MIA Flesh
- - Bashkimi Evropian bëri gabim historik që e shtyu procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut edhe krahas premtimeve dhe pritjeve pas Marrëveshjes së Prespës, theksoi ish i dërguari i posaçëm i sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në bisedimet për emrin Methju Nimic në intervistën për portalin informativ grek "In", informon korrespondentja e MIA-s nga Athina. Nimici mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare për Paqe dhe Zhvillim të Qëndrueshëm që më 17 dhe 18 qershor u mbajt në Athinë në organizim të "Institutit Aleksis Cipras" dhe "Fondacionit Zaev", ndërsa në intervistën për "In" flet për Marrëveshjen e Prespës, situatën në rajon dhe më gjerë, por edhe për rolin e BE-së.
- Post By Fitore Curri
- 14:54, 29 qershor, 2024
15:00/ 29 qershor/ 2024
Athinë - Bashkimi Evropian bëri gabim historik që e shtyu procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut edhe krahas premtimeve dhe pritjeve pas Marrëveshjes së Prespës, theksoi ish i dërguari i posaçëm i sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në bisedimet për emrin Methju Nimic në intervistën për portalin informativ grek "In", informon korrespondentja e MIA-s nga Athina. Nimici mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare për Paqe dhe Zhvillim të Qëndrueshëm që më 17 dhe 18 qershor u mbajt në Athinë në organizim të "Institutit Aleksis Cipras" dhe "Fondacionit Zaev", ndërsa në intervistën për "In" flet për Marrëveshjen e Prespës, situatën në rajon dhe më gjerë, por edhe për rolin e BE-së.
Shkup - Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, sot do të qëndrojë për vizitë pune në Republikën e Kroacisë, ku me ftesë të shefit të diplomacisë kroate Gordan Gërlliç Radman do të marrë pjesë në Forumin e Dubrovnikut 2024. Siç bëri të ditur MPJ, Mucunski do të ketë fjalim në panelin "Ballkani Perëndimor: Hapja e potencialit të reformave". Në margjinat e forumit, ministri Mucunski do të realizojë edhe takime të shumta dypalëshe me homologë të tij nga shumë vende.
Shkup - "Arritja e baraspeshës ndërmjet çmimeve dhe stabilitetit financiar ka qenë fokusi kryesor i bankave qendrore, përfshirë Bankën Popullore, në vitet e fundit. Historia tregon se rritja e normave të interesit të bankave qendrore mund të rrisë rreziqet për sistemin financiar, gjë që u konfirmua këtë herë edhe nga ngjarjet e vitit të kaluar në SHBA. Megjithatë, në tërësi, është mirë që bankat qendrore kanë kontribuar në uljen e ndjeshme të presioneve inflacioniste, pa pasur efekte të mëdha negative në sistemet financiare. Presionet inflacioniste në ekonominë e brendshme janë ulur ndjeshëm, rezervat valutore janë rritur në nivele solide dhe stabiliteti financiar është forcuar pavarësisht periudhës së krizës. Këtë e thekson guvernatorja Anita Angellovska - Bezhoska në një tekst autorial të publikuar në javoren serbe NIN, revistë me traditë shumëvjeçare.
Shkup - LSDM-ja nesër në zgjedhjet e brendshme do të zgjedhë mes një prej katër kandidatëve për kryetar të partisë. Votimi do të mbahet në 77 qendra votimi, ndërsa të drejtë vote kanë rreth 23 mijë anëtarë të partisë. Në garën për lider të ri të LSDM-së janë ish ministri i Shëndetësisë dhe deputeti aktual Venko Filipçe, drejtori i ZZHTI-së Jovan Despotovski, ish ministrja e Mbrojtjes dhe deputetja aktuale Sllavjanka Petrovska, si dhe ish zëvendësministri i MSHIA-s Aleksandar Bajdevski. Katër kandidatët premtojnë reforma në parti si dhe unifikim të anëtarësimit.
