• недела, 11 јануари 2026

Valbon Limani: Parkingje nëntokësore dhe zgjidhje urbane bashkëkohore në interes dhe sipas nevojave të qytetarëve

Valbon Limani: Parkingje nëntokësore dhe zgjidhje urbane bashkëkohore në interes dhe sipas nevojave të qytetarëve

Shkup, 8 janar 2026 (MIA) - Kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI) për kryetar komune në Gostivar, Valbon Limani, sot në konferencë për media prezantoi projektet kryesore zhvillimore që, sipas tij, synojnë transformimin e Gostivarit në një qytet modern, funksional dhe të gjelbër.

“Gostivari meriton një zhvillim që reflekton energjinë, potencialin dhe dinamikën e tij urbane. Vizioni ynë është i ndërtuar mbi planifikim afatgjatë, zgjidhje moderne dhe respekt për hapësirën publike, duke e vendosur qytetarin në qendër të çdo projekti", deklaroi Limani.

Ai theksoi se një nga problemet kryesore të qytetit është kaosi në qarkullim dhe mungesa e hapësirave për parkim, për çka parashikohet ndërtimi i një parkingu nëntokësor pranë Komunës së Gostivarit.

“Planifikojmë ndërtimin e një parkingu nëntokësor modern me 126 vende parkimi, i cili do ta çlirojë qendrën nga automjetet, do të ulë ndotjen dhe do ta bëjë qytetin më të pastër dhe më të organizuar”, u shpreh Limani.

Sipas tij, transformimi i qendrës së qytetit është një tjetër projekt madhor. “Qendra e Gostivarit do të kalojë nga një hapësirë e mbingarkuar në një vend krenarie për qytetarët. Projekti parashikon nënkalim nëntokësor për automjete dhe këmbësorë, si dhe parking nëntokësor me 219 vende parkimi, ndërsa sipërfaqja mbi tokë do të shndërrohet në një shesh modern publik me hapësira të gjelbra, rekreative dhe kulturore”, tha kandidati i AKI-së.

Limani prezantoi edhe projektin për ndërtimin e pellgut rekreativ dhe pavijonit në Parkun e Qytetit. “Ky projekt ndërhyn vetëm në rreth 10 për qind të sipërfaqes së parkut dhe krijon një element natyror që ndihmon biodiversitetin, ndërsa njëkohësisht u ofron qytetarëve hapësira për pushim, shëtitje dhe ndërveprim social”, theksoi ai.

Në fund të konferencës, Limani u shpreh se këto projekte janë investim në cilësinë e jetës dhe të ardhmen e qytetit. “Këto nuk janë thjesht ndërtime, por investime për fëmijët tanë dhe për një Gostivar që zhvillohet me plan, përgjegjësi dhe dashuri për hapësirën publike. Ne besojmë në një qytet që i shërben qytetarëve dhe jo kaosit”, përfundoi Limani. bsh/

Foto: AKI

Остани поврзан