• четврток, 25 декември 2025

VLEN: Manastiri na bashkon, sot nderojmë gjuhën që na mbajti gjallë si komb

VLEN: Manastiri na bashkon, sot nderojmë gjuhën që na mbajti gjallë si komb

Shkup, 22 nëntor 2025

VLEN përcjell urimet më të sinqerta dhe më të përzemërta për të gjithë shqiptarët me rastin e 22 Nëntorit, Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, një nga ngjarjet më të mëdha kulturore, arsimore dhe kombëtare të historisë sonë.

Dita e Alfabetit është gur themeli i identitetit tonë kombëtar. Më 22 nëntor 1908, në Manastir, rilindasit shqiptarë vendosën jo vetëm rregullimin e alfabetit, por drejtimin strategjik të kombit shqiptar: ecjen krah për krah me popujt evropianë, forcimin e kulturës, arsimit dhe vetëdijes sonë kombëtare, si bazë për lirinë politike dhe zhvillimin shoqëror.

Manastiri mbetet zemra e kësaj ngjarjeje historike, simbol i unitetit, dijes dhe përparimit.
Në këtë ditë nderojmë sakrificën, urtësinë dhe vizionin e rilindasve tanë, të cilët besuan se gjuha është shtëpia e kombit, dhe se një komb i arsimuar është një komb i lirë.

VLEN fton të gjithë qytetarët shqiptarë që sot nga ora 19:00, të bashkohen në Pallatin e Kulturës në Manastir, ku në organizim të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut do të mbahet një program kulturor-artistik i dedikuar kësaj feste madhështore.

Të festojmë së bashku gjuhën, kulturën dhe historinë tonë. Urime për shumë mote Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe!

Koalicioni VLEN

_________________________________________________________________________

MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit. 

Остани поврзан