Zelenski: Me presidentin Tramp do të shqyrtohen çështjet më të ndjeshme nga plani i paqes
- Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski mbrëmë deklaroi se plani i propozuar i paqes, i cili aktualisht po shqyrtohet me SHBA-në dhe Evropën, përmban "pikat e duhura", por se çështjet e ndjeshme do të diskutohen drejtpërdrejt me presidentin amerikan Donald Tramp.
Kiev, 25 nëntor 2025 (MIA) - Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski mbrëmë deklaroi se plani i propozuar i paqes, i cili aktualisht po shqyrtohet me SHBA-në dhe Evropën, përmban "pikat e duhura", por se çështjet e ndjeshme do të diskutohen drejtpërdrejt me presidentin amerikan Donald Tramp.
Në video-adresën e tij mbrëmë, Zelenski potencoi se pas negociatave në Gjenevë, numri i pikave ishte ulur nga 28 dhe se në kuadrin e ri përfshinte shumë "elemente të duhura".
"Aktualisht, pas (bisedimeve në) Gjenevë, pikat janë më të ulëta, nuk janë më shumë se 28, ndërsa shumë elementë të saktë u përfshinë në këtë kuadër", tha Zelenski.
"Ekipi ynë raportoi sot për hapat e rinj të draftit dhe kjo është me të vërtetë qasja e duhur. Çështjet e ndjeshme, pikat më delikate, do t'i diskutoj me presidentin Tramp", shtoi ai.
Zelenski shtoi se procesi i përgatitjes së dokumentit përfundimtar do të jetë i vështirë dhe se Ukraina e vlerëson mbështetjen e vendeve të tjera, si dhe "qasjen konstruktive" të SHBA-së.
Zelenski paralajmëroi se në interes të Rusisë është prishja e procesit të paqes dhe u bëri thirrje qytetarëve ukrainas që t'i kushtojnë vëmendje të veçantë paralajmërimeve për sulme ajrore në ditët dhe javët në vijim.
Ai theksoi se nëse vazhdojnë negociatat për t'i dhënë fund luftës, "nuk duhet të ketë raketa, asnjë sulm masiv ndaj Ukrainës dhe popullit tonë, ndërsa kjo është diçka që të fuqishmit në botë mund ta garantojnë". rq/
Foto: arkivi i MIA-s