Shkup - Kandidatja për kryetare të LSDM-së, Sllavjanka Petrovska tërhiqet nga kandidatura një ditë para zgjedhjeve të brendshme në këtë parti. Përmes një letre zyrtare drejtuar Komisionit qendror të zgjedhjeve për zgjedhjen e të parit në LSDM, Petrovska thotë se dëshiron ta mbrojë LSDM-në nga zgjedhja jolegjitime e kryetarit dhe kërkon që emri i saj të mos figurojë në fletëvotim. "Duke dashur ta mbroj LSDM-në nga zgjedhja jolegjitime e kryetarit dhe për të mos qenë bashkëpjesëmarrëse në shkeljen e statutit ju njoftoj se po tërhiqem nga kandidatura ime për kryetar të LSDM-së. Me faktin se ky proces për mua është i papranueshëm, kërkoj që emri im të mos figurojë në fletëvotim me qëllim votuesit të mos vihen në huti", shkruan Petrovska.
Shkup - Temperaturë më e ulët në shtet këtë mëngjes prej 11 gradë Celsius është matur në Berovë. Vijojnë Krusheva me 13 gradë, 14 në Kriva Pallankë dhe Pretor, 15 Manastir, 16 Ohër, Tetovë, 17 Shtip dhe 18 gradë në Shkup në Petrovec, Demir Kapi dhe në Kumanovë. Më së shumti shi për 24 orët e kaluara deri në orën 8 ka rënë në Shtip prej 9l/m2, ndërsa në Kriva Pallankë 1l/m2. Vlerat e dhëna për sasinë e reshjeve janë matur në vendet e matjes të Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike. Për shkak të proceseve lokale, nga DPHM theksojnë se sasia e shiut të rënë ndryshon shumë dhe në vende të ndryshme mund të jetë shumë më e madhe nga ajo e matur.
Tiranë - Ines Nurja, ish drejtoresha e INSTAT për në Euronjuz Albania ka thënë se shifrat e regjistrimit të popullsisë janë manipuluar pasi numri i përgjithshëm i popullsisë në vend për 2023 është më i vogël. Ajo tregoi se kur ishte në krye të institucionit që regjistron popullsinë të dhënat e regjistrimit të zhvilluar në 2011 u publikuan brenda 5 javëve.
Tiranë - Sipas rezultateve nga regjistrimi sa i përket përkatësisë religjioze në Shqipëri, nga 2.402.113 banorë të regjistruar në vend, 1.101.718 banorë kanë deklaruar se i takojnë besimit mysliman. Të krishterë janë 384.833, prej tyre 201.530 persona i përkasin besimit katolik dhe 173.645 persona i përkasin besimit ortodoks. Bashkësisë bektashiane i takojnë 115.644 persona, përderisa me bindje të tjera fetare janë 3.670 persona. Të dhënat tregojnë se 332.155 persona nuk cilësuan besimin e tyre fetar dhe 85.311 të tjerë u deklaruan ateist.
Beograd - Zëvendëskryeministri serb dhe ministri i Punëve të Brendshme Ivica Daçiq deklaroi se një person i panjohur, identiteti i të cilit është duke u vërtetuar, qëlloi me hark me shigjeta një pjesëtar të xhandarmërisë i cili ka qenë në detyrë për të siguruar ambasadën e Izraelit, njofton korrespondenti i MIA-s në Beograd. “Sot rreth orës 11 një person i panjohur, identiteti i të cilit është duke u vërtetuar, ka qëlluar në drejtim të pjesëtarit të xhandarmërisë i cili ka qenë në detyrë për sigurimin e ambasadës izraelite dhe e ka qëlluar në qafë", deklaroi Daçiqi.
Beograd - Ministri i Policisë, Ivica Daçiq vlerësoi se sulmi ndaj pjesëtarit të Xhandarmërisë me hark para ambasadës izraelite në Beograd është akt terrorist, informon korrespondenti i MIA-s nga Beogradi. Ai tha se dyshon se pas sulmuesit qëndron lëvizja vehabiste dhe se në mënyrë parandaluese janë arrestuar edhe disa persona në afërsi të objekteve të policisë.
Bruksel– Pasi krerët e shteteve ose qeverive të anëtareve të BE-së të enjten diçka para mesnatës me shumicë të kualifikuar e emëruan atë për postin e Presidentit të Komisionit Evropian, Ursula von der Lajen tani në mënyrë që të rizgjidhet duhet të sigurojë shumicën absolute të votave në Parlamentin Evropian. Von der Lajen u propozua për rizgjedhje në kuadër të paketës së dakorduar midis Partisë Popullore Evropiane (PPE), Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve (SD) dhe grupit liberal "Ta ripërtërijmë Evropën", në kuadër të të cilit ish-kryeministri portugez Antonio Kosta u zgjodh si Presidenti i ri i Këshillit Evropian, ndërsa kryeministrja estoneze Kaja Kallas u nominua si kandidate për Përfaqësuese të Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë. Siç lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Brukseli, PPE, SD dhe RE së bashku kanë 399 deputetë ose 38 më shumë se 361 vota të kërkuara për një shumicë absolute për rizgjedhjen e Von der Lajen.
