• e hënë, 23 dhjetor 2024

MIA Flesh

MIA Flesh

15:00/ 30 qershor/ 2024

Shkup - Nuk ka negociata të reja as për Prespën, as me Bullgarinë për BE. Ato marrëveshje tashmë janë bërë, nuk ka negociata të reja për progres drejt BE-së, thotë ambasadorja amerikane Anxhela Ageler. Ageler, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, thotë se qytetarët nga Qeveria e re duhet të kërkojnë transparencë dhe përballje me korrupsionin, duke theksuar se gjithnjë ekziston rrezik nga hyrja e një kapitali gërryes dhe se pushteti duhet të përgjigjet në të gjitha pyetjet. 

Shkup – Nga tre pilotët në dispozicion të Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Shpëtimit (DMSH), këtë vit kishte mbetur vetëm një, pasi dy plotësuan kushtet për pension pleqërie. Departamenti i aviacionit i Drejtorisë është ende jofunksional pavarësisht paralajmërimeve nga Drejtori i DMSH-së Bekim Maksuti se "një sfidë plotësuese këtë verë do të jetë ballafaqimi me zjarret e pyjeve". Duke folur për MIA-n, Maksuti shprehet se në mënyrë që dy pilotët e trajnuar të kthehen, DMSH kërkoi nga Ministria e Financave pagë prej 300.000 denarësh. Sipas tij, vendi i punës së pilotit në DMSH me pagë prej 72.000 denarë është joatraktive dhe për këtë arsye thekson se është e nevojshme të shlyhen pagat në nivel shtetëror.

Shkup  - LSDM-ja sot në zgjedhjet e jashtëzakonshme brenda partisë do të zgjedhë lider të ri të partisë. Votimi do të mbahet në 77 qendra votimi, ndërsa të drejtë vote kanë rreth 23 mijë anëtarë të partisë. Në garën për lider të ri të LSDM-së janë ish ministri i Shëndetësisë dhe deputeti aktual Venko Filipçe, drejtori i ZZHTI-së Jovan Despotovski, si dhe ish zëvendësministri i MSHIA-së Aleksandar Bajdevski, pasi ish ministrja e Mbrojtjes dhe deputetja aktuale Sllavjanka Petrovska, dje, një ditë para zgjedhjeve e tërhoqi kandidaturën.

Shkup - Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, me ftesë të ministrit të Punëve të Jashtme të Kroacisë, Gordan Gërlliç Radman, mori pjesë në Forumin e Dubrovnikut, ku foli në sesionin e veçantë "Hapja e potencialit të reformave të Ballkanit Perëndimor", me çka foli për perspektivat për anëtarësim të vendit në Bashkimin Evropian.  Në fjalimin e tij Mucunksi, siç informojnë nga kabineti i tij, theksoi se edhe pse vendi është dëshmitar i "bilateralizimit" të procesit eurointegrues, ndërsa më pari edhe i anëtarësimit në NATO, si dhe aplikimi i shumëfishtë i standardeve të dyfishta nga ana e institucioneve të BE-së, megjithatë kombi ynë është komb pro-evropian, ndërsa shumica e popullit tonë e mbështet agjendën evropiane, sepse nuk ka rrugë më të mirë nga anëtarësimi i plotfuqishëm i vendit në BE.

Shkup - I gjithë procesi i votimit në zgjedhjet e brendshme partiake për kryetar të LSDM-së sipas informacioneve në mbarë vendin zhvillohet qetë dhe ka një frymë pozitive te të gjithë pjesëmarrësit në procesin e votimit, deklaroi kandidati për kryetar të ri të partisë Venko Filipçe, pas votimit në vendvotimin e tij në Komunën e Karposhit. Ish ministri i Shëndetësisë dhe deputet aktual nga radhët e LSDM-së, Filipçe, poashtu u ka bërë thirrje të gjithë anëtarëve të regjistruar të dalin dhe të votojnë në numër sa më të madh. Lidhur me dyshimet që këtyre ditëve dolën në opinion sa i takon legjitimitetit të procedurës, Filipçe thotë se kanë marrë njoftim nga Komisioni qendror i zgjedhjeve se ato dyshime janë të pabaza.

Shkup - Kandidati për lider të ri të LSDM-së, Jovan Despotovski sot pas votimit në Komunën e Karposhit deklaroi se pret që deri në fund të respektohet parimi i procesit zgjedhor demokratik, por theksoi se ka informacione për një numër të madh të anëtarëve të partisë që janë pamundësuar të votojnë. LSDM, siç tha ai, është parti politike që nuk duhet të lejojë në asnjë moment që anëtarët e saj t’i kthejë nga vendvotimet. "Sot është një ditë e madhe për LSDM-në. Sot ne zgjedhim kryetar të partisë. Është mirë që njerëzit dalin dhe votojnë. Unë pres që gjithë energjinë që arritëm ditëve të fundit ta mobilizojmë, energji për ndryshim, sot të ketë efekt, pra të ndodhë përmes votimit. Pres deri në fund të ditës të respektohet parimi i procesit zgjedhor demokratik dhe anëtarët e LSDM-së të zgjedhin një fillim të ri që duhet të fillojë nga nesër", tha Despotovski.

