• среда, 18 декември 2024

Zelenski: Nuk më duhen ndërmjetësues në komunikimin me Trampin

Zelenski: Nuk më duhen ndërmjetësues në komunikimin me Trampin

Kiev, 17 dhjetor 2024 (MIA) – Presidenti i Ukrainës, Volodomir Zelenski deklaroi sot se nuk i duhen ndërmjetësues në komunikimin me presidentin e porsazgjedhur amerikan Donald Tramp.

Zelenski në takimin në Kongresin e autoriteteve lokale dhe rajonale deklaroi se drejtpërdrejt komunikon me Trampin dhe se me të ka pasur disa takime dhe bisedime. 

“Kievit i nevojiten marrëdhënie të drejtpërdrejta me Uashingtonin, ndërsa jo ndërmjetësues siç është (kryeministri hungarez Viktor) Orban. Ne jemi vend i fuqishëm, këtë e dëshmuam në fushëbetejë gjatë gjithë agresionit të Putinit. A ka dikush në Evropë shembull të tillë bashkëkohor? Nuk ka. A ka Orbani armatë të tillë?”, theksoi Zelenski. 

Ai shtoi se për momentin po punon me ekipin e Trampit dhe theksoi se është optimist se administrata e re amerikane do ta mbështesë Ukrainën dhe nuk do të ndalet ndihma. 

Më 11 dhjetor, Orbani pati bisedë telefonike me presidentin rus Vladimir Putin për propozimin e Hungarisë për t'i dhënë fund konfliktit në Ukrainë gjatë festave të Krishtlindjeve dhe për shkëmbim në shkallë të gjerë të robërve të luftës. Budapesti më vonë njoftoi se pala ruse e pranoi atë propozim në parim, por se Kievi nuk lejoi bisedë telefonike midis Orbanit dhe Zelenskit për propozimin. fc/

Fotografia: EPA

Остани поврзан