• e enjte, 27 qershor 2024
MIA FLESH

09:00 / 27 qeshor / 2024

Shkup - Komisioni Rregullator për Energjetikë sot në konferencë për shtyp pritet të shpallë çmimin e ri të energjisë elektrike për amvisëri dhe konsumatorë të vegjël, i cili do të jetë i vlefshëm nga 1 korriku. Kryetari i KRRE-së Marko Bislimoski dje deklaroi se nuk do të ketë goditje të çmimeve dhe se çmimi mesatar i energjisë elektrike për amvisëri nuk do të rritet për më shumë se një për qind.

Shkup - Në hapësirat e Bankës Popullore sot do të mbahet sesioni i 51-të i Klubit të hulumtuesve. Siç informojnë nga Banka Popullore, në sesion do të prezantohen punimet "Rritje ekonomike e nxitur nga integrimi: Rasti i integrimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian" nga Nikita Ristovski dhe "Politika monetare dhe kanalet e çmimeve të pasurive në kontekstin e rajonalizimit të bursave në vendet e ish Jugosllavisë" nga Stefan Tanevski.

Shkup - Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele (ASHMAA) sot do të mbajë takimin e dytë publik në të cilin do të prezantojë hulumtimin për arsimimin mediatik te nxënësit e vitit të parë dhe të dytë të arsimit të mesëm.

Shkup - Në ndërprerje është komunikacioni në rrugën magjistrale A2 Kumanovë - Kriva Pallankë nga vendi i quajtur ura e Osiçit deri te Kontrolli teknik nga mbrëmë në orën 23:40. Komunikacionit është në ndërprerje në të dy drejtimet për shkak të rrëshqitjes së tokës nga stuhia, informoi LAMM.

Shkup - Trafiku në rrugët shtetërore po zhvillohet pa ndërprerje, nëpër rrugë të lagështa. Intensiteti i trafikut në akset rrugore jashtë mjediseve urbane është rritur. Në vendkalimet kufitare nga ana e Maqedonisë së Veriut, nuk ka pritje më të gjata për hyrje dhe dalje nga shteti. 

Shkup - Raportime për oborre të vërshuara, bodrume, shtëpi, dru të rënë, shtylla elektrike dhe automobilë të dëmtuar janë marrë në Numrin e vetëm për raste urgjente pas motit të ligë që pasdite dhe gjatë natës i kaploi rajonin e Tetovës, Shkupit dhe Kumanovës.

Shkup - Moti sot do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe i paqëndrueshëm me shi të rrëmbyeshëm dhe bubullima. Në shumë vende do të ketë paraqitje të motit të ligë me shi të rrëmbyeshëm për afat të shkurtë (mbi 30l/m2), bubullima, erë e fuqishme (mbi 60 km/orë) dhe paraqitje të breshrit.

Bruksel - Zgjedhja e bartësve të pozitave udhëheqëse në BE, Agjenda Strategjike 2024-2029, situata në Ukrainë dhe Lindja e Mesme, siguria dhe mbrojtja, konkurrueshmëria, migrimi, sulmet hibride dhe çështjet e politikës së jashtme, do të jenë temat kryesore të Samitit dyditor të Unionit që nis pasditen e sotme në Bruksel. Në ftesën dërguar krerëve të shteteve apo qeverive të vendeve anëtare të BE-së për të marrë pjesë në Samit, Kryetari i Këshillit Evropian, Sharl Mishel, thekson se do të jetë një takim veçanërisht i rëndësishëm, pasi ka një agjendë thelbësore dhe vendime kritike që do të formësojnë rrugën e Unionit në periudhën e ardhshme.

Bruksel - Mbreti Filip i Belgjikës i ka besuar liderit të Aleancës së Re Flamane (N-VA), Bart De Veber, detyrën që të përpiqet të sigurojë një shumicë parlamentare për të formuar një qeveri të re federale të Belgjikës. Siç njoftoi Pallati Mbretëror belg, De Vever foli për një orë e gjysmë me mbretin, gjatë së cilës ai e informoi për rezultatet e veprimtarisë së tij si "informator" për mundësitë e formimit të një qeverie të re.

Berlin - Në Gjermani sot hyn në fuqi ligji i ri që lehtëson marrjen e nënshtetësisë gjermane, njoftoi DPA. Reforma e ligjit për nënshtetësinë, e cila ishte nxitur nga koalicioni qeverisës tripartiak gjerman, i jep mundësi personit të bëhet shtetas gjerman, ndërsa në të njëjtën kohë ta mbajë nënshtetësinë e vendit të origjinës. ndërsa në ndërkohëtë ruajë nënshtetësinë e vendit nga e cila e ka origjinën.  Deri më tani, ruajtja e nënshtetësisë së vendit të origjinës ishte e mundur vetëm për shtetasit e vendeve të tjera të Bashkimit Evropian.

Berlin – Me zhvillimin e ndeshjeve të xhiros së fundit të fazës së grupeve, janë bërë të ditur të gjithë pjesëmarrësit në plejofin për Kampionatin Evropian 2024. Dyshet për fazën e një të tetës së finales së Kampionatit Evropian të Futbollit: Dy ndeshjet e para do të luhen të shtunën (29 qershor). Një të tetën e finales do ta hapin Zvicra dhe Italia (18:00), ndërsa Gjermania dhe Danimarka do të përballen në orën 21:00.

QËNDRONI TË LIDHUR