• петок, 05 декември 2025

Çuçul: Lufta kundër korrupsionit nuk është garë midis institucioneve, por front i përbashkët në krijimin e një shoqërie më të mirë

Çuçul: Lufta kundër korrupsionit nuk është garë midis institucioneve, por front i përbashkët në krijimin e një shoqërie më të mirë

Shkup, 4 dhjetor 2025 (MIA) - Qytetarët sot me të drejtë presin rezultate, presin që vullneti deklarativ për luftë kundër korrupsionit të ndjehet në praktikë. Lufta kundër korrupsionit nuk është një garë midis institucioneve, është një front i përbashkët në krijimin e një shoqërie më të mirë për të gjithë, tha sot kryetari i Komisionit shtetëror për parandalimin e korrupsionit, Adem Çuçul në aktivitetin kushtuar 9 dhjetorit - Ditës ndërkombëtare kundër korrupsionit.

Në fjalimin e tij, kryetari i sapozgjedhur i KSHPK-së theksoi se është nder i madh të jesh në krye të këtij institucioni, por theksoi se përgjegjësia është edhe më e madhe, veçanërisht në një kohë kur pritjet e publikut janë të larta, ndërsa nevoja për integritet dhe ndryshime sistemike është e nevojshme dhe urgjente.

Ai në fjalimin e tij iu referua aktiviteteve kryesore të KSHPK-së në periudhën e ardhshme që synojnë ndërtimin e një sistemi më efikas për parandalimin e korrupsionit - përgatitjen e një strategjie të re kombëtare për parandalimin e korrupsionit 2026-2030, promovimin e integritetit dhe rritjen e ndërgjegjësimit publik për lobim.

"Qëllimi është që përmes këtyre mekanizmave të forcohet besimi në institucione, të forcohet kapaciteti i tyre, të mbrohet interesi publik dhe të kontribuohet për një afrim më të mirë dhe më të shpejtë të Maqedonisë së Veriut me familjen evropiane", tha njeriu i parë i KSHPK-së.

Përgatitja e Strategjisë së re kombëtare është në fazën përfundimtare dhe siç theksoi ai, vizioni i tyre është që ajo të mos jetë vetëm një deklaratë, por një mjet për ndryshim të vërtetë.

"Prandaj, ajo do të jetë koncize dhe e fokusuar në sektorët më të prekshëm ndaj korrupsionit, me masa dhe aktivitete të qarta dhe të arritshme. Për suksesin e Strategjisë kombëtare nevojitet angazhim i gjithë shoqërisë, Kuvendit, Qeverisë, vetëqeverisjes lokale, gjyqësorit, sektorit civil, medias”, tha Çuçul.

Kryetari i Kuvendit Afrim Gashi theksoi se korrupsioni nuk është vetëm një vepër penale ligjore, por një plagë e thellë shoqërore që prek jetën e çdo qytetari, themelet e demokracisë dhe ngadalëson potencialin ekonomik.

"Është ajo dorë e padukshme që ua vjedh njerëzve të drejtat dhe shpresat. Për fat të keq, ky ves është edhe arsyeja kryesore pse mendjet tona më të ndritura e shohin të ardhmen e tyre larg vendit. Dhe, kjo nuk është më vetëm një perspektivë e kundrimit të realitetit, por një realitet i konstatuar në çdo raport ndërkombëtar dhe në çdo anketë vendore. Ndonëse politika supozohet ta përmirësojë jetën dhe ta ndërtojë të ardhmen, është fatkeqësi kur një vend arrin në atë pikë ku fjala “politikë” për shumë qytetarë asocon me fjalën “korrupsion”. Ky është indikator që nuk kemi të bëjmë më vetëm me një problem institucional, por më shumë me një plagë në kulturën shoqërore, një mentalitet të rrënjosur ndër vite me abuzime e zhgënjime. Dhe, përballë kësaj gjendjeje, nuk është e mjaftueshme që vetëm të reagojmë, por mbi të gjitha ne, të gjithë bashkë, duhet të reflektojmë, ta pranojmë hapur sfidën dhe të veprojmë me guxim", ka thënë Gashi.

Ai shton se Strategjia e re kombëtare për parandalimin e korrupsionit 2026–2030 përbën një kthesë të domosdoshme, pasqyron një vizion të ri për mënyrën se si duhet të funksionojë shteti – një vizion i ndërtuar mbi analiza serioze të riskut, mbi praktika europiane, si dhe mbi konsultime të gjera me institucione, ekspertë, partnerë ndërkombëtarë dhe shoqërinë civile.

"Derisa Strategjia është në fazën e saj më intensive të përgatitjes, dua ta vlerësoj në veçanti punën e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe ta rikonfirmoj mbështetjen e plotë të Kuvendit për këtë proces. Jam i bindur se asnjë strategji, sado e mirë të jetë, nuk mund të japë rezultate pa një Kuvend të përgjegjshëm, aktiv dhe të pavarur në ushtrimin e funksioneve të tij. Kuvendi është gurthemel i shtetit ligjor dhe institucioni ku vendosen standardet e integritetit publik. Përmes funksionit ligjvënës, ne i mbyllim hapësirat për abuzim; përmes funksionit mbikëqyrës, kërkojmë llogari nga ekzekutivi; dhe, përmes funksionit përfaqësues, ne jemi zëri i qytetarëve që kërkojnë, presin dhe meritojnë drejtësi dhe ndershmëri", tha Gashi.

null

Në këtë frymë, që prej ditës kur e mora përgjegjësinë ta udhëheq këtë institucion, kam vendosur prioritete të qarta për standard të ri të transparencës, forcimin e llogaridhënies, avancimin e etikës institucionale dhe hapjen e Kuvendit ndaj shoqërisë.

"Ne i kemi filluar disa procese të reja digjitalizimi dhe i kemi konsoliduar mekanizmat që e bëjnë Kuvendin shembull të integritetit, kjo sepse vetëm një institucion që e mban vetë standardin më të lartë moral dhe juridik, mund ta kërkojë të njëjtën nga të tjerët dhe të kontribuojë realisht në një shtet të drejtë dhe pa korrupsion. Prandaj, sa i përket Kuvendit, dua të jem i saktë dhe i qartë: Kuvendi nuk është spektator i kësaj beteje, por busulla që e orienton shtetin në rrugën e integritetit", ka shtuar Gashi.

Gashi ka thënë se korrupsioni as nuk luftohet i vetëm dhe as vetëm me ligje e strategji, por me kulturë integriteti, me shembull personal, me përgjegjësi politike dhe me ndërgjegje mbarëqytetare, luftohet dhe fitohet me refuzimin e indiferencës.

Fjalën time e fillova duke e përshkruar gjendjen dhe pasojat ku na ka sjellë korrupsioni, ndërsa dua ta përfundoj me bindjen se korrupsioni lulëzon aty ku heshtja është normë dhe ku dorëzohemi para këtij fenomeni famëkeq dhe mentalitetit të vjetër të shtresuar. Një aforizëm na kujton se “Korrupsioni është si orteku i borës: pasi nis të rrotullohet, mund veç të rritet.”. Por, aty ku shoqëria ngrihet, ku institucionet marrin përgjegjësi dhe ku qytetari refuzon ta pranojë padrejtësinë si fat, kjo është pika ku orteku fillon të shkrihet", përfundoi Gashi.

Foto: MIA

 

Остани поврзан