• e martë, 02 korrik 2024
MIA Flesh

09:00/1 korrik/2024

Shkup  - Ministri për Çështje Evropiane Orhan Murtezani dhe shefi i Delegacionit të BE-së në vend, ambasadori Dejvid Gir, sot në ambientet e Ministrisë për Çështje Evropiane do të mbajnë takim protokollar. Pas takimit është paralajmëruar  konferencë e përbashkët për shtyp.

Shkup - Faturat e konsumatorëve të energjisë elektrike në tregun e rregulluar, pra të amvisërive dhe konsumatorëve të vegjël, nga sot deri në fund të vitit, për shumicën e konsumatorëve do të jenë më të larta për 0.4 për qind. Vendimin për rritjen minimale të çmimit të enjten e ka marrë Komisioni Rregullator për Energjetikë (KRRE).

Shkup - Kryeministri Hristijan Mickoski me ministrin e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë Fatmir Limani dhe kryetarin e Komunës së Butelit, Darko Kostovski, do të marrin pjesë në vendosjen e gurthemelit të çerdhes së re. Siç informon shërbimi për shtyp i qeverisë, kopshti i ri do të duhet të sigurojë kujdesin e mbi 200 fëmijëve, ndërsa investimi është mbi 100 milionë denarë.

Shkup - Oda Ekonomike e Maqedonisë së Veriut, me iniciativë të kryetarit të Odës Branko Azeski, sot në Shkup organizon piknik me titull "Shoqërim afarist me anëtaret më të suksesshme. Qëllimi, siç theksojnë nga Oda Ekonomike, është që përmes shoqërimit joformal dhe atmosferës së këndshme, të  shkëmbehen  përvoja, dilema, sfida me të cilat përballen kompanitë.

Shkup- Nga gjysmë ore pritet në vendkalimet kufitare “Tabanoc” për të hyrë në vend dhe në “Bogorodicë” për të dalë në Greqinë fqinje, njoftuan sot paradite nga Lidhja e Auto Moto e Maqedonisë. Në pikat e tjera kufitare, sipas informacioneve të LAMM-it, nuk ka më pritje më të gjata për hyrje dhe dalje nga vendi.

Ohër - Sipas vendimeve të pushtetit lokal në Ohër nga sot hyn në fuqi ndalesa për kryerjen e aktiviteteve ndërtimore në zonën qendrore të qytetit gjatë sezonit turistik. Ndalesa do të jetë në fuqi deri më 31 gusht. "Ndalesa vlen për hapësirën jugore të bulevardit "Turistiçka" në pjesën nga "Biljanini izvori" deri te lumi Daljan dhe të lokaliteteve turistike nga kanali Studençishta deri në Shën Naum", informojnë nga komuna e Ohrit. Nga fundjava hyri në fuqi edhe regjimi veror i komunikacionit në pjesën e vjetër të qytetit, me kufizime kohore të lëvizjes së automjeteve.

Shkup - Moti sot në vend do të jetë me diell dhe shumë i nxehtë me erë të dobët deri në mesatare nga drejtimi jugperëndimor. Gjatë natës do të ketë stuhi lokale me reshje të rrëmbyeshme shiu, bubullima, erë të fortë dhe breshër. Temperatura minimale do të jetë në interval prej 12 deri në 21 gradë, ndërsa maksimalja do të arrijë nga 32 deri në 39 gradë. Indeksi UV do të jetë 9. Në Shkup mot me diell dhe shumë nxehtë, me erë të dobët deri në mesatare nga drejtimi jugperëndimor. Gjatë natës në pjesë të luginës do të ketë kushte për stuhi lokale me reshje të rrëmbyeshme, bubullima, erë të fortë dhe breshër. Temperatura minimale do të zbresë deri në 18 gradë, ndërsa ajo maksimale do të arrijë 37 gradë.

Bruksel - Hungaria e ndërmerr nga sot kryesimin me BE-në, ndërsa një nga shtatë prioritetet e Budapestit do të jetë një politikë e qëndrueshme dhe e bazuar në meritat e zgjerimit me mesazh se BE-ja nuk mund të jetë e plotë pa anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në bllok. Përveç zgjerimit, prioritetet e kryesimit hungarez do të jenë konkurrueshmëria, mbrojtja, migrimi i paligjshëm, zhvillimi rajonal, politika bujqësore dhe demografia, thuhet në faqen e internetit të Presidencës. "BE-ja ka kohë që është angazhuar në sigurimin e perspektivës evropiane për Ballkanin Perëndimor, sepse komuniteti nuk mund të jetë i plotë pa aderimin e këtij rajoni. Integrimi i rajonit sjell përfitime për Bashkimin Evropian në aspektin ekonomik, të sigurisë dhe gjeopolitik". Për zgjerimin dhe thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit, shtohet se partnerët do të ftohen në konsultime si në kuadër të Samitit BE-Ballkani Perëndimor ashtu edhe në kuadër të Komunitetit Politik Evropian.

Moskë - Në rajonet perëndimore  ruse të cila kufizohen me Ukrainën mbrëmë janë shkatërruar 36 dronë ukrainas, njoftoi Ministria ruse e Mbrojtjes. "Sistemet e mbrojtjes ajrore shkatërruan 18 dronë mbi rajonin Bërjans, nëntë dronë në rajonin Kursk dhe nëntë dronë mbi rajonin e Belgorodit", bëri të ditur  mëngjesin e sotëm Ministria. Nuk saktësohet nëse ka dëm apo të lënduar.

Jerusalem - Mijëra hebrenj ultra-ortodoksë në Izrael mbrëmë kanë protestuar kundër rekrutimit, njoftoi DPA. Protestat u nxitën nga një urdhër i fundit i Gjykatës së Lartë për të filluar rekrutimin e burrave ultra-ortodoksë.  Mediat lokale raportuan për përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe policisë në Jerusalem. Policia në kuaj dhe topa uji u përdorën për të shpërndarë protestuesit me kostume të zeza. Protestuesit qëlluan me gurë dhe sulmuan policë, që rezultoi në arrestimin e pesë personave.

Tel Aviv- Armata izraelite mbrëmë bëri të ditur se 18 ushtarë të saj janë plagosur në një sulm me dron të kryer nga milicia pro-iraniane "Hezbollah" nga Libani jugor mbi caqe në veri të Izraelit, transmeton DPA. Forcat Ajrore izraelite iu përgjigjën sulmit me dron duke sulmuar pozicionet e Hezbollahut në Libanin jugor. Që nga fillimi i luftës në Rripin e Gazës në tetor, Izraeli ka shkëmbyer zjarr çdo ditë me Hezbollahun në zonën kufitare me Libanin. Grupi radikal thotë se Izraeli duhet të përfundojë plotësisht luftën e tij në Gazë kundër aleatit të tij, lëvizjes islamike palestineze Hamas,  me qëllim që të ndalojë bombardimin e Izraelit.

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR