• e premte, 05 dhjetor 2025

MIA Flesh

MIA Flesh

18:00/ 30 prill/ 2025

Shkup - Kryeministri Hristijan Mickoski e përshëndeti dhe e vlerësoi si lajm të shkëlqyer informacionin për rritjen e prodhimit industrial për marsin prej 5,2 për qind në nivel vjetor, krahasuar me marsin e vitit 2024. "Rrugës nga Valencia drejt Shkupit, mora një lajm të shkëlqyer në avion: rritje e prodhimit industrial për muajin mars prej 5.2% në nivel vjetor, krahasuar me muajin mars të vitit 2024 dhe pas një kohe të gjatë, rritje e prodhimit industrial në nivel tremujor. Gjegjësisht, në tremujorin e parë të vitit 2025, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2024, prodhimi industrial është rritur për 2%. Veçanërisht gëzon fakti që po rritet industria përpunuese në mars për 4.8% dhe në tremujorin e parë për 3.6%", thotë Mickoski.

Shkup - Qeveria do të funksionojë normalisht dhe do të ketë pothuajse dy të tretën e mbështetjes në Kuvend. Ky është komenti i deputetit Bojan Stojanovskit nga VMRO-DPMNE, në pyetjen e gazetarëve për deklaratën e halil Snopçes nga ASH-ja e Taravarit, i cili tha se nëse partia e tyre është jashtë Qeverisë, është e pashmangshme çështja për zgjedhje të reja parlamentare. "Ne disa herë kemi thënë se shumica jozyrtarisht numëron dy të tretat gjegjësisht mbi 80 deputetë. Unë ju bind se edhe krahas kësaj situate, nëse bëhet aktuale, ndodh, Qeveria do të funksionojë krejt normalisht edhe më mirë se më parë. Ne jemi të gatshëm në çdo moment për zgjedhje të parakohshme, por ato nuk do të jenë bashkë me zgjedhjet lokale", u përgjigj Stojanovski në pyetjen e gazetarëve.

Shkup - Ministri i Drejtësisë, Igor Fillkov e dënon ashpër djegien e shtëpisë së drejtorit të Drejtorisë për ekzekutim të sanksioneve, Aleksandar Pandov dhe kërkon aksion vendimtar në të cilin do të konfirmohen shkaqet dhe do të dënohen ashpër kryesit e mundshëm.

Shkup - Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari dhe drejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor, Sasho Klekovski pasdite u dëshiroi sukses dhe fat, specializantëve para fillimit të testimit të tyre për punësim. "Në seancën e dytë të Qeverisë vitin e kaluar, morëm vendim për të zgjidhur problemin me praktikantët privatë. Kishte gjithsej 600 praktikantë, 584 praktikantë privatë aplikuan për aplikim. Procedura ka filluar që sot, konkurset janë të hapura në shumicën e spitaleve. Konkretisht, ishim në amfiteatrin e Imunologjisë, 89 kandidatë për punë, praktikantë privatë, të cilët do të punësohen në 13 klinika në Qendrën Klinike. Testimi për Tetovën dhe Gostivarin do të vazhdojë të hënën dhe në ditët në vijim javën e ardhshme, do të vazhdojë testimi për 300 praktikantët e parë, kështu që po zgjidhim një problem të kahershëm", shpjegoi ministri në një deklaratë për mediat.

Shkup - Në Kuvend është mbajtur seanca konstituive e Grupit ndërpartiak parlamentar për ndjekje të implementimit të detyrimeve nga Procesi i Berlinit dhe axhenda reformuese nga Plani për rritje. Nisma për këtë Grup është ngritur në tetor të vitit të kaluar dhe e njejta është pranuar nga të gjitha partitë", informojnë nga pres-shërbimi qeveritar. Në konstituimin e sotëm të saj, formalisht për kryetar të Grupit, unanimisht është zgjedhir nënkryetari i Kuvendit, Antonio Milloshoski, me propozim të koordinatorit të BMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski.

Shkup - Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari në deklaratën e sotme për mediumet tha se gëzohet që "Vlen"-i është bashkuar, ndërkaq si Aleancë për shqiptarët do të dalin me lista të veta në zgjedhjet lokale dhe me siguri me kandidatë për kryetarë të komunave. Taravari tha edhe se nuk është për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Shkup - Halil Snopçe, deputet nga krahu i Aleancës për Shqiptartë, i udhëhequr nga Arben Taravari, sot tha se përfaqësuesit e partisë nuk ishin të ftuar në mbledhjen e djeshme të Koalicionit qeveritar "VLEN". Snopçe para mediave theksoi se nuk e di se çfarë vendime janë marrë në këtë mbledhje.  "Nuk kam informacion zyrtar nga shërbimet e Kuvendit, nëse ata nëntë deputetë kanë kërkuar grup të veçantë parlamentar. Nëse kjo është e vërtetë, kjo nënkupton se Aleanca për Shqiptarët mbetet me pesë deputetë", tha Snopçe.

Shkup - Konfederata e Sindikatave të Lira (KSL) nuk do të marrë pjesë në protestën e nesërme sindikale me rastin e 1 Majit. Beson se në vend ka dialog më të mirë social dhe lëvizje sindikaliste të organizuar, si dhe se problemet gjithmonë zgjidhen në tryezë. Sipas kryetarit të KSL-së, Bllagoja Ralpovski, edhe pa sindikata përfaqësuese, në nivel të sindikatave qytetare është diskutuar me Qeverinë e cila ka treguar gatishmëri nga 1 maji të fillojë sërish edhe rritja më e madhe e pagave në sektorin publik, por, pse kjo nuk do të ndodhë duhet ta thonë, sipas tij, ata që do të protestojnë nesër.

Shkup - Anëtarët e Këshillit gjyqësor në seancën e sotme zgjodhën Zoran Dimitrievskin dhe Tatjana Dukovskën për gjyqtarë penal të Gjykatës Supreme. Dimitirevski dhe Dukovska janë gjyqtarë nga Gjykata e Apelit - Shkup. Në seancë Maja Markova u zgjodh për gjyqtare civile të Gjykatës Supreme, por nuk është bërë zgjedhja e kandidatëve Jetmir Ajdini Boshnjakov, Natasha Savoska Dimitrovska nga Gjykata e Apelit Shkup dhe Rafiz Idrizit nga Gjykata e Apelit Gostivar.

Shkup - Çmimet për storjet dhe fotografitë më të mira gazetareske me temën "Faktet dhe dezinformatat rreth ndryshimeve klimatike" u ndanë sot në Shtëpinë e Evropës në Shkup. Çmimi i parë për tekstin më të mirë gazetaresk "Ndotja e ajrit në Maqedoni merr 5.000 jetë në vit sikur të ishim në luftë" nga autoret Sunçica Nikollovska nga MRT, Mirjana Mirçevska Jovanoviq nga Kanal 5 dhe Pelagia Mladenovska nga IRL, të botuar në platformën Doma.edu.mk pranë Institutit për Studime të Komunikimit.

Tiranë - Partitë Popullore Evropiane kanë miratuar një rezolutë ku me gjuhë të vendosur ngrenë alarmin për manipulimin elektoral, kapjen e shtetit dhe rrënimin e standardeve demokratike në Shqipëri nën qeverisjen e Edi Ramës — veçanërisht në prag të zgjedhjeve të 11 majit 2025, publikoi Ora Njuz. Rezoluta thekson si shqetësime kryesore: blerje votash përmes parave në dorë dhe të ardhurave nga kanabisi; keqpërdorim i burimeve publike dhe tenderëve gjatë periudhës parazgjedhore; punësime elektorale dhe favorizim i mbështetësve të PS; emërim i paligjshëm i kryetarit të përkohshëm të Bashkisë Tiranë pas arrestimit të Erion Veliajt; shtypje e opozitës dhe kufizim i medias; ndjekje penale dhe presion mbi liderët dhe kandidatët e opozitës; pabarazi në aksesin mediatik dhe përqendrim i pronësisë së mediave në favor të qeverisë.

Ankara - Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan sot i hodhi poshtë kërkesat e grupeve kurde në Siri që ky vend fqinj të miratojë sistem të decentralizuar të sundimit, duke thënë se kjo është "asgjë më shumë se ëndërr e tyre". Mediumet britanike lajmëruan se partitë rivale siriane kurde, duke i përfshirë edhe Forcat demokrate siriane (SDF) në verilindje, në takimin e së shtunës u dakorduan të miratojnë vizion të përbashkët politik për pakicën kurde në vend.

 Kiev - Ukraina është e gatshme për negociata paqeje në çdo format, sapo Moska të tregojë vërtet se është e gatshme për rrugën e vështirë drejt paqes, tha sot Ministri i ukrainas i Punëve të Jashtme Andrij Sibiha. "Rusia mund të tregojë gatishmërinë e saj të vërtetë për bisedime paqeje duke rënë dakord për një armëpushim të vërtetë prej të paktën 30 ditë. Nëse Rusia është gati për një armëpushim 60 ose 90-ditor, edhe ne jemi", tha ai në një postim në rrjetin X.

Hagë - SHBA e arsyetoi bllokadën izraelite të ndihmës humanitare për Rripin e Gazës para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, raportoi DPA. Izraeli ka interes legjitim të sigurisë, tha përfaqësuesi juridik i Departamentit të Shtetit amerikan, Xhosh Simons, para gjykatës në qytetin holandez.

Bruksel - Bashkimi Evropian do të vazhdojë ta mbështesë popullin serb në aspiratat e saj evropiane, por pjesëmarrja eventuale e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në paradën ushtarake në Moskë, më 9 maj do të ketë ndikim në këtë angazhim, deklaroi sot zëdhënësi i Komisionit Evropian për zgjerim, partneritet ndërkombëtar dhe Mesdheun, Gijom Mersie. 

Bruksel - Komisioni Evropian nuk sheh ndonjë konflikt interesi në pjesëmarrjen e anëtarëve të tij në cilësinë e tyre si eurokomisarë në tubime ose takime partiake, deklaroi sot zëdhënësja e KE-së, Paula Pinjo në pëgjigjen e pyetjes për atë nëse pjesëmarrja e anëtarëve të Kolegjit të Kongresit të Partisë Popullore Evropiane (PPE) në Valencia nuk bie ndesh me Marrëveshjen për funksionimin e BE-së dhe Kodin e sjelljes.

Moskë - Arritja e marrëveshjes për ndërprerje të luftës midis Rusisë dhe Ukrainës është një procedurë shumë e ndërlikuar që të ndodh shpejtë, tha sot zëdhënësi i Kremlinit, Dmitrij Peskov, duke i komentuar frustrimet e SHBA-së për shkak të progresit të ngadaltë në negociatat për armëpushim në Ukrainë. "Jemi të vetëdijshëm se Uashingtoni dëshiron të arrijë progres të shpejtë, por shpresojmë për një mirëkuptim se zgjidhja e krizës është shumë e ndërlikuar që të arrihet menjëherë. Ekzistojnë shumë detaje dhe një numër i madh i nuancave që duhet të zgjidhen para se të arrihet marrëveshje", tha Peskov në konferencën për media.

Jerusalem - Të paktën 12 persona, mes të cilëve edhe dy foshnje, kanë marrë lëndime të lehta dhe janë hospitalizuar pas zjarreve që shpërthyen sot në muret në afërsi të Jerusalemit, kumtoi Ndihma e Shpejtë Mjekësore. Shtohet se shumica e pacientëve janë hospitalizuar për shkak të pasojave të thithjes së tymit, ndërsa 10 persona tjerë kanë pasur nevojë për ndihmë mjekësore në vendin e ngjarjes.

Uashington - Pala ukrainase dhe ajo amerikane përpiluan listë të kushteve për përfundim të luftës, e cila përfshin 22 "aksione shumë konkrete", deklaroi i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan, Donald Tramp për Ukrainën, Kit Kelog. "Ukrainasve nuk u pëlqyen të gjitha kushtet, por askujt nuk do t'i pëlqejë qëndrimi përfundimtar që do ta merrni. Kjo është në rregull kur keni negociata. Por, ne jemi në pozitë mjaft të mirë me ta", deklaroi Kelog për Foks njus.

 Uashington - Presidenti amerikan, Donald Tramp, i tha Presidentit ukrainas Volodimir Zelenskit në Vatikan se SHBA-ja, e  jo Ukraina, do ta njohin Krimenë si pjesë të Rusisë, raportoi Aksios. "Sipas burimit anonim, Zelenski përsëriti gjatë takimit se nuk e njeh Krimenë si ruse dhe Trampi e bëri të qartë se nuk e kërkon këtë prej tij. Plani është që Shtetet e Bashkuara të Amerikës ta bëjnë këtë, jo Ukraina", sipas raportit të portalit amerikan. 

QËNDRONI TË LIDHUR