• e shtunë, 12 prill 2025
Shqip
  • English
  • Shqip
  • Македонски
MIA Flesh

15:00/4 prill/2025

Shkup - Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, sot informoi se ka edhe tre pacientë të tjerë në gjendje kritike të cilët po trajtohen jashtë vendit, ndërsa 15 pacientë janë intubuar. "Aleksandri i cili humbi jetën mëngjesin e sotëm, ishte në gjendje më të rëndë nga katër pacientët kritikë. Të shpresojmë që gjendja e tre të tjerëve të përmirësohet, megjithëse mund të ketë fluktuim në gjendjen shëndetësore të pacientëve më të rëndë që ndodhen jashtë vendit. Megjithatë, jo më shumë se 15 pacientë janë të intubuar, të tjerët janë të ekstubuar dhe kjo është një prognozë e mirë. Megjithatë, le të presim derisa të gjithë të kthehen në vend", ka thënë Taravari.

Shkup – Ministri i Administratës Publike, Goran Minçev në konferencën e sotme për media i pyetur deri ku është procedura për Ligjin për përfaqësim të drejtë, theksoi se në këtë zgjidhje ligjore punon një grup i ekspertëve nga sfera e të drejtës kushtetuese, por për momentin nuk mund të tregojë deri ku është përmbajtja e ligjit. Draft versioni i zgjidhjes ligjore duhet të dërgohet në Komisionin e Venecias dhe pastaj do të hyjë në procedurë kuvendore.  “Siç e dini, në kuadër të Qeverisë është formuar grup i punës prej ekspertëve nga sfera e të drejtës kushtetuese, i cili punon në përmbajtjen e Ligjit për përfaqësim të drejtë. Unë si ministër nuk jam pjesë e atij grupi të punës dhe për këtë nuk do të mund të tregoj në këtë moment deri ku është përmbajtja e atij ligji. Dua të theksoj se përfaqësimi i drejtë i bashkësive etnike në shtet, sipas Marrëveshjes së Ohrit, është kategori kushtetuese”, tha Minçev. 

Kumanovë - Ka përfunduar rikonstruksioni i katit të dytë të Shtëpisë së Shëndetit në Likovë. Ministri i Shëndetësisë Arben Taravari, sot me atë rast, e ka vizituar këtë qendër shëndetësore dhe ka theksuar se qëllimi është që të gjithë qytetarëve dhe veçanërisht banorëve nga zonat rurale t'u ofrohet kujdes shëndetësor efikas. Ministri i Shëndetësisë theksoi se qytetarët janë qendër gjatë krijimit të politikave shëndetësore, , ndërsa investimet mundësojnë ofrimin e kujdesit shëndetësor efikas në komunitetet lokale.

Shkup - Ministri i Administratës Publike, Goran Minçev dhe ministri i Administratës Publike të Republikës së Sllovenisë, Frank Props sot nënshkruan Memorandum për bashkëpunim me të cilën forcohet bashkëpunimi dypalësh dhe hap kapitull të ri në shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të mira në fushën e administratës publike. Ministri Minçev në konferencën për media pas nënshkrimit theksoi se ky është memorandumi i dytë i nënshkruar me një vend nga rajoni, ndërsa i pari me një vend anëtar të Bashkimit Evropian, i cili siç theksoi, "paraqet një hap të rëndësishëm në drejtim të integrimit evropian në vend".

Shkup - Grupi parlamentar i “VLEN”-it së shpejti do të dalë me propozim-metodologji për liderët e tyre dhe mënyrën e bashkëpunimit në zgjedhjet lokale. Plani që duhet të marrin liderët do të jetë metodologjia për ndarjen e pozitave në listat e këshilltarëve komunal në përqindje, plus pozitat e bartësve të listave dhe kandidatëve për kryetarë komunash. Këtë e deklaroi për MIA-n, deputeti i “VLEN”-it, Riad Shaqiri. "Si grup parlamentar brenda 'VLEN'-it kemi pasur dy takime – një joformal dhe një formal, ku kemi diskutuar mundësinë e pjesëmarrjes në zgjedhjet lokale. Në atë takim kemi biseduar për metodologjinë e ndarjes së pozitave në administratën e komunës dhe formën e daljes në zgjedhje. Ka pasur dy forma - një formë e daljes në zgjedhje veç e veç dhe një formë e daljes në aspekt të përbashkët si koalicion. Në tavolinë janë të dyja versionet", tha Shaqiri.

Shkup – Është regjistruar një rast i ri i kollës së mirë në periudhën prej 28 mars deri dje, për një më shumë në krahasim me periudhën e kaluar shtatë ditore, kur nuk kishte raste të regjistruara, informojnë sot nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP).  “Rasti është nga Kumanova, nga grupmosha prej 10 deri 14 vjet dhe i pavaksinuar me vaksinë që përmban komponentë të pertusisit. Rasti nuk është hospitalizuar”, sqarojnë nga ISHP.  Në periudhën 2024/25, deri dje, në territorin e shtetit, janë regjistruar gjithsej 1.186 persona të sëmurë nga kolla e mirë. 

