
09:00/11 prill/2025
Shkup - Gjykimi për vrasjen e Vanjës dhe Pançes vazhdon sot me fillim në orën 09:00 në Gjykatën Themelore Penale - Shkup me dëshminë e babait të Vanjës, Aleksandar Gjorçevski. Në seancën e kaluar gjyqësore, Gjorçevski tha se nuk ka absolutisht kurrfarë përfshirje dhe as nuk i njeh, as nuk mund t'i shikojë të akuzuarit për vrasjen e vajzës së tij Vanjës dhe banorit nga Velesi, Pançe Zhezhovski. Duke u përgjigjur në pyetjen e mbrojtësit të tij, avokatit Vladimir Tufegxhiq, Gjorçevski përshkruan në mënyrë shterruese dhe në detaje jetën e tij, marrëdhënien me familjen e tij, momentet e zhdukjes së Vanjës dhe marrëdhënien me policinë gjatë hetimit. Gjorçevski tha se beson se ka dhënë kontribut të madh në hetim dhe theksoi se ka pësuar tortura gjatë marrjes në pyetje.
Shkup - Ministri hungarez për Çështje të BE-së, Janosh Boka, i cili nga dje është për vizitë në Maqedoninë e Veriut, sot do të mbajë konferencë të përbashkët për shtyp me kolegun e tij nga RMV-ja, Orhan Murtezani. Konferenca për shtyp është caktuar për në ora 10:15. Ministri hungarez dje në një deklaratë për media tha se procesi i aderimit në Bashkimin Evropian duhet të mbetet objektiv dhe të bazohet në kriteret e meritokracisë.
Shkup - Forumi ekonomik "Fuqizimi i grave të afta për punë: Strategjitë për zhbllokimin e potencialit dhe rritjen e produktivitetit" do të mbahet sot në Shkup nën organizim të Institutit për hulumtim ekonomik dhe politikë - Finance Think. Në ngjarje, siç njoftojnë organizatorët, fjalime hyrëse do të mbajnë presidentja e shtetit Gordana Siljanovska Davkova dhe zëvendësambasadori britanik në Maqedoninë e Veriut, Daniel Filer.
Shkup - Nën organizim të Fakultetit Filologjik "Bllazhe Koneski" dhe Katedra e gjuhëve dhe letërsive romane, ambasadori francez në vend Kristof Le Rigoler sot do të ligjërojë në temën "A ekziston ende diçka që është vetëm franceze?". Ligjërata mbahet në kuadër të manifestimit Ditët e Frankofonisë në Fakultetin Filologjik "Bllazhe Koneski" - Shkup dhe do të realizohet në gjuhën frënge, me përkthim në gjuhën maqedone.
Shkup - Moti sot do të jetë me diell me vranësira të vogla deri në mesatare. Do të fryjë erë mesatare, në pjesët lindore dhe përgjatë Vardarit përkohësisht erë e përforcuar nga drejtimi veriperëndimor, kumtoi Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike. Temperatura minimale do të jetë në interval prej -2 deri në 6 gradë, ndërsa maksimalja do të arrijë nga 11 deri në 19 gradë.
Beograd - Gjykata e lartë në Novi Sad këtë mëngjes pritet ta komunikojë vendimin për aktakuzën e ngritur kundër 13 personave pas shembjes së konstruksioni të betonit në stacionin hekurudhor në atë qytet më 1 nëntor të vitit të kaluar, raporton korrespondenti i MIA-s nga Beogradi. Vendimi do të shpallet në orën 11:00.
Kiev - Të paktën një person dje ka humbur jetën, ndërsa tre janë plagosur në një sulm me raketa ruse në qytetin ukrainas Dnjepër. Guvernatori i rajonit të Dnjeprit, Sergij Lisak, deklaroi se sulmi shkaktoi një zjarr të madh dhe dëmtoi infrastrukturën e qytetit.
Tel Aviv - Izraeli dhe Egjipti kanë shkëmbyer draft-propozime për një marrëveshje armëpushimi dhe lirimin e pengjeve, raporton Tajms of Izrael duke iu referuar radio Kan. Propozimet kanë për qëllim të kapërcejnë hendekun midis propozimit të kompromisit egjiptian dhe propozimit të të dërguarit të posaçëm të SHBA-së Stiv Vitkof për një marrëveshje, thuhet në raport. Zyrtari i lartë izraelit deklaroi për radion se është e mundur që së shpejti të arrihet marrëveshje.
Bihar - Të paktën 58 persona humbën jetën në stuhinë e shoqëruar me bubullima dhe breshër që goditi disa rajone në shtetin lindor indian Bihar, kumtoi pushteti vendor. Sipas të dhënave zyrtare, 23 persona humbën jetën nga goditjet e rrufesë, ndërsa 35 persona humbën jetën në fatkeqësitë e lidhura me stuhinë, duke përfshirë edhe rënien e drunjve dhe rrëzimin e mureve për shkak të erërave të forta dhe reshjeve të rrëmbyeshme, lajmëroi India TV.
Nju Xhersi - Gjashtë persona, një familje turistë spanjollë dhe piloti kanë humbur jetën gjatë rrëzimit të helikopterit në lumin Hadson afër bregut të Nju Xhersit. Mes viktimave, sipas burimeve të poliisë është edhe Agustin Eskobar, drejtori i Simensit, së bashku me familjen e tij. Siç ka njoftua komisarja e policisë njujorkeze, Xhesika Tish, thirrja për ndihmën e shpejtë ka arritur në ora 15:17.
Nju Jork - Çmimi i arit ka arritur rekord të ri në kushte kur është rritur shqetësimi për luftë tregtare mes SHBA-së dhe Kinës. Një uncë ari tani kushton më shumë se 3.200 dollarë (2.454 stërlina), që është hera e parë që e kalon atë kufi, sepse investitorët kthehen drejt të ashtuquajturave "streha të sigurta". Frangu zviceran, një tjetër strehë e sigurt, ka arritur nivelin më të lartë në dhjetë vitet e fundit kundrejt dollarit amerikan, ndërkohë që shitja e obligacioneve të qeverisë së SHBA-së, e cila filloi në fillim të kësaj jave, vazhdon.
Uashington - Gjyqtarja federale e Bostonit Indira Talvani të enjten bllokoi vendimin e presidentit amerikan Donald Tramp për të revokuar statusin e përkohshëm të qindra mijëra kubanezëve, haitianëve, nikaraguanëve dhe venezuelanëve në SHBA. Në vendimin e tij, Talvani tha se vendimi për revokimin e statusit juridik të përkohshëm të emigrantëve për dy vjet u bazua në interpretim të gabuar të ligjit sepse këta emigrantë legalisht e kanë kaluar kufirin amerikan. Ajo tha se Trampi ka dashur ta përshpejtojë deportimin e 450.000 emigrantëve nga 24 prilli.