• e diel, 22 dhjetor 2024

Drejtori i Drejtorisë për kryerjen e sanksioneve paralajmëroi takim me drejtorin e burgut “Idrizovë”, do të bisedojnë për mangësitë e konstatuara

Drejtori i Drejtorisë për kryerjen e sanksioneve paralajmëroi takim me drejtorin e burgut “Idrizovë”, do të bisedojnë për mangësitë e konstatuara

Shkup, 24 korrik 2024 (MIA) - Javën e ardhshme do të takohemi me drejtorin e burgut “Idrizovë”, Zoran Jovanovski, për të diskutuar mbi mangësitë dhe problemet me të cilat ballafaqohen, deklaroi drejtori i Drejtorisë për kryerjen e sanksioneve, Aleksandar Pandov.

Në deklaratën për MIA-n pas vizitës së sotme në burgun “Idrizovë”, Pandov informoi se ndër sfidat që do të jenë temë e bisedës në takimin me drejtorin e burgut do të jenë edhe mbikëqyrja video me sensorë për lëvizje, lëshimi në përdorim i ndërtesave të vjetra, si dhe fillimi i fazave të tjera të ndërtimit.

"U informova se aty kemi disa godina që janë të burgut të vjetër dhe do të vihen në përdorim ku pjesa më e madhe e personave të vendosur në ambulancë do të transferohen në repartin e pestë. Ambulanca do të lirohet dhe do të ulen tensionet. Jam duke punuar intensivisht që gjatë vitit të ardhshëm të fillojnë edhe dy fazat e tjera të ndërtimit të burgut “Idrizovë”, tha Pandovi.

Ai shtoi se janë pajtuar që së shpejti të mblidhet Shtabi i krizës dhe të merren vesh për të gjithë hapat konkretë që duhet të ndërmerren dhe çështjet e sigurisë që duhet të zgjidhen.

Pandov tha se gjatë mbikëqyrjes kanë konstatuar se ka mungesë të një numri të madh të personelit, duke filluar nga policët e burgjeve deri te personat që punojnë në sektorin e risocializimit. Ai gjithashtu përmendi se kanë diskutuar për përdorimin e tokës nga burgu.

"Burgu në vete ka njëqind hektarë tokë. Ka programe eksperimentale në Ministrinë e Bujqësisë, të përpiqemi të marrim disa farëra, fidanë, një pjesë të tyre ta vëmë në funksion meçka një pjesë e ekonomisë do të ndihmonte për vetë burgun. Është shumë e rëndësishme që të burgosurit gjatë ditës të kenë një obligim pune", ka thënë Pandov.

Pandov informoi se nuk kanë kontrolluar numrin e të burgosurve, por janë informuar se të burgosurit janë në numër dhe bëhen kontrolle të rregullta.

Vizita në “Idrizovë” vjen pas kontrollit të jashtëzakonshëm në Burgun “Shkup”, ku, siç informoi atëherë Pandovi është konstatuar se lista e të burgosurve që kanë marrë nga policia nuk korrespondon me gjendjen faktike që e kanë hasur.

Foto: arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR