ZelenskI: Anëtarësimi i Ukrainës në NATO është i realizueshëm; SHBA-ja në ditët e ardhshme do të publikojë pakon e fundit të ndihmës për Kievin
- Anëtarësimi i Ukrainës në NATO është "i realizueshëm", por Kievit do të duhet të luftojë për të bindur aleatët që ta bëjnë këtë, tha presidenti ukrainas Volodimir Zelenski.
Kiev, 22 dhjetor 2024 (MIA) - Anëtarësimi i Ukrainës në NATO është "i realizueshëm", por Kievit do të duhet të luftojë për të bindur aleatët që ta bëjnë këtë, tha presidenti ukrainas Volodimir Zelenski.
“Të gjithë e kuptojmë se ftesa për Ukrainën për t'u bërë anëtare e NATO-s mund të jetë vetëm një vendim politik. Anëtarësimi është i realizueshëm, por vetëm nëse luftojmë për të në të gjitha nivelet e nevojshme”, tha Zelenski sot gjatë tubimit diplomatik në Kiev.
Zelenski javën e kaluar u bëri thirrje vendeve evropiane që të ofrojnë garanci për mbrojtjen e Ukrainës pas përfundimit të luftës me Rusinë dhe tha se Ukraina përfundimisht do të kishte nevojë për më shumë mbrojtje përmes anëtarësimit në aleancë. Ai theksoi se aleatët duhet të dinë se çfarë mund të sjellë Kievi në NATO, si dhe si anëtarësimi i saj në aleancë do të stabilizojë marrëdhëniet globale.
Administrata e Bajdenit do të shpallë në ditët e ardhshme pakon e saj të fundit të ndihmës për sigurinë për Ukrainën, duke përdorur mjetet e mbetura të ndara për të blerë armë të reja për Ukrainën, raportojnë mediat amerikane duke cituar burime.
Sipas USAI, pajisjet ushtarake blihen nga industria e mbrojtjes ose partnerët, në vend që të merren nga rezervat amerikane, që do të thotë se mund të duhen muaj ose vite për të mbërritur në fushën e betejës.
Pakoja e USAI-t mund të jetë ndër hapat e fundit që SHBA po ndërmerr për të ofruar mbështetje të drejtpërdrejtë ushtarake për Ukrainën, ndërsa Kievi përgatitet për kthimin e Presidentit të zgjedhur Donald Tramp, i cili ka vënë në dyshim publikisht ndihmën ushtarake dhe ka premtuar se do t'i japë fund luftës në Ukrainë brenda 24 orëve që nga marrja e detyrës më 20 janar.
Që nga pushtimi i Rusisë ndaj fqinjit të saj në shkurt 2022, SHBA-ja ka ndarë 175 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën, duke përfshirë rreth 61,4 miliardë dollarë ndihmë për sigurinë.
Rreth gjysma e asaj ndihme sigurie erdhi përmes programit të USAI-t. ls/
Foto: EPA