• e enjte, 25 korrik 2024

Maxhovski për MIA-n: Ndryshime ligjore për menaxherët e përkohshëm në ndërtesa për banim cilësor dhe të rregulluar  

Maxhovski për MIA-n: Ndryshime ligjore për menaxherët e përkohshëm në ndërtesa për banim cilësor dhe të rregulluar  

Shkup, 5 gusht 2023 (MIA) - Ndryshimet ligjore do të lejojnë emërimin e një menaxheri të përkohshëm në ndërtesat, i cili pritet të tejkalojë problemin në shumicën e ndërtesave që ende nuk kanë rregulluar menaxhimin në pjesët e përbashkëta në përputhje me Ligjin për banim. Kështu, sipas Komisionit rregullator për banim, do të ndihmojë ndjeshëm qytetarët në tejkalimin e problemeve dhe vështirësive të shumta në drejtim të mbajtjes së një mbledhjeje të pronarëve dhe marrjes së vendimeve.  

"Një numër i madh ndërtesash ende nuk kanë menaxherë  ose kanë krijuar bashkësi të banuesve, domethënë funksionojnë sipas mënyrës së vjetër me një këshill shtëpie që nuk ekziston si institucion. Edhe bashkësia e banuesve duhet të regjistrohet në Regjistrin qendror. Kështu është në botë dhe vetëm në këtë  mënyrë funksionimi mund të rregullohet sidomos me rritjen e banimit kolektiv në vend. Ky problem i madh mund të tejkalohet me emërimin e një menaxheri të përkohshëm nga kryetarët e komunave ose Komisioni rregullator i banimit", shprehet kryetari i Komisionit Zoran Maxhovski në bisedë për MIA-n.  

Me ndryshimet do të rritet mundësia e përfshimit me menaxhim të ndërtesave që përbëhen nga pesë ose më shumë pjesë të veçanta, gjë që pritet të kontribuojë në rritjen e angazhimit të menaxherëve profesionistë, si dhe mundësinë e punësimeve të reja në këto subjekte juridike. Deri më tani, me Ligjin është mundësuar që të ketë menaxher në një objekt me mbi tetë apartamente.  

Propozohet gjithashtu që shuma e paguar për licencën e menaxherit të rritet në 1000 euro, që tani arrin 150 euro për një periudhë pesë vjeçare, si dhe të lejohet punësimi i dy personave me arsim të lartë pa kufizim të fakultetit dhe tre personave me arsim të mesëm. Me ndryshimet gjithashtu propozojnë që rregulloret që rrjedhin nga Ligji i banimit duhet të sillen nga Komisioni rregullator i banimit, e jo nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve.  

Nga Komisioni presin që ndryshimet të hyjnë së shpejti në procedurën qeveritare dhe të kapërcejnë anomalitë në zbatimin e Ligjit ekzistues të banimit.  

66 menaxherë të licencuar të regjistruar, 10 deri në 15 për qind meritor për 'kaosin' në banimin  

Sipas Maxhovskit, kaosi në strehim shkaktohet nga 10 deri në 15 për qind e menaxherëve të licencuar, por gishti nuk duhet t'u drejtohet vetëm atyre, por edhe banuesve që duhet të kuptojnë se përgjegjësia kolektive është thelbësore në banimin kolektiv.  

Nga të dhënat e këtij organi rregullator rezulton se në të gjithë vendin janë 66 subjekte juridike që kanë licencë për administrimin e objekteve të banimit. Nga janari deri në fund të korrikut të këtij viti, organi rregullator ka lëshuar shtatë licenca, pesë janë vazhduar, tre janë hequr dhe një person juridik e ka kthyer licencën. Deri më tani janë lëshuar 120 licenca, nga të cilat 50 janë hequr për shkaqe të ndryshme - mospërmbushje e kushteve, skadimi i vlefshmërisë ose kthimi i saj.  

Maxhovski në bisedë me MIA-n vlerëson se rritja e numrit të ndërtesave kolektive ka prishur cilësinë e banimit duke zvogëluar sipërfaqet e gjelbra në kurriz të më shumë hapësirave të parkimit, por edhe nga pikëpamja e mirëmbajtjes, si për shkak të vështirësive të menaxhimit të organizuar ashtu edhe për shkak të mungesës së ndjenjës së përgjegjësisë kolektive.  

"Banimi kolektiv në 20 vitet e fundit është rritur intensivisht në të gjithë vendin, veçanërisht në qendrat më të mëdha urbane, e më së shumti në Shkup. Numri i njësive të veçanta në ndërtesat e banimit kolektiv është rritur, krahasuar me më herët kur po ndërtohej shumë më pak, por është organizuar ndryshe. E ka bërë këtë kryesisht përmes modifikimit të planeve urbane dhe komercializimit absolut të banesave, sepse shumë subjekte juridike dhe persona me më shumë para filluan të angazhohen në biznesin e ndërtimit të banesave. Kontribuon gjithashtu në migrimin nga vendet e vogla në kryeqytet, dhe kështu ekziston një pamje jorealiste se ka një numër të madh apartamentesh në kryeqytet  që nuk janë të banuara ose jepen me qira, e në fakt pronarët janë nga qendrat  tjera. Automatikisht, me rritjen e numrit të ndërtesave kolektive, cilësia e vërtetë e banimit është çrregulluar, në drejtim të zvogëlimit të sipërfaqeve të gjelbra, sepse tani bulevardet dhe parqet  me komercializim sulmohen me ndërtesa kolektive të banimit", shprehet Maxhovski.  

Si arsye e dytë për kushtet e pafavorshme, Maxhovski përmend rritjen e hapësirave të parkimit për shkak të rritjes së numrit të automobilave. Dikur, secila familje kishte nga një automobil, tani sa anëtarë ka aq ka edhe automobila dhe kjo krijon kaos urban jo vetëm në Shkup, por edhe në qytetet tjera të mëdha urbane, Manastir, Prilep, Shtip, Strumicë, Kumanovë, Tetovë në veçanti, Gostivar. Të gjithë kanë problem serioz. 

"Gjithashtu, cilësia e vetë ndërtesave është në rënie për një sërë arsyesh. Në çdo ndërtesë banimi ka banesa që nuk janë të banuara. Ato janë blerë nga dikush, pronarët janë ose në qytete të tjera të vendit ose janë jashtë vendit, por i posedojnë ato. Këto ndërtesa menaxhohen nga drejtues të licencuar që arkëtojnë për mirëmbajtjen e ndërtesës nga të gjithë ata që kanë banesa, e nëse dikush nuk është i pranishëm, ata kanë problem me arkëtimin, e kur ka një problem me arkëtimin, kanë problem me mbledhjen e mjeteve, e kur ka më pak mjete, cilësia e banimit zvogëlohet absolutisht. Nga ana tjetër, kemi edhe problem me mendimin e individëve që imagjinojnë se duhet ta përdorin hapësirën e përbashkët si të tyren, domethënë duhet ta mbyllin, ta kapin, e kur duhet të investojnë në të e konsiderojnë të huaj dhe nuk u intereson fare banesa e tyre apo hapësira e përbashkët. Banimi kolektiv është i rëndësishëm këtu, por kjo është arsyeja pse themi përgjegjësi kolektive. Ai që është në katin e fundit duhet të mendojë se edhe kati i parë ashtu edhe e gjithë vertikalja e kanalizimit, hidraulikut, ashensorit, qasjes, ngrohjes, është e tij dhe duhet të investohet", shprehet Maxhovski.  

Si organ rregullator, ata zhvillojnë një fushatë për t 'i bërë të vetëdijshëm banuesit se e gjithë ndërtesa është e tyre dhe se hapësira e përbashkët është e tyre dhe se të gjithë duhet të investojnë në mënyrë të barabartë për ambientet e përbashkëta, për fasadën, korridoret, ashensorët, kanalizimet, hidraulikët, izolimin,  çatinë...  

Siç thekson Maxhovski, mbikëqyrja kryesore për të gjitha aktivitetet në banimin kolektiv është nga inspektorët e banimit të caktuar nga kryetari i komunës.  

"Marrim një sërë parashtresash dhe ankesash dhe nëse ato janë brenda objektit të punës së inspektorëve, ia përcjellim personit që ka dorëzuar parashtresën. Sapo të marrim përgjigje nga inspektori për aktivitetet e ndërmarra, ia paraqesim personit që ka parashtruar parashtresën. Nëse inspektori nuk dëshiron të veprojë për aktivitete të caktuara, njoftojmë kryetarin e komunës, por në të njëjtën kohë ngremë edhe mekanizma të tjerë pse inspektori nuk ushtron kompetencën e tij", sqaron Maxhovski.  

Funksionimi i paligjshëm i menaxherëve të konstatuar kryesisht me mjetet nga fondi rezervë, konkurrenca e pandershme është gjithashtu një problem Komisioni rregullator i banimit jep licenca menaxhimi në kushte të caktuara dhe nëse konstaton se ato nuk janë përmbushur, i heqë ato. Kjo bëhet në rast se menaxheri nuk ka numrin e përcaktuar të punonjësve, një me arsim të lartë nga Fakulteti Juridik ose Ekonomik dhe dy me arsim të mesëm, ose nëse mjetet e detyrueshme prej 5.000 euro nuk janë vazhdimisht në llogarinë e tij. Një mënyrë tjetër për heqjen e licencës është në bazë të konstatimit të inspektorit për funksionim të paligjshëm.  

