Vdiq nobelisti Votson - njëri nga shkencëtarët që e zbuloi strukturën e ADN-së
- Shkencëtari me famë botërore Xhejms Votson, i cili ndau Çmimin Nobel në Fiziologji ose Mjekësi në vitin 1962 për ndihmën e tij në zbulimin e strukturës së ADN-së, ka ndërruar jetë në moshën 97 vjeç.
Nju Jork, 8 nëntor 2025 (MIA) - Shkencëtari me famë botërore Xhejms Votson, i cili ndau Çmimin Nobel në Fiziologji ose Mjekësi në vitin 1962 për ndihmën e tij në zbulimin e strukturës së ADN-së, ka ndërruar jetë në moshën 97 vjeç.
Vdekja e Votson u konfirmua mbrëmë nga laboratori "Kold Spring Harbor", ku ai punoi për dekada të tëra. Ai doli në pension nga laboratori prestigjioz në shtetin e Nju Jorkut në vitin 2007 pasi bëri komente raciste, raportoi DPA.
Votson, së bashku me Fransis Krik dhe Moris Vilkins, bënë zbulimin revolucionar në vitin 1953 se struktura e ADN-së është një spirale e dyfishtë, e cila ishte një moment historik në mjekësinë moderne dhe biologjinë molekulare.
Votson u bë drejtor i laboratorit "Lold Spring Harbor" në vitin 1968, duke e transformuar atë në një qendër të madhe për kërkimin mbi kancerin. Ai gjithashtu e zgjeroi punën e tij në biologjinë e bimëve dhe neuroshkencën.
Në vitin 2007, gazeta britanike "Sandej Tajms" botoi një intervistë me Votson, në të cilën ai sugjeroi që njerëzit me ngjyrë janë më pak inteligjentë se njerëzit e bardhë.
Më pas, studiuesi dha dorëheqje nga pozicioni i tij si drejtues i laboratorit dhe u tërhoq gjithashtu nga jeta publike. Më vonë ai i përsëriti këto vërejtje. Laboratori i ndërpreu të gjitha lidhjet e mbetura me të. sa/
Foto: EPA