Shkup– LSDM ka qenë parti që dikur mburrej se kishte mbi 100.000 anëtarë, ndërsa tani shohim se mezi 20.000 anëtarë janë regjistruar për të votuar. Urojmë që të reformohen shpejt pas kësaj situate katastrofale në të cilën ndodhen, deklaroi zëdhënësja e VMRO-DPMNE-së Marija Miteva. E pyetur për qëndrim mbi zgjedhjet e sotme brenda LSDM-së, Miteva tha se do të thoshte vetëm se “edhe pas Zaevit vjen Zaevi”. E pyetur nëse është i arsyeshëm vendimi i qeverisë për shfuqizimin e Fakultetit të shërbimeve shëndetësore në Strugë, Miteva tha se duhet të vendoset rregull në kaosin që ekziston si në arsim njashtu edhe në shëndetësi.

Shkup - Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) njofton se prej të hënës do të fillojë me pagesën e kompensimeve në të holla në bazë të masës antikrizë për mbështetjen e familjeve të nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme. Siç bënë të ditur nga MASH, në ditën e parë të mandatit, ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska, i obligoi sektorët kompetent që të bëjnë pasqyrë tabelare të detajuar të detyrimeve financiare të parealizuara për çdo nxënës, familja e të cilit i plotëson kushtet dhe ka parashtruar kërkesë për realizimin e kësaj të drejte.  Në bazë të raportit të dorëzuar, është realizuar plan me dinamikë të pagesës e cila fillon që nesër.

Shkup - Nuk është e udhës nga ana jonë të komentojmë deklaratat e partnerit tonë strategjik me të cilin Maqedonia ndërton bashkëpunim në tri dekadat e fundit, por ajo që është kyçe është mesazhi i dërguar se me të vërtetë nevojiten negociata të rëndësishme ku do të përfitojnë të gjitha palët e përfshira, deklaroi zëdhënësja e VMRO-DPMNE-së, Marija Miteva e pyetur për qëndrimin e partisë në lidhje me intervistën e ambasadores amerikane Anxhela Ageler ku thotë se “nuk ka negociata të reja as për Prespën, as me Bullgarinë për BE-në”. Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve në selinë e VMRO-DPMNE-së, Miteva theksoi se Qeveria e VMRO-DPMNE-së që në fillim theksoi se cili do të jetë fokusi ynë - rritja e ekonomisë, investimet e reja dhe standardi më i mirë i jetesës për qytetarët.

Shkup - Kryeministri Hristian Mickoski sot shpalli një nismë të re për zhvillimin e komunave në vend përmes sigurimit të 250 milionë eurove nga Buxheti për zhvillim dhe projekte kapitale. Siç bënë të ditur nga Qeveria, ky plan është pjesë e përpjekjeve për përmirësimin e infrastrukturës dhe cilësisë së jetës së qytetarëve.  Në takimin e punës me ministren e Financave, Gordana Dimitrievska Koçovska dhe ministrin e Vetqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski, ishte konfirmuar mënyra në të cilën do të shpërndahen mjetet për komunat. Sipas paralajmërimeve, pas rishikimit dhe vendimit të Qeverisë në fund të muajit të ardhshëm, Ministria e Vetqeverisjes Lokale do të shpallë thirrje në të gjitha komunat që të aplikojnë për këto mjete. 

Shkup - Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK) informon se gjatë 24 orëve të fundit ka pasur gjithsej dhjetë zjarre në vende të hapura dhe disa intervenime më të vogla. Një ende është aktiv, në Komunën Vasilevë, në fshatin Dobrashincë, ku po digjet bimësi e ulët, pyje dhe shkurre të ulëta. Zjarret e shuara plotësisht janë nëntë zjarre në vende të hapura në komunat: Gazi Babë ka pasur dy zjarre, në fshatin Jurumleri, në Karposh në fshatin Zllakuçan, në Kavadar ka pasur tre zjarre, në fshatin Vatashë, në Manastir në shkollën "Todor Angellevski", në Ohër në vendin "Maucker" dhe në Komunën e Kumanovës në fshatin Llopatë.

Shkup - Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa ndërprerje, nëpër rrugë të thata.  Intensiteti i trafikut në akset rrugore jashtë mjediseve urbane është rritur. Në vendkalimet kufitare nga ana e Maqedonisë së Veriut, nuk ka pritje më të gjata për hyrje dhe dalje nga shteti.

Shkup - Nën ndikimin e masës ajrore të lagështisë dhe paqëndrueshmërisë gjatë natës drejt së martës dhe të martën në disa vende moti do të jetë i paqëndrueshëm me shi të rrëmbyeshëm dhe bubullima, lokalisht në formë të stuhisë me shi të rrëmbyeshëm intensiv, erë të fuqishme dhe breshër, paralajmërojnë nga Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike.  Pastaj të mërkurën dhe të enjten do të mbizotërojë mot i ndryshueshëm me vranësira dhe më i freskët me shi të kohëpaskohshëm të rrëmbyeshëm dhe bubullima dhe do të fryjë erë mesatare veriore.  Në Shkup, gjatë natës drejt të martës dhe të martën moti do të jetë i paqëndrueshëm me shi të rrëmbyeshëm dhe bubullima, ndërsa në disa pjesë të luginave do të ketë paraqitje të stuhisë me shi të rrëmbyeshëm intensiv, bubullima, erë të fuqishme dhe paraqitje lokale të breshrit. Shi të rrëmbyeshëm me bubullima do të ketë edhe të mërkurën dhe të enjten. 

Tiranë - Në Shqipëri nuk ndalojnë reagimet rreth rezultateve të regjistrimit, veçanërisht sa i përket numrit të popullsisë dhe përkatësisë etnike.  Lideri i Partisë Demokratike (PD) Sali Berisha, i cili pas vendimit të gjykatës që t'i kthehet e drejta e vulës dhe llogos, përsëri është në krye të partisë më të madhe opozitare, e akuzoi kryeministrin aktual Edi Rama se gjatë qeverisjes së tij nga vendi përzuri 40 për qind të popullsisë dhe se numri i treguar prej diç më shumë se 2,4 milionë banorëve është manipulim i pastër. "Këtë e them sepse këto ditë përballen shifrat e vërteta të statistikave të Institutit të Statistikave të BE, statistikave të SHBA dhe Britanisë, me statistikat e Edi Ramës, të mashtrimit, të trillimeve dhe përpjekjeve monstruoze për të mbuluar gjenocidin që ai kreu me regjimin e tij ndaj shqiptarëve", tha Berisha.

Beograd - Ministri serb i Punëve të Brendshme Ivica Daçiq deklaroi se edhe sot vazhdon aksioni në mbarë Serbinë pas aktit të djeshëm terrorist, se sinagoga në Beograd ishte objektivi i parë i mundshëm i Zhujoviq, dhe se është bërë bastisje në disa lokacione, ndërsa dy persona janë në paraburgim, informon korrespondenti i MIA-s nga Beogradi. "Duhet të gjejmë lidhje të duhur shkak-pasojë midis aktiviteteve të vehabistëve dhe ngjarjes specifike. Për këtë arsye është bërë një aksion i gjerë i marrjes në pyetje dhe ndalimit dhe në dy raste është caktuar masa e paraburgimit. Për Igor Despotoviqin, i cili u arrestua në Beograd dhe Kemal Begoviq, i cili u ndalua gjatë bastisjes në Novi Pazar. Atij i është marrë jeleku me flamurin e të ashtuquajturit Shteti Islamik", tha Daçiqi për RTS.

Paris - Në Francë sot do të mbahet rrethi i parë i zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, të cilat ka mundësi për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore ta sjellin të djathtën ekstreme në pushtet, pas fitores bindëse të partisë Tubimi Nacional mbi aleancën e qendrës së presidentit Emanuel Makron në zgjedhjet për Parlamentin Evropian.  Më shumë se 49 milionë qytetarë kanë të drejtë vote dhe do të zgjedhin 577 deputetë për dhomën e poshtme të parlamentit francez. Rrethi i dytë është caktuar për më 7 korrik. Mediat i cilësuan këto zgjedhje si më të rëndësishmet në dy dekadat e fundit në vend.  Presidenti Emanuel Makron shpalli gjendje të jashtëzakonshme më 9 qershor, duke njoftuar për shpërbërje të Kuvendit, natën e njëjtë kur e djathta ekstreme shënon fitore të bindshme në zgjedhjet evropiane, të mbajtura ditën e njëjtë në Francë.

Bruksel- Avancimi i politikës së zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor, forcimi i mbrojtjes së përbashkët dhe përmirësimi i konkurrencës evropiane, janë tre prioritetet kryesore të presidencës së Hungarisë me Bashkimin Evropian në gjashtë muajt e ardhshëm që zyrtarisht fillon nesër, motoja e të cilit është “Ta bëjmë Evropën përsëri të madhe”. Siç informon përfaqësuesi i përhershëm i Hungarisë në BE, Balint Odor në një konferencë për shtyp në Bruksel ku prezantoi programin hungarez për presidencën me bllokun, Budapesti ka shtatë prioritete. Përveç zgjerimit, mbrojtjes dhe konkurrencës, ndër prioritetet e presidencës hungareze do të jetë forcimi i sigurisë së kufijve të jashtëm të BE-së, zbatimi i politikave kohezive, mbështetja e bujqësisë dhe zgjidhja e problemeve demografike të bllokut.

Londër - Zëvendëskryeministri britanik Oliver Dauden sot paralajmëroi për rrezik nga përzierja ruse në fushatën për zgjedhjet parlamentare në Britaninë e Madhe më 4 korrik, pasi një media australiane zbuloi një aktivitet të koordinuar të llojit të tillë në "Fejsbuk". "Gjatë të gjitha zgjedhjeve ekziston kërcënim, dhe me të vërtetë e shohim gjatë këtyre zgjedhjeve, nga pjesëmarrës armiqësorë të cilët po bëjnë përpjekje të ndikojnë në rezultatin" e votimit, deklaroi Oliver Dauden për televizionin "Skaj njuz". "Rusia është shembull për këtë dhe ky është shembull klasik i lojës ruse", shtoi ai, duke menduar në operacion në "nivel të ulët".

Uashington - Presidenti amerikan Xho Bajden sot në Kamp Dejvid do të bisedojë me familjen e tij për të ardhmen e fushatës së tij për rizgjedhje. Pas debatit që u emetua në Si-En-En të enjten, shumë demokratë shprehën shqetësim rreth aftësisë së tij që ta fitojë ish presidentin Donald Tramp, transmeton En-Bi-Si Njuz. Udhëtimi i Bajdenit ishte planifikuar para debatit të së enjtes. Ai dhe zonja e parë Xhill Bajden iu bashkëngjitën aty fëmijëve dhe nipërve të tyre. 

Abuxha - Të paktën 18 persona janë vrarë, ndërsa 30 janë lënduar gjatë sulmeve terroriste në shtetin nigerian verilindor Borno, njoftoi shërbimi lokal për raste urgjente. Prej para 15 viteve, Borno është i nënshtruar në sulme nga grupet islamike të cilët vranë mijëra banorë lokalë dhe detyruan miliona të tjerë që të largohen nga shtëpitë e tyre. Edhe pse armata nigeriane arriti ta kufizojë kapacitetin e luftëtarëve islamikë, ata ende kryejnë sulme vdekjeprurëse ndaj civilëve dhe sulmojnë pjesëtarë të forcave të sigurisë.

Kajro - Ndihmës sekretari i përgjithshëm i Ligës arabe, Hosam Zaki, njoftoi se Liga ndalon së cilësuari Hezbollahun si "organizatë terroriste", transmeton Anadollia. "Në vendimet e mëparshme të Ligës Arabe, Hezbollahu ishte cilësuar si organizatë terroriste dhe ai emërtim u pasqyrua në rezoluta, gjë që çoi në pezullimin e komunikimit bazuar në ato vendime. Shtetet anëtare të Ligës ranë dakord që emërtimi i Hezbollahut si organizatë terroriste të mos përdoret më", deklaroi mbrëmë Zaki për kanalin egjiptian "Al-Kahera Njuz" , një ditë pas vizitës së tij në Bejrut. Ai tha se "cilësimi i Hezbollahut si organizatë terroriste më nuk zbatohet", duke theksuar se "Liga arabe nuk mban lista të terroristëve dhe nuk kërkon të përcaktojë në mënyrë aktive subjektet në një mënyrë të tillë."

Marsej- Marsej edhe zyrtarisht ka njoftuar se për trajner kryesor të skuadrës është emëruar Roberto De Zerbi. Italiani 45-vjeçar ka nënshkruar kontratë trevjeçare me klubin francez. Marsej pak ditë më parë zbuloi se ka marrëveshje parimore me ekspertin dhe se tashmë të gjitha detajet e marrëveshjes janë zbardhur dhe nga dita e djeshme ai është trajneri i ri i skuadrës nga jugu i Francës. De Zerbi u largua nga Brajtoni në fund të sezonit të kaluar. Ai impresionoi me punën e tij në kampionatin anglez dhe hyri në terrenin e gjelbër me një numër të madh gjigantësh evropianë. Në fund asnjëri prej tyre nuk zgjodhi të vërë bast mbi të dhe përfundoi në Marsej.

QËNDRONI TË LIDHUR