Zelenski: Negociatorët ukrainas shkojnë në SHBA në bisedime për t'i dhënë fund luftës
- Mediat amerikane "Politiko" dhe "Aksios", duke cituar burime të paidentifikuara, publikuan se është planifikuar një takim midis përfaqësuesve të Kremlinit dhe administratës së presidentit Donald Tramp është në Majami, në të cilin do të diskutohet plani i paqes i zhvilluar së fundmi në Berlin nga Ukraina, fuqitë evropiane dhe SHBA-ja.
Kiev, 18 dhjetor 2025 (MIA) - Negociatorët ukrainas janë në rrugë drejt SHBA-së për bisedime për t'i dhënë fund luftës me Rusinë, deklaroi sot presidenti ukrainas Volodimir Zelenski.
"Ekipi ynë do të jetë në SHBA të premten dhe të shtunën", deklaroi Zelenski.
Mediat amerikane "Politiko" dhe "Aksios", duke cituar burime të paidentifikuara, publikuan se është planifikuar një takim midis përfaqësuesve të Kremlinit dhe administratës së presidentit Donald Tramp është në Majami, në të cilin do të diskutohet plani i paqes i zhvilluar së fundmi në Berlin nga Ukraina, fuqitë evropiane dhe SHBA-ja.
Siç transporton DPA, nuk pritet në takim të marrin pjesë përfaqësues të SHBA-së, Rusisë dhe Ukrainës së bashku.
Sipas raporteve, bisedimet nga pala amerikane do të drejtohen nga i dërguari i posaçëm i SHBA-së, Stiv Vitkof, dhe Xhared Kushner, dhëndri i presidentit Donald Tramp, ndërsa pala ruse pritet të përfshijë Kirill Dmitriev, kryenegociatorin e presidentit Vlladimir Putin.
Shtëpia e Bardhë ende nuk i ka konfirmuar bisedimet.
Përfaqësuesit e SHBA-së, Evropës dhe Ukraina u takuan në Berlin të dielën dhe të hënën. Në takim morën pjesë Zelenski, Vitkof dhe Kushner.
"Aksios" publikoi se në Majami, përfaqësuesit amerikanë do të informojnë palën ruse rreth progresit të bërë dhe do të përpiqen të fitojnë mbështetjen e saj për propozimin e azhurnuar të paqes.
Sipas të njëjtave burime, kryenegociatori ukrainas Rustem Umerov gjithashtu pritet të arrijë në Majami këtë javë, pas çka janë planifikuara bisedime midis tij, Vitkof dhe Kushner.
Zelenski deklaroi se do të diskutohet edhe për garancitë e sigurisë për Ukrainën.
"Për ne është thelbësore që kjo të miratohet në Kongresin e SHBA-së, në mënyrë që të bëhet një garanci ligjërisht e detyrueshme, theksoi ai. rq/
Foto: arkivi i MIA-s