Bruksel - Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen do të qëndrojë për vizitë në Egjipt, ku do të marrë pjesë në Konferencën e Investimeve BE-Egjipt, që sot dhe nesër mbahet në Kajro. Është paraparë që Konferenca të fillojë me fjalime hyrëse të Fon der Lajenit dhe presidentit egjiptian Abdel Fatah Al-Sisi. Në Konferencë priten rreth 1.000 pjesëmarrës, përfshirë edhe ministra egjiptianë, përfaqësues të BE-së dhe institucione financiare evropiane dhe drejtorë ekzekutivë nga spektër i gjërë i kompanive nga Unioni dhe Egjipti.
Bruksel - Këshilli i BE-së mori vendim që të vendosë sanksione ndaj dy personave fizikë dhe katër personave juridikë për shkak të mbështetjes së agresionit rus në Ukrainë, si dhe ndaj gjashtë individëve dhe tri kompanive përgjegjëse për financimin e grupeve palestineze. Në bazë të vendimit të parë, në listën e të sanksionuarve për "aktivitete me të cilat minohen ose rrezikohen integriteti territorial, sovraniteti dhe pavarësia e Ukrainës" janë shtuar biznesmenët rus Dmitrij Bellogllazov dhe Mihail Koncerev dhe kompanitë "Titul", "Iliadis", "Rasperia" dhe TransKontejner". Në listën e dytë, të të sanksionurave për "financimin e grupeve Hamasi dhe Xhihadi Islamik Palestinez ose për ndihmë të aksioneve të tyre të dhunshme" janë përfshirë kompanitë "Zavaja Grup", "Larikom for Investment" dhe "Al Zavaja Grup", pronësi e biznesmenit sudanez Abdelbasit Hamza Elhasan Mohamed Kair, i cili është mjet i masave restriktive të BE-së nga janari i vitit 2024. Tri kompanitë ishin shfrytëzuar për fshehje dhe lehtësim të transaksioneve financiare për nevojat e Hamasit.
Esen - Demonstruesit dhe policia u përleshën në qytetin gjerman Esen, ku po mbahet kongresi dyditor i partisë gjermane të ekstremit të djaththë "Alternativa për Gjermaninë", informon DPA. Një grup i madh i demonstruesve bënë përpjekje që të thyejnë kordonin e policisë në hapësirën e sallës ku do të mbahet ngjarja e partisë. Policia përdori shufra dhe spërkatës që t'i pengojë demonstruesit.
Kiev - Ministria e Mbrojtjes së Ukrainës konfirmoi sot se forcat e saj të mbrojtjes shkatërruan qendrën ruse të vëzhgimit dhe komunikimit hapësinor në Krime e cila është nën kontrollin rus. Në komunikatë thuhet se Qendra për mbikëqyrje hapësinore dhe komunikime në Krime është një komponentë e rëndësishme ushtarake në sistemin e komunikimit satelitor dhe navigimit për rusët. “Përveç kësaj, forcat e armatosura të Ukrainës me sukses goditën aeroplanët Su-25, sistemin e mbrojtjes ajrore Osa dhe dy MLRS ‘Grad’ të armatës ruse. E gjithë kjo pajisje është shkatërruar”, ka kumtuar Ministria ukrainase.
Nju-Jork - Redaksia e gazetës amerikane "Nju Jork Tajms" mbrëmë i bëri thirrje presidentit të SHBA-së, Xho Bajden të tërhiqet nga gara presidenciale, një ditë pas paraqitjes së tij të dobët në debatin kundër Donald Trampit, transmetuan agjencitë e huaja. Edhe pse thekson se Bajdeni 81-vjeçar është "president për tu admiruar", gazeta thekson se në debat ai dukej si "hija e një nëpunësi të madh publik" dhe do të lëshohej në "aventurë të pamenduar" nëse e vazhdon fushatën. "Nuk ka arsye që partia ta rrezikojë stabilitetin dhe sigurinë e vendit me atë që i detyron votuesit të zgjedhin mes mangësive të zotëri Trampit dhe ato të zotëri Bajdenin", shkruan gazeta.