Shkup - Prokuroria Themelore Publike Koçan e ndërpreu procedurën kundër Aleksandër Karadakoskit, i cili sot vdiq në Lituani, ku po trajtohej nga lëndimet e marra nga zjarri në diskotekën "Puls" të Koçanit. "Duke qenë se viktima e 60-të e sotme nga zjarri katastrofik në Koçan është një person i cili paraprakisht ka qenë i përfshirë me urdhër për zbatimin e procedurës hetimore, në cilësinë e menaxherit të personit juridik, Prokuroria Themelore Publike Koçan pas grumbullimit të dokumentacionit zyrtar për shkkun e vdekjes do të lëshojë urdhër për ndërprerjen e procedurës hetimore për të" bëri të ditur sot Prokuroria Publike. 

Shkup - Procesi gjyqësor për vrasjen e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezhovskit vazhdon sot në Gjykatën Themelore Penale Shkup me dëshminë e të akuzuarit Vllatko Keshishev. Duke iu përgjigjur pyetjeve të avokatëve të të akuzuarve, Keshishev dha detaje për lëvizjet e të akuzuarve në ditën e vrasjes së Pançe Zhezhovskit dhe potencoi se për herë të parë ka kuptuar për babanë e Vanjës kur është marrë në paraburgim. Keshishev gjithashtu iu përgjigj edhe pyetjeve për bisedat e zhvilluara në selinë e partisë E Djathta para rrëmbimeve, duke thënë se ai dinte që herën e parë kur hapën gropën do të përdorej për rrëmbimin e njerëzve.

Dibër - Në vendkalimet kufitare "Bllatë" dhe "Xhepishte-Trebishte", në kufirin mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë afër Dibrës, në tremujorin e parë të këtij viti kanë kaluar gjithsej 237 394 udhëtarë, që është pothuajse në nivelin e njejtë, krahasuar me periudhën e njejtë të vitit të kaluar. "Në VK 'Bllatë' janë regjistruar gjithsej 226 524 udhëtarë. Shikuar ndaras 45 246 janë shtetas të Maqedonisë së Veriut, prej tyre, në hyrje 29 511 përderisa në dalje 24 735. Kur bëhet fjalë për shtetas të huaj, janë regjistruar gjithsej 181 278 udhëtarë, me atë rast në hyrje 99 670 ndërsa në dalje 81 608 udhëtarë", konfirmuan për MIA-n nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Strumicë - Kryetari i LSDM-së Venko Filipçe sot sqaroi se në takimin e djeshëm me kryeministrin dhe liderin e VMRO-DPMNE-së Hristian Mickoski kanë rënë dakord që të bashkëpunojnë lidhur me axhendën reformuese për Planin e rritjes, në të cilin griupi i parë i ligjeve janë nga fusha e jurisprudencës, energjetikës, kulturës dhe digjitalizimit. Filipçe edhe një herë bëri thirrje për takim me ëiderët e të gjitha partive parlamentare, duke përfshirë edhe partitë e shqiptarëve. Sërish mohon se bëhet fjalë për takim monoetnikk, duke theksuar se kur bëhet fjalë për interesin e shtetit, partitë nuk duhet të ndahen.

Shkup - Të dielën do të ketë paraqitje të masës ajrore të ftohtë nga veriu e cila do të shkaktojë ndryshim të ndjeshëm të motit, njofton DPHM-ja. Moti do të jetë kryesisht i vranët me reshje të shiut, ndërsa në vendet më të larta reshje të shiut dhe borës. Në male reshjet do të jenë nga bora dhe do të formohet shtresë dëbore (10 deri 15 cm). Do të fryjë erë e fortë nga drejtimi verior (mbi 70 km/h.) dhe temperaturat ndjeshëm do të bien. 

Gjenevë – Komisari i lartë i OKB-së për të drejtat e njeriut, Uollker Turk paralajmëroi se ekziston rrezik gjithnjë e më i madh nga krimet kundër njerëzimit në Rripin e Gazës, për shkak të përshkallëzimit të konfliktit ndërmjet Izraelit dhe palestinezëve.  Në takim urgjent të Këshillit për të drejtat e njeriut në Gjenevë, Turk deklaroi se “lehtësimi afatshkurtër i cili e solli armëpushimin është shkatërruar, ndërsa palestinezët përsëri janë të ekspozuar në sulme të ashpra”.  Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, nga 1 marsi operacionet ushtarake izraelite vranë më shumë se 1.200 palestinezë, prej të cilëve të paktën 320 ishin fëmijë, bëhet e ditur në kumtesën e OKB-së. 

Bruksel - Kryeministri belg Bart de Vever dhe sekretari shtetëror amerikan Marko Rubio sot në Bruksel kanë diskutuar për zgjerimin e bazës komanduese të NATO-s në Mons, njoftuan mediat belge. Sipas informacioneve, zgjerimi është i domosdoshëm për shkak të rritjes së numrit të vendeve anëtare të Aleancës. Plani parashikon ndërtimin e dy ndërtesave të reja me vlerë 800 milionë euro, nga të cilat Belgjika do të sigurojë 155 milionë.

Bruksel - Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas sot deklaroi se është domethënëse që Sekretari amerikan i shtetit Marko Rubio të konfirmojë përkushtimin e Uashingtonit ndaj NATO-s. Ajo shtoi se vendet evropiane duhet të rrisin pavarësinë e tyre në sektorin e mbrojtjes. Para fillimit të takimit të ministrave të Punëve të Jashtme të NATO-s në Bruksel, Kallas theksoi se Rubio dha siguri se SHBA nuk do të bëjë lëshime që do të dëmtonin interesat dhe "vijat e kuqe" të Ukrainës dhe Evropës.

Bruksel - Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute në konferencën e sotme për media pas përfundimit të mbledhjes dyditore të ministrave të Punëve të Jashtme të Aleancës në Bruksel, refuzoi ta komentojë vendosjen e tarifave për importimin e mallrave nga jashtë në SHBA, përfshirë edhe nga vendet aleate, duke theksuar se takimi ministror ishte tërësisht e fokusuar në ruajtjen e sigurisë në territorin e Aleancës nga kërcënimi rus.  "Unë jam tërësisht i fokusuar në mbrojtjen e territorit të NATO-s dhe prandaj nuk do ta komentoj asnjë pyetje përveç atyre që janë të lidhura drejtpërdrejtë me mbrojtjen", theksoi Rute në përgjigjen e pyetjes për një "luftë tregtare" të mundshme mes aleatëve të Aleancës lidhur me vendosjen e tarifave amerikane dhe përgjigjen e BE-së për to. 

Kiev - Numri i viktimave në sulmin e mbrëmshëm rusë me dronë në Harkov është rritur në pesë, njofton Ukrinform, duke u thirrur në deklaratën e guvernatorit të rajonit të Harkovit, Oleg Sinegubov. Të dhënat e para të Sinegubovit tregojnë për katër viktima, por më vonë ai përmes "Telegramit" njoftoi se një burrë 88 vjeçar i cili ishte në gjendje kritike kishte ndërruar jetë me çka numri i viktimave ka shkuar në pesë. Në sulm janë lënduar 32 persona. 

Moskë - Shërbimi federal ruse për siguri (FSB) ka penguar sulm terrorist ndaj një konvikti studentor të universiteteve ushtarake në rajonin e Moskës dhe arrestoi një pjesëtar të Ministrisë së Mbrojtjes, i cili, sipas njoftimit, ishte rekrutuar nga shërbimet speciale të Ukrainës dhe po përgatitej të kryente sulmin. "Masat e ndërmarra bënë të mundur ndalimin e një pjesëtari të Ministrisë ruse të Mbrojtjes, i cili ishte rekrutuar nga shërbimet speciale ukrainase dhe ka marrë pjesë në përgatitjen e akteve terroriste në konviktin studentor, ku jetojnë kadetë të univeritetit ushtarak", njoftoi FSB-ja. 

Kanbera - Hakerë kanë kryer sulme të koordinuara ndaj fondeve më të mëdha pensionale në Australi, me ç'rast janë vjedhur kursimet e disa anëtarëve, ndërsa mbi 20.000 llogari janë kompromituar. Koordinatorja kombëtare për siguri kibernetike, Mishel MekGines, deklaroi se sulmuesit kanë hyrë në sektorin pensional me vlerë 4,2 miliardë dollarë australianë (2,4 miliardë euro) dhe se janë ndërmarrë masa urgjente për përgjigje. Sipas të dhënave të Shoqatës australiane të fondeve pensionale, gjatë fundjavës janë sulmuar disa fondacione. Kompanitë AustralianSuper, Australian Retirement, Rest, Insignia dhe Hostplus konfirmuan se kanë qenë cak i sulmit.

Tokio - Agjencia nacionale policore e Japonisë kumtoi se në aksion të koordinuar kundër keqtrajtimit onlajn seksual të fëmijëve ka arrestuar 111 persona të moshës prej 14 deri 68 vjeç. Aksioni, i kryer në shkurt dhe mars, ishte pjesë e hetimit ndërkombëtar në të cilin morën pjesë Singapori, Koreja e Jugut dhe Hong-Kongu, transmetoi agjkencia Kjodo. Disa nga të arrestuarit u identifikuan përmes këmbimit të informatave me organet e huaja hetimore, që e konfirmon rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër veprave të këtilla penale.

 

QËNDRONI TË LIDHUR