• e martë, 02 korrik 2024
MIA Flesh

09:00/2 korrik/2024

Shkup - Kryetari i Odës Ekonomike, Branko Azeski sot do të mbajë takim pune me anëtarët e Shoqatës për Ndërtimtari, Industri të Materialeve Ndërtimore dhe Jometaleve, me temën "Situata në ndërtimtari". Në takim, siç informojnë nga Oda, do të shkëmbehen informata për aktivitetet e deritanishme të ndërmarra në suaza të shoqatës dhe detajisht do të shqyrtohet situata në ndërtimtari, me fokus të sfidave kyçe, problemet dhe mundësitë që e definojnë këtë sektor aktualisht. Plotësisht, do të diskutohet edhe për hapat e ardhshëm dhe strategjitë që nevojiten për zhvillim të mëtejshëm dhe përmirësim të ndërtimtarisë, me qëllim që të krijohen kushte të volitshme për rritje dhe përparim të kësaj industrie të rëndësishme.  

Shkup - Gjithsej 109 sanksione janë shqiptuar nga ana e nëpunësve policor gjatë kontrollit të djeshëm në territorin e qytetit të Shkupit. "Në territorin e qytetit të Shkupit janë shqiptuar 109 masa, ndër të cilat për vozitje pa patentë shoferi 14 sanksione, katër masa për përdorimin e celularit gjatë vozitjes, 28 sanksione për kundërvajtje që u kushtojnë drejtuesve të motoçikletave, katër masa për mospërdorimin e rripit të sigurisë", informojnë nga MPB. 

Shkup - Në vendkalimin kufitar "Bogorodicë" është vërejtur frekuencë e shtuar e automjeteve, koha e pritjes për dalje nga vendi është rreth 40 minuta. Në VK "Tabanoc" ka frekuencë të madhe të automjeteve për hyrje në shtet, koha e pritjes është rreth 30 minuta. Në vendkalimet e tjera kufitare nga ana e Maqedonisë së Veriu, nuk ka pritje më të gjata për hyrje dhe dalje nga shteti. 

Shkup - Moti sot do të jetë me vranësira të ndryshueshme, në orët e hershme të mëngjesit me kushte për paraqitje të izoluar të shiut të rrëmbyeshëm, bubullima dhe erë të përforcuar. Gjatë ditës në disa vende do të jetë jostabil me shi të rrëmbyeshëm dhe bubullima, lokalisht në formë të stuhisë me shi të rrëmbyeshëm intensiv, erë të fortë prej mbi 70 kilometra në orë dhe breshër. Temperatura minimale do të jetë në interval prej 14 deri në 23 gradë, ndërsa maksimalja do të arrijë nga 27 deri në 35 gradë Celsius. Indeksi UV do të arrijë 7.

Beograd - Sllovenia, Kroacia dhe Serbia mbrëmë u përfshin nga një stuhi, me shi, bubullima dhe breshër, e cila shkaktoi dëme materiale. Slloveninë e përfshiu një stuhi e fortë me reshje të rrëmbyeshme shiu, erë dhe breshër, ndërsa më së shumti dëme ka në Dolenjska, ku breshëri i dendur shkatërroi të mbjellat, ndërsa era e fortë dëmtoi kulmet e shtëpive. Për shkak të stuhisë, Agjencia për Mjedis Jetësor (Arso) lëshoi një paralajmërim portokalli për të gjithë vendin, lajmëroi televizioni slloven.

Kiev - Kryeministri hungarez Viktor Orban sot mbërriti për vizitë në Kiev, vizita e tij e parë nga fillimi i luftës në Ukrainë, ku do të takohet me presidentin ukrainas Vollodimir Zelenski. Vizita e Orbanit vijoi një ditë pasi Hungaria e ndërmori kryesimin e BE-së. Orban do të takohet me Zelenskin dhe përfaqësues tjerë të lartë në Kiev vetëm disa ditë pasi të dy diskutuan në samitin e BE-së në Bruksel.

Gazë - Armata izraelite i urdhëroi palestinezët të cilët jetojnë në zonat lindore të Kan Junis, qyteti i dytë më i madh në Gazë, menjëherë të evakuuohen dhe ka kryer sulme në zonë, në të cilën sipas autoriteteve të Hamasit, ka pasur viktima. Izraeli ka filluar sulmet e reja në pjesën jugore të Gazës, duke bërë që qindra palestinezë të largohen, pasi armata  urdhëroi evakuimin e zonave të caktuara me popullsi të dendur, raporton "Tajms of Izrael".

Teheran - Gjenerali i lartë brigadier iranian, Amir Ali Haxhizade, komandant i forcave ajrore të Gardës revolucionare, e kërcënoi armikun e Teheranit, Izraelin me sulm të ri masiv raketor, lajmëroi DPA. Sipas mediumeve shtetërore, ai e dha deklaratën e fuqishme dje në një ngjarje në Teheran. Para disa muajve, Irani dhe Izraeli ishin në skaj të luftës së madhe rajonale. Më 13 prill të këtij viti, Garda revolucionare nisi qindra fluturake pa pilot dhe raketa ndaj Izraelit, përkujton DPA.