Uashington - Kandidati republikan për president Donald Tramp deklaroi se te rivali i tij, kandidati demokrat Xho Bajden, vitet nuk janë problemi "por aftësia e tij". "A ka parë dikush një gjë të quajtur debat? Fituam një njeri që me të vërtetë dëshiron të shkatërrojë vendin tonë", tha Trampi në Virxhinia për Bajdenin, duke e quajtur atë "të korruptuar dhe të paaftë", transmeton Si-Bi-Si. Siç bëjnë të ditur agjencitë e huaja, paraqitja e presidentit Bajden në debat shqetësoi shumë demokratë, ndërsa debati erdhi në kohën kur shumë amerikanë besojnë se Bajdeni, i cili tani ka 81 vjet, ndoshta është shumë i vjetër që ta udhëheqë vendin edhe katër vjet.
Teheran- Kandidati i vetëm i reformave në zgjedhjet presidenciale në Iran prin pas më shumë se 14 milionë fletëve të votimit të numëruara pas votimit të djeshëm, njoftoi televizioni shtetëror iranian. Reformatori Masud Pezeshkijan në këtë fazë fitoi 5,9 milionë vota, përderisa kundërshtari i tij Said Xhalili fitoi 5,5 milionë vota. Deri më tani nuk ka të dhëna për jehonën e votuesve. Dy kandidatët e tjerë, spikeri parlamentar Mohamed Baker Galibaf dhe prifti shiit Mostafa Pumohamadi, në këtë fazë fituan 1,89 milionë e 111.900 vota.
Jerusalem- Ministri izraelit i Mbrojtjes, Joav Galant deklaroi se vendi i tij nuk dëshiron luftë me lëvizjen libaneze Hezbollah, të mbështetur nga Irani, duke shtuar se armata izraelite është e gatshme për një konflikt të tillë të mundshëm, informon DPA. "Punojmë në zgjidhje politike. Ajo është gjithnjë varianti më i mirë", tha ministri gjatë vizitës në njësitë ushtarake izraelite në afërsi të kufirit verior të Izraelit me Libanin", njoftuan mediat izraelite. "Ne nuk kërkojmë luftë, por jemi të gatshëm për atë. Nëse Hezbollahu zgjedh luftë, e dimë çka të bëjmë. Nëse ata zgjedhin paqe, ne do të përgjigjemi në përputhje me rrethanat", shtoi Galant.
Gazë - Ministria e Shëndetësisë së Hamasit, lëvizja islamike në pushtet në Rripin e Gazës, njoftoi sot se gjatë 48 orëve të fundit nga sulmet izraelite në atë zonë ishin vrarë 69 persona. Nga fillimi i sulmit izraelit para gati nëntë muajve, në Rripin e Gazës u vranë gjithsej 37.834 njerëz. Ministria e Shëndetësisë së Hamasit njoftoi se në luftë deri më tani janë plagosur 86.858 njerëz.
Meksiko Siti - Në Meksikë është vrarë gazetari Viktor Kulebro Morales (39) i cili ka qenë kryeredaktor i portalit të lajmeve Realidades me më shumë se 20.000 abonentë në Fejsbuk. Trupi i Moralesit u gjet në një rrugë midis qyteteve Ariaga dhe Hikipilas, në jug të vendit, kumtoi Zyra e prokurorisë. Kanë nisur hetimet lidhur me vrasjen. Në trupin e gazetarit ka pasur gjurmë plumbash dhe goditje, bëjnë të ditur mediat lokale.
Berlin - Me dy ndeshjet e sotme, në Gjermani do të vazhdojë edicioni i 17-të i Kampionatit evropian në futboll. Pas dy ditësh pushim dhe pas përfundimit të fazës së grupeve, betejat e 1/8 së finales fillojnë me ndeshjen mes Zvicrës dhe fituesit aktual të trofeut Italisë në orën 18 me kohën tonë, ndërsa në mbrëmje nga orë 21 nikoqirët, pra Gjermania do të përballet me Danimarkën. Fituesin e duelit mes Zvicrës dhe Italisë i pret Anglinë ose Sllovakinë në çerekfinale, ndërsa gjermanët ose danezët në 1/8 e finales do të përballen me Spanjën ose Gjeorgjinë.