• e premte, 28 qershor 2024
MIA FLESH

12:00 / 28 qershor / 2024

Shkup - Qeveria sot në seancën e parë do të shqyrtojë informatën për pensionet më të larta. Është një projekt i premtuar nga qeveria e re para zgjedhjeve, me të cilin mbi 300 mijë pensionistë duhet të marrin pensione më të larta nga shtatori.

Shkup - Më së shumti shi në 24 orët e fundit ka rënë në Kumanovë - 17 litra për metër katror, ​​pastaj në Tetovë - 8, në Shkup-Petrovec dhe në Dibër - 5, në Demir Kapi - 3 në Kriva Pallankë, Ohër, Berovë, Strumicë dhe Krushevë, një litër për metër katror, ​​njoftojnë sot në mëngjes nga Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike.

Shkup - Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK) informoi mëngjesin e sotëm se ende po vijnë njoftime për makina të dëmtuara dhe ndërtesa të përmbytura nga stuhia e mbrëmshme. Në numrin e vetëm të emergjencës 112 në orën 03:22 është raportuar për rënien e një peme në tre automjete në rrugën "kryengritja e Razllovcit " nr. 16 në komunën e Karposhit, ndërsa mëngjesin e sotëm në orën 06.09 është raportuar edhe një paraqitje për veturë të dëmtuar në të njëjtën rrugë nr. 12.

Shkup - Ekipet e NP Higjiena Komunale - Shkup gjatë natës së kaluar realizuan
aksion për largimin e deponisë së egër të gjerë që ndodhet në bulevardin Nikolla Karev (rruga e Plastikave), në cep me rrugën Maksut Sadik, në  afërsi  direkte  të  Ambasadës së SHBA, njoftuan sot nga ndërmarrja.

Shkup - Tryezë e rrumbullakët dhe diskutim me temën "Forcimi i të drejtave të grave në punë dhe lufta kundër diskriminimit gjinor në sektorin privat” do të mbahet sot në Shtip, në organizim të Shoqatës për Mbrojtjen e të Drejtave të Punës "Puntori i zëshëm".

Sarajevë - Tre kufoma, të personave të paidentifikuar, janë gjetur pas zjarrit në një shtëpi familjare në Sarajevë, konfirmoi sot zëdhënësja e Prokurorisë së Kantonit të Sarajevës, Azra Bavçiq. Një zjarr ka shpërthyer mbrëmë në një shtëpi familjare në Sarajevë, pasi siç raportojnë mediat e Sarajevës, një shpërthim është dëgjuar dhe ka zgjatur për orë të tëra derisa është vënë nën kontroll.

Athinë - Kryeministri grek Kirjakos Micotakis gjatë mbledhjes së djeshme të Këshillit Evropian i informoi kolegët e tij për, siç tha, “faktin që edhe presidentja edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut e shkelin drejtpërdrejt Marrëveshjen e Prespës” dhe theksoi se është e nevojshme që të gjithë të kuptojnë se "respektimi i legjislacionit evropian padyshim kalon përmes respektimit me besnikëri të marrëveshjeve ndërkombëtare", njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Athinë – Greqia me siguri do të përpiqet për një portofol të fortë, i cili do të mundësojë që prezenca jonë të jetë edhe një herë e dukshme në nivel evropian, tha kryeministri grek Kirjakos Micotakis në konferencën për shtyp në Bruksel pas Samitit të Unionit, pa zbuluar se cilat portofole do të kërkojë vendi për postin e Komisionerit grek, duke shpjeguar se shpërndarja është nën autoritetin e kryetarit të Komisionit Europian dhe aktualisht prioriteti kryesor është rizgjedhja e Fon der Lajen, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Bruksel - Liderët e BE-së kanë vendosur ta ndalojnë Gjeorgjinë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian për shkak të ligjit të ri për organizatat joqeveritare (OJQ) që marrin mjete të huaja. Sipas ligjit, mediat e pavarura dhe organizatat e tjera të shoqërisë civile duhet të regjistrohen si "agjentë të huaj" dhe t'i dorëzojnë të dhënat shtetit nëse marrin më shumë se 20 për qind të financimit të tyre nga jashtë.

Lima - Një tërmet me magnitudë 7 ballë të shkallës Rihter ka goditur bregdetin jugor të Perusë në orën 05:36 sipas kohës së Evropës Qendrore, kumtoi Qendra Sizmologjike Evropiane-Mesdhetare (EMSC). Epiqendra e tërmetit u regjistrua 30 kilometra në jug-jugperëndim të Atikuipa, ndërsa ishte në një thellësi prej 60 kilometrash.

Atlanta - Presidenti amerikan Xho Bajden dhe rivali i tij republikan Donald Tramp shkëmbyen disa ofendime personale në debatin e shumëpritur, por u fitua përshtypja se paraqitja e Bajdenit në disa momente ishte hezituese dhe e pasigurt, përderisa Trampi filloi me një seri të sulmeve verbale. 

Atlanta - Zëvendëspresidentja e SHBA-së, Kamala Haris, pas debatit të parë të mbrëmshëm mes kandidatëve për president, Xho Bajden dhe Donald Tramp, deklaroi për Si-En-En se amerikanët duhet të fokusohen në atë që presidenti Xho Bajden ka arritur për vendin në mandatin e tij, ndërsa jo në paraqitjen e tij të mbrëmbshme.

Teheran - Në Iran sot janë hapur vendvotimet për zgjedhjet presidenciale, kumtoi ministri i Punëve të Brenshme në vend Ahmad Vahidi. Mediat britanike raportojnë se më herët lideri i lartë i Iranit, ajatollahu Ali Hamenei, u ka bërë thirrje votuesve që të dalin në kutitë e votimit në numër të madh sepse kjo është e nevojshme që të "fitohet armiku".

Moskë - Një sulm nga një dron ukrainas shkaktoi zjarr në një depo nafte në Rusi, disa qindra kilometra larg kufirit me Ukrainën, deklaroi sot në mëngjes guvernatori rajonal Kasim Jegrov, transmeton Beta. "Në rrethin Miçurinski të rajonit Tambov, janë regjistruar një fluturim me dron në një objekt magazinimi të naftës", tha guvernatori për Telegram.

Nju Delhi - Çatia e aeroportit ndërkombëtar "Indira Gandi" në kryeqytetin indian Nju Delhi u shemb të premten nën shiun e dendur dhe erërave. Një person ka humbur jetën, ndërsa fluturimet u anuluan, publikuan personat zyrtarë.

Uashington - Pas përfundimit të debatit të parë, të paralajmëruar si historik, mes dy kandidatëve presidencialë për zgjedhjet në SHBA, presidentit aktual, demokratit, Xho Bajden dhe kundërshtarit të tij, republikanit, Donald Tramp, nikoqiri i ngjarjes televizioni Si-En-En, realizoi anketën e cila tregoi se ish presidenti amerikan kishte paraqitje më të mirë.

Londër - Princesha e Uelsit, Ketrin (Kejt) Midlton viziton rregullisht turneun e tenisit në Uimbëlldon dhe merr pjesë në ndarjen e trofeve për fituesit. Uimbëlldon fillon më 1 korrik, ndërsa megjithëse Kejt është mbajtur larg syrit të publikut që nga diagnostikimi i saj me kancer, organizatorët e turneut shpresojnë se princesha do të vazhdojë traditën edhe këtë vit gjatë ndarjes së trofeve.

Shtugart - Një burrë 25-vjeçar është arrestuar pasi ka sulmuar me thikë tifozë në zonën e tifozëve në Shtutgart gjatë ndeshjes së Kampionatit Evropian të Futbollit ndërmjet Çekisë dhe Turqisë, informoi sot agjencia DPA. Tre persona janë plagosur në incidentin që ka ndodhur të mërkurën në mbrëmje derisa tifozët në ekran të madh në zonën e tifozëve e ndiqnin ndeshjen e fazës së grupeve mes Turqisë dhe Çekisë.

QËNDRONI TË LIDHUR