Maxhovski shprehet se puna e paligjshme e menaxherëve më së shpeshti ndodh në fushën e raporteve financiare, mostransferimit të mjeteve, mosdeklarimit të mjeteve, shpenzimit të padedikuar të mjeteve të qytetarëve, veçanërisht nga fondi rezervë.  

Më shpesh ka problem kur disa qytetarë nuk janë të kënaqur me ndonjë menaxher, marrin një vendim për ta ndryshuar atë dhe lidhin kontratë me një tjetër. Menaxheri që është zëvendësuar ka tetë ditë për të transferuar mjetet nga fondi rezervë në shoqërinë tjetër që është përzgjedhur ose bashkësinë e banuesve që është zgjedhur për mirëmbajtjen e asaj ndërtese. Kjo nuk ndodh, dhe më së shpeshti kemi një numër të madh shpërdorimesh. Edhe para këtij mandati të Komisionit, ka pasur edhe raste të tilla nga shpërdorimi i mjeteve të tilla. Kur marrim informacion të tillë, ne menjëherë njoftojmë inspektorin, dhe nëse ai merr një vendim apo jo, ne njoftojmë Policinë Financiare dhe Drejtorin e të Ardhurave Publike, të cilat më së shpeshti nuk reagojnë,  si dhe Departamentin për Krimin e Organizuar në Ministrinë e Brendshme. Kështu, janë ngritur disa kallëzime penale ndaj drejtuesve që transferojnë këto fonde dhe tashmë ka disa në procedime hetimore që nuk kanë përfunduar, e disa janë sjellë edhe në Prokurori, informoi Kryetari i Komisionit, duke theksuar se shumë ankesa u kanë ardhur nga mirëmbajtja e vazhdueshme e higjienës, ndryshimi i llambave, problemet me “Ujësjellësin dhe kanalizimet”.  

Maxhovski vë në dukje edhe rastet e shpërdorimit nga subjektet juridike që kanë humbur licencat e tyre.  

“Për momentin, ka përsëri një ndërmarrje që i është hequr licenca që në tetor 2021, dhe ata ende paraqiten në treg, duke menaxhuar, kanë kontrata. Kjo është ndërmarrja "Vitorija". Pasi të heqim licencën, nuk kemi më kompetenca, por kur marrim informacion se është aktive, lajmërojmë të gjitha institucionet sepse kjo është konkurrencë e pandershme dhe mbledhje mjetesh në mënyrë të paligjshme, mospagesë ndaj shtetit. Ekziston një ndërmarrje në Kumanovë që i është hequr licenca, dhe ne kemi informacione se ajo vazhdon të punojë. Nga 66 subjekte juridike aktive në menaxhim, 85 për qind po bëjnë punën e tyre siç duhet, por 15 për qind  janë menaxherë të licencuar që po bëjnë kaos në mirëmbajtje", bën të ditur kryetari i KRRB-së.  

Dyzet për qind e qytetarëve nuk përmbushin detyrimet e tyre ndaj menaxherëve  

Nuk mundemi, thotë ai, të fajësojmë vetëm menaxherët. Edhe qytetarët, sipas informacioneve të Grupit të drejtuesve në Odën ekonomike, nuk përmbushin detyrimet e tyre.  

“Ata kanë ankesa ndaj menaxherëve, por nëse i pyesim nëse po ushtrojnë kompetencat e tyre në kontratën që kanë lidhur me menaxherin, një pjesë e mirë, respektivisht 40 për qind, nuk e bëjnë atë. Kjo ndodh për një sërë arsyesh. Një kategori janë me ata që nuk janë këtu. Nëse ata janë jashtë shtetit, vijnë në një periudhë të caktuar dhe papritmas do të shlyejnë detyrimet e tyre, por problemi janë ata që nuk paguajnë faturat. Këtu ka mekanizëm. Menaxheri do t'i paralajmërojë ata një herë, pastaj një herë të dytë në përputhje me ligjin, e pastaj do t'i lëshojë tek një përmbarues që do t'ua marrë paratë dhe ndodh një problem edhe më i madh. Një kategori tjetër janë banuesit socialë, të vendosur në banesë në mënyrë të paligjshme. Problem serioz është edhe papërgjegjësia ndaj hapësirës së përbashkët, pra uzurpimi i hapësirës së përbashkët me aktivitete ndërtimore. Pothuajse kishim një pyetje të tillë - po sikur të mblidhnim 51 për qind të banuesve për mbylljen e një hapësire të caktuar të hapësirës së përbashkët për nevojat vetanake. Ata mund të japin pëlqimin, por nëse ajo hapësirë është e destinuar për një funksionalitet të caktuar të ndërtesës kolektive, ajo nuk mund të ridedikohet në asnjë bazë, e madje edhe nëse dëshiron ta ridedokojë atë, duhet të marrë leje ndërtimi nga Sektori për urbanizëm të komunës. Nëse në ndërtesë është parashikuart të vendosen shkallë zjarrfikëse, komuna nuk duhet të japë lejen ose pëlqimin të japin 100 për qind e banuesve. Nuk e di sa raste të tilla ka gjithsej, por ka", sqaron Maxhovski.  

