• e martë, 12 nëntor 2024

Besimi: U miratua strategjia e re fiskale 2024-2028 

Besimi: U miratua strategjia e re fiskale 2024-2028 

Shkup, 14 qershor 2023 (MIA) - Vazhdimi i konsolidimit fiskal, zvogëlimi gradual i deficitit buxhetor dhe borxhit publik, stimulimi i aktivitetit ekonomik përmes shpenzimeve kapitale dhe investimeve infrastrukturore, si dhe përmirësimi i kushteve për zhvillimin e biznesit dhe hapjen e vendeve të reja të punës janë rezultatet e pritura nga projeksionet afatmesme të përfshira në Strategjinë fiskale të Republikës së Maqedonisë së Veriut për periudhën 2024-2028, e hartuar nga Ministria e Financave dhe e miratuar nga Qeveria në mbledhjen e fundit.

Siç informoi sot Ministria e Financave, strategjia fiskale përfshin indikacionet dhe pikësynimet afatmesme të politikës fiskale, projeksionet bazë makroekonomike, vlerat për kategoritë kryesore të të hyrave dhe shpenzimeve të vlerësuara, si dhe projeksionet për deficitin buxhetor dhe borxhin.  Ajo u hartua në përputhje me Ligjin e Buxheteve, me të cilin u përcaktuan, të harmonizuara me rregullat fiskale të BE-së, në mënyrë që politika fiskale të jetë e qëndrueshme në periudhë afatmesme.

“Strategjia fiskale është dokument i rëndësishëm që përcakton indikacionet afatmesme me të cilat do të menaxhohet politika fiskale në periudhën e ardhshme. Elementet kyçe të politikës fiskale afatmesme janë rihartimi i politikës buxhetore dhe konsolidimi fiskal, të cilat janë në drejtim të përkrahjes së stabilitetit makroekonomik, përshpejtimit të rritjes ekonomike dhe në këtë mënyrë përforcimit të potencialit për rritjen e ekonomisë vendase”, thekson ministri i Financave, Fatmir Besimi.

Në periudhën e ardhshme afatmesme pesëvjeçare, vazhdojmë me përcaktimin që shpenzimet të jenë në funksion të realizimit të prioriteteve strategjike, përshpejtimit të rritjes ekonomike, prioritet për proceset integruese të Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE, si dhe detyrimeve që rezultojnë nga anëtarësimi në NATO.

Nga MF theksojnë se në përputhje me Strategjinë fiskale, duke reduktuar efektet negative të goditjeve të njëpasnjëshme, pritet normalizimi i zhvillimeve globale, ulja e presioneve inflacioniste dhe forcimi i aktivitetit ekonomik midis partnerëve tanë kryesorë tregtarë, me ç’rast do të kontribuojë në rritjen e kërkesës së jashtme dhe në drejtim të një mjedisi të favorshëm për investime.

Vazhdon përcaktimi i konsolidimit fiskal dhe uljes në mënyrë graduale të deficitit buxhetor prej 4.6% në vitin 2023 në 3.4% në vitin 2024, 3.0% në vitin 2025 dhe 2026, 2.8% në vitin 2007 dhe ta arrijë nivelin prej 2.5% në vitin 2028. Konsolidimi fiskal do të vazhdojë me përkrahjen e ekonomisë nëpërmjet investimeve në projektet infrastrukturore, ridizajnimin e strukturës së financave publike me rritje të pjesëmarrjes së shpenzimeve kapitale, si dhe në përforcimin e procesit të planifikimit, realizimit dhe informimit sa i përket financave publike. Fokusi i politikës fiskale vijon të jetë mbi sigurimin e nivelit të konsiderueshëm të investimeve publike, që paraqesin parakusht për përmirësimin e perspektivave ekonomike, si dhe për jetesën më të mirë të qytetarëve. Si rezultat i kësaj, projeksionet fiskale afatmesme e posedojnë komponentin e fuqishëm zhvillimor, me pjesëmarrje të konsiderueshme të shpenzimeve kapitale me mbi 5% të PBB-së në nivel vjetor dhe janë elemente kryesore të financave publike. Në periudhë afatmesme, respektohet rregulli i artë i financave publike: shpenzimet kapitale do të jenë më të larta se deficiti buxhetor, përkatësisht do të huazohet vetëm për financimin e projekteve investuese.

Sipas MF-së, realizimi i buxhetit do të menaxhohet sipas parimit të vlerës së parave (“value for money”), ku do të tregohet kujdes që paratë e qytetarëve të shfrytëzohen aty ku japin efektet më të mëdha në arritjen e qëllimeve për cilësi më të lartë jetese. Vlerat e planifikuara të mjeteve në periudhën e ardhshme paraqesin intensifikimin e projekteve infrastrukturore, përkatësisht, investimet në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore, infrastrukturën energjetike dhe komunale, si dhe investimet kapitale për përmirësimin e kushteve në sistemin shëndetësor, arsimor dhe social, pastaj kushteve në bujqësi, kulturë, sport, mbrojtje të mjedisit jetësor dhe në gjyqësor. Realizimi i shpenzimeve kapitale dhe projekteve infrastrukturore në fushat prioritare, në përputhje me politikat qeveritare, pritet t'i gjenerojnë efekte pozitive multiplikative mbi rritjen ekonomike në periudhë afatmesme dhe ta përshpejtojnë konvergjencën ekonomike reale drejt ekonomive evropiane.

Sigurimi i rritjes dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik me Strategjinë fiskale është prioriteti kryesor i politikës tatimore, që destinohet në përmirësimin e efikasitetit dhe efektivitetit në arkëtimin (inkasimin) e të hyrave, rritjen e transparencës tatimore, cilësinë më të mirë të shërbimeve dhe uljen e barrës administrative.

Me anë të kësaj strategjie pritet që ruajtja e stabilitetit makroekonomik dhe qëndrueshmërisë fiskale të krijojë kushte më të favorshme për dinamizmin e aktivitetit ekonomik dhe arritjen e normës mesatare të rritjes prej 5% në periudhën 2024-2028. Konsumi privat pritet të arrijë rritje mesatare vjetore prej 3.5%, konsumi publik do të rritet mesatarisht prej 1%, eksporti pritet ta ruajë nivelin solid me projektimin e rritjes prej 8.5%, me ç’rast priten zhvillime pozitive edhe në investimet e huaja, si dhe pritet vazhdimi i rritjes së pagës mesatare prej 6%


Ministria e Financave e harton Strategjinë fiskale dhe ia dorëzon Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke marrë parasysh prioritetet strategjike të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe propozimet e shrytëzuesve amë buxhetorë. Ministria e Financave, këtë vit e publikoi për herë të parë në ueb faqen e saj planin me afate kohore për përgatitjen e strategjisë fiskale.


Strategjia fiskale afatmesme është në përputhje me qëllimet afatmesme fiskale dhe prioritetet strategjike të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe mundëson monitorimin e dinamikës së të hyrave dhe shpenzimeve në raport me qëllimet fiskale. Një nga prioritetet më të mëdha të Qeverisë është përmirësimi i menaxhimit të financave publike dhe përforcimi i buxhetimit afatmesëm për 5 vitet e ardhshme. Kjo është gjithashtu pjesë e procesit për aderimin e vendit në BE. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR