Maqedonisë së Veriut" do të mbahet sot në Shkup. Konferenca është nën organizim të Këshillit Gjyqësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut. 

Shkup - Pesëmbëdhjetë sanksione për drejtim të shpejtë të automjetit janë shqiptuar dje në territorin e kryeqytetit të shtetit, njoftoi sot Ministria e Punëve të Brendshme. Gjithsej janë shqiptuar 146 masa ku katër për mospërdorimin e rripit të sigurimit, tre për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të automjetit dhe po kaq për kalim në semafor të kuq. Janë sanksionuar edhe pesë shoferë të cilët kanë drejtuar automjete të paregjistruara.

Shkup - Në vendkalimin kufitar Tabanoc për hyrje në vend sot  në mëngjes ka frekuentim të rritur të automjeteve dhe koha e pritjes është rreth 20 minuta, informon Lidhja Auto Moto e Maqedonisë. Në vendkalimet e tjera kufitare nga ana e vendit tonë nuk ka pritje më të gjata për hyrje dhe dalje nga vendi.

Shkup - Moti sot do të jetë me vranësira të ndryshueshme dhe më freskët me shi të rrëmbyeshëm lokal dhe bubullima, veçanërisht në pjesët perëndimore dhe lindore. Përgjatë Vardarit do të fryjë erë veriore e përforcuar me shpejtësi mbi 60 kilometra në orë, njoftoi Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike. Temperatura minimale do të jetë në interval prej 13 deri në 20 gradë, ndërsa maksimalja do të arrijë prej 24 deri në 32 gradë. UV=7.

Ohër - Në plazhin Saraishte në Ohër si paraprogram nga sot deri të dielën do të shfaqen filmat për të gjitha moshat, në kuadër të edicionit të shtatë të "Beach Film Festival". Projeksionet janë të hapura dhe falas për të gjithë vizitorët. Festivali do të mbahet nga 17 deri 21 korrik të këtij viti dhe do të ofrojë program me projeksione filmike me performancë muzikore në katër lokacione në Ohër, edhe atë në plazhin Sllavija dhe Saraishte, Brod Armada dhe Qendra Kulturore e Rinore. 

Beograd - I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, Mirosllav Lajçak dje kumtoi se në takimin trepalësh të delegacioneve të Beogradit të udhëhequr nga drejtori i Zyres për Kosovë, Petar Petkoviq, dhe të Prishtinës, të udhëhequr nga Besnik Bislimi dhe delegacionit të BE-së u bisedua për një numër të madh temash dhe se palët arritën marrëveshje për "shumë hapa të ardhshëm", lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Beogradi.

Nur Shams - Të paktën katër persona humbën jetën dje në një sulm izraelit në kampin e refugjatëve Nur Shams, në Bregun Perëndimor, njoftoi mbrëmë Ministria palestineze e Shëndetësisë. Armata izraelite njoftoi në një deklaratë se "është kryer një sulm ajror në një qelizë terroriste në Nur Shams derisa ata po vendosnin një mjet shpërthyes".

Sent Xhorxh - Së paku gjashtë persona e humbën jetën, ndërsa pesë konsiderohen të zhdukur pasi që uragani Beril e goditi pjesën juglindore të Karaibeve dhe filloi të lëvizë drejt Xhamajkës. Tre persona e humbën jetën në Grenadë, një në Sent Vinsent dhe Grenadini, përderisa dy persona e humbën jetën në Venezuelën veriore, ku pesë persona konsiderohen të zhdukur, kumtuan personat zyrtarë. Në fuqi është paralajmërimi për uragan për Xhamajkën, si dhe Ishujt e Kajmanit - Grand Kajman, Kajmani i Vogël dhe Kajman Braç.

Nju Delhi- Në stampedo në ngjarjen fetare hindu në Indinë Veriore jetën e kanë humbur 121 persona, ndërsa 28 janë lënduar, njoftuan mediat indiane, ndërsa sipas raportit policor, në ngjarje morën pjesë disa herë më shumë se sa lejohej. "Mes viktimave ka 108 gra dhe shtatë fëmijë," deklaroi për gazetarët Manoj Kumar Sing, sekretari kryesor i shtetit Utar Pradesh.

Nju-Jork - Nëse Donald Trampi fiton zgjedhjet presidenciale, Melania Tramp mund të mos jetë me kohë të plotë në detyrën e Zonjës së Parë, njoftoi Indipendent. Sipas burimit, ish-modelja sllovene arriti një marrëveshje me Trampin që nëse ai kthehet në Shtëpinë e Bardhë në nëntor, ajo "nuk do të jetë në detyrë si Zonja e Parë 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë".  Ajo beson se mund të jetë "nënë dhe zonjë e parë në të njëjtën kohë".

Uashington - Shtëpia e Bardhë kumtoi se nuk është i nevojshëm asnjë test kognitiv për presidentin amerikan Xho Bajden, duke thënë se ai ende mund të jetë kandidat për rizgjedhje në këtë detyrë. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karin Zhan Pjer, në konferencën për shtyp tha se absolutisht nuk ka asgjë të fshehur për shëndetin e Bajdenit", publikoi Si-En-En. Zhan Pjer, megjithatë, e pranon se Bajdeni "nuk kaloi një natë të mirë" gjatë debatit televiziv me kandidatin presidencial republikan Donald Tramp.

Bamako - Një grup i paidentifikuar burrash të armatosur kanë vrarë rreth 40 njerëz në një sulm në një fshat në qendër të Malit, nën kontrollin e rebelëve, thanë autoritetet lokale. Sulmi ndodhi në fshatin Xhigibombo në rajonin Mopti, një nga disa zona në Malin verior dhe qendror ku grupet xhihadiste të lidhura me Al-Kaedën dhe Shtetin Islamik kanë qenë aktive për më shumë se një dekadë. "Ishte një sulm shumë i rëndë, burra të armatosur rrethuan fshatin dhe qëlluan njerëzit", tha kryetari i bashkisë së Bankasa Mulave Guindo në një deklaratë telefonike.

Mançester - Portieri i Mançester siti, Ederson mund ta braktisë ekipin në afatin kalimtar të verës, transmeton insajderi Fabricio Romano. Sipas Romanos, për shërbimet e brazilianit 30-vjeçar janë të interesuara ekipe nga Arabia Saudite. Në të njejtën kohë, "qytetarët" nuk do ta mbajnë portierin nëse ai dëshiron të largohet.

QËNDRONI TË LIDHUR