Ai shton se ka shembuj kur hapësira e përbashkët ose një pjesë e shkallëve është e ndarë, hapësira për personat me aftësi të kufizuara është e uzurpuar dhe ka raste kur banuesi që jeton pranë shkallëve që shkojnë në hapësirën e papafingo vendos ta përdorë atë hapësirë dhe vendos shufra në të.  

"Kjo nuk guxon të bëhet. Qasja në papafingo, në dritaret për ashensor, për ngrohje, shkallët zjarrfikëse, duhet të jetë gjithmonë hapur 24 orë", tha Maxhovski.  

Inspektori i ndërtimit është përgjegjës për uzurpimet me aktivitete ndërtimore dhe në raste të tilla informojnë kryetarin e komunës. Në rast se hapësira e përbashkët pengohet me zhardinerë, dollapë, biçikleta, të cilat konsiderohen si elementë lëvizës, përgjegjës është inspektori i banimit që sjell një zgjidhje dhe i detyron ata t'i largojnë ato.  

Për të gjithë shtetin, janë kompetentë vetëm 16 inspektorë banimi  

Sipas Maxhovskit, problemi është numri i pamjaftueshëm i inspektorëve të banimit. Në vitin 2021, kishte vetëm 10 inspektorë për të gjitha komunat urbane, katër prej tyre për Shkupin. Pas fushatës që ata zbatuan me komunat, tani ka 16 inspektorë, por edhe at nuk janë të mjaftueshëm.  

"Në komunat urbane në vitin 2021 ka pasur gjithsej 10 inspektorë banimi, nga të cilët vetëm katër për Shkupin. Ka pasur në Karposh, Gazi Babë, Qendër dhe Aerodrom. Nuk kishte në asnjë nga komunat tjera. Nuk qytetet tjera nuk ka në Prilep, në Gostivar, Tetovë, Strugë, Kërçovë. Pas konstatimit të tillë, Komisioni rregullator bëri një fushatë në ndihmë të kryetarëve të komunave dhe komunave sepse kuptuam se ata nuk ishin të vetëdijshëm se ishin kompetentë për banimin, e jo Komisioni rregullator i banimit. Kur shkuam te kryetarët e komunave, ata nuk ishin kryesisht të njoftuar me banimin. Në Evropë dhe në mbarë botën, i kushtohet rëndësi e madhe banimit, gjë që nuk ndodh te ne. Është ende risi, ende shumë komuna nuk dinë se si, nuk e kuptojnë se janë ato që duhet të rregullojnë banimin përmes inspektorit. Ne bëmë një fushatë përmes së cilës treguam rëndësinë dhe e cila kontribuoi në rritjen e numrit të inspektorëve në 16, respektivisht plus gjashtë inspektorë, dy prej të cilëve janë në Çair dhe në Kisella Vodë. Ka efekt, por nuk jemi të kënaqur me rritjen e numrit, veçanërisht në Shkup ku ndodhen shumica e ndërtesave kolektive. Kemi komuna si Aerodromi me inspektor që ka kompetenca të tjera dhe që nuk mund të mbërrijë të shoh ankesat, e lëre më të dalë në terren. Kemi komuna në Shkup që kanë nevojë për jo një, por dy ose tre inspektorë - Qendër, Aerodrom, Kisella Vodë, Karposh...", informon Maxhovski.  

Mungesa e stafit haset edhe nga Komisioni rregullator i banimit, ku që nga fillimi i punës në vitin 2011 nuk është punësuar asnjë nëpunës i vetëm administrativ, ndërsa ata kanë vëllim të shtuar të punës.  

"Që në fillim kanë qenë dy nëpunës të punësuar administrativë  dhe një person teknik. Me sistematizim janë parashikuar nëntë nëpunës administrativë dhe një person teknik. Ne vazhdimisht kërkojmë pëlqimin për punësim, por Ministria e Financave gjithmonë i refuzon ato. Në shtator, një nëpunës administrativ del në pension dhe ne mbetemi me një nëpunës administrativ dhe një person teknik", thekson Maxhovski.  

Lidija Vellkovska  

Foto: Darko Popov

QËNDRONI TË LIDHUR