Buenos Aires - Qeveria argjentinase dje edhe zyrtarisht e bëri të ditur mbylljen e agjencisë shtetërore të lajmeve Telam, që fillimisht e paralajmëroi në mars, duke e shndërruar atë në një agjenci shtetërore për reklamim dhe propagandë, raportojnë mediat franceze. Agjencia, e themeluar në vitin 1945, "do të ndalojë së funksionuari siç ka funksionuar që nga themelimi i tij në aktivitetet e ofrimit të shërbimeve gazetareske dhe si agjenci informative”, thuhet në njoftimin zyrtar të publikuar dje.

Butembo - Dy të punësuar në agjencinë humanitare britanike "Tearfund" e humbën jetën në sulmin ndaj autokolonës së tyre që udhëtonte përmes provincës Kivu verior, në pjesën lindore të RD të Kongos, lajmëroi agjencia pa dhënë hollësi të tjera. Autokolona u sulmua pas arritjes në qytetin Butembo. Provinca Kivu verior është e pasur me resurse natyrore, për ç'shkak shumë grupe të armatosura luftojnë për kontroll mbi rajonin.

Phenian - Koreja Veriore ka testuar një raketë të re balistike taktike të aftë për të mbajtur një super kokë mbushje të madhe, njoftuan mediat shtetërore të Koresë Veriore. Koreja e Veriut me sukses e ka lëshuar raketën "Hvasong-11DA-4,5" të aftë për të mbajtur një kokë mbushje super të madhe prej 4.5 tonë, njoftoi agjencia koreano-verior KCNA, cituar nga Jonhap i Koresë së Jugut. Agjencia thekson se gjuajtja testuese u krye me raketë me një kokë mbushje të rëndë të simuluar për të verifikuar stabilitetin e fluturimit dhe saktësinë e goditjes në një rreze maksimale prej 500 kilometra dhe një rreze minimale prej 90 kilometra.

Panama - Presidenti panamez, Hoze Raul Mulino në fjalimin e tij të inaugurimit premtoi se tashmë nuk do të lejojë vendi i tij të shërbejë si shtet "tranzitor" për emigrantët nëpër xhunglën Darin. "Nuk mund të vazhdojmë t'i financojmë shpenzimet ekonomike për emigracionin ilegal. Panamaja tashmë nuk do të jetë vend trnazitor për emigrantët ilegal", tha ai, duke menduar për kalimin e emigrantëve nga Amerika Jugore në SHBA përmes xhunglës së rrezikshme Darin, rutë e cila kalon nëpër Amerikën Qendrore dhe Meksikën. Në vitin 2023 nëpër të kaluan gjysmë milioni njerëz.

Karakas - Presidenti venezuelas, Nikollas Maduro deklaroi se e ka pranuar propozimin për vazhdim të negociatave të drejtpërdrejta me SHBA-në. "Të mërkurën e ardhshme do t'i ripërtërij biseidmet me qeverinë amerikane. Pasi që mendova, pranova dhe javën e ardhshme sërish do të fillojnë bisedimet në mënyrë që të respektohen marrëveshjet e nënshkruara në Katar dhe të kthehen kushtet për dialog me respekt", tha Maduro në një emision televiziv.

Uashington - Sekretari shtetëror amerikan, Entoni Blinken paralajmëroi se mund të shpërthejë luftë në Liban, edhe pse asnjëra palë nuk e dëshiron këtë. Në një intervistë për Institutin Brukings në Uashington, Blinken tha se Izraeli "në mënyrë efektive e ka humbur sovranitetin mbi kuadrantin verior të shtetit të tij sepse njerëzit nuk ndjehen të sigurt dhe nuk kthehen në shtëpitë e tyre".

Uashington - Presidenti amerikan Xho Bajden, pas vendimit të Gjykatës Supreme amerikane me të cilin Donald Trampit dhe presidentëve tjerë u dha imunitet të gjerë nga ndjekja penale, tha se vendimi minon sundimin e ligjit. Vendimi gjyqësor e bën pothuajse të sigurt se Trampi nuk do të përballet me gjykim në Uashington para zgjedhjeve të nëntorit, në të cilat ai është kandidati presidencial republikan, për procedurat e tij gjatë trazirave të dhunshme më 6 janar të vitit 2021, citon Zëri i Amerikës.

Frankfurt - Kapiteni i Kombëtares së Portugalisë, Kristiano Ronaldo në rrjetet sociale ka reaguar për progresin e ekipit në çerekfinale të Euro 2024. Portugezët mbrëmë e mposhtën Slloveninë me penallti 3:0 në  1/8. "Momente të pashpjegueshme. Le të japim maksimumin! Faleminderit - ka shkruar Ronaldo.

Londër - Ish-lojtari mbrojtës i Çellsit dhe Anglisë, Xhon Teri, e kritikoi Bi-Bi-Si-në për përdorimin e nofkës ofenduese për sulmuesin e Portugalisë, Kristiano Ronaldo. Pasi që Ronaldo e humbi penalltinë në minutën e 105-të në ndeshjen me Slloveninë (0:0, 3:0 në penallti), në ekrane u paraqit grafika "Mistiano Penaldo". "Bi-Bi-Si është turp", shkroi Teri në rrjetet sociale.

Boston - Basketbollisti i Boston seltiks, Derik Uajt do ta vazhdojë kontratën me klubin, kumtoi insajderi i "ESPN", Adrian Vojnarovski. Kontrata e re do të jetë për 4 vite dhe 125,9 milionë dollarë. Amerikani 29-vjeçar sezonin e kaluar pati mesatare prej 15,2 pikëve, 4,2 kërcime dhe 5,2 asistime në 73 ndeshje.

 

QËNDRONI TË LIDHUR