• петок, 05 декември 2025

Vadeful nga Sarajeva: Sundimi i ligjit është i panegociueshëm, BE-ja është perspektivë konkrete për Ballkanin Perëndimor

Vadeful nga Sarajeva: Sundimi i ligjit është i panegociueshëm, BE-ja është perspektivë konkrete për Ballkanin Perëndimor

Sarajevë, 17 nëntor 2025 (MIA) - Ministri gjerman i punëve të jashtme, Johan Vadeful, mbrëmë arriti në Sarajevë, duke e filluar turneun e tij në gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor, të fokusuar në procesin e tyre afatgjatë të inkuadrimit drejt Bashkimit Evropian, i cili për disa vende po shtyhet me dekada, raportoi DPA.

Menjëherë pas arritjes, Vadeful u takua me përfaqësuesin e lartë të komunitetit ndërkombëtar në Bosnja e Hercegovinë, Kristijan Shmith, i cili gjithashtu është gjerman dhe ka autorizime të rëndësishme për mbajtjen e Marrëveshjes së Dejtonit nga viti 1995, me të cilin përfundoi lufta në BeH.

"Paqja dhe stabiliteti në zemrën e Evropës mbeten "një domosdoshmëri për ne", tha ministri gjerman dhe i bëri thirrje Qeverisë së Bosnja e Hercegovinës të vazhdojë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE. Për ne është e rëndësishme të respektohen parimet themelore të Marrëveshjes së Dejtonit - ajo e garanton sovranitetin dhe integritetin territorial të shtetit në tërësi", shtoi ai.

Pastaj ai pati takim edhe me anëtarin serb të Presidencës së Bosnja e Hercegovinës, Zhelka Cvijanoviq.

Vadeful sot do t'i vizitojë Malin e Zi dhe Shqipërinë, ndërsa në mbrëmje do të udhëtojë për në Serbi. Ai në Podgoricë do të bisedojë me kryeministrin Milojko Spajiq dhe ministrin e Punëve të Jashtme Ervin Ibrahimoviq, ndërsa pasdite në Tiranë do të takohet me ministren e Punëve të Jashtme Elisa Spiropali dhe me shefin e Prokurosisë Speciale Shtetërore për Luftë kundër Korrupsionit, Krimit të Organizuar dhe Terrorizmit.

Ministri gjerman i Punëve të Jashtme sonte do të udhëtojë për në Beograd, ku janë parashikuar takime me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vupiq, ndërsa të martën me ministrin e Punëve të Jashtme Marko Gjuriq dhe me përfaqësues të shoqërisë civile.

Pastaj shefi i diplomacisë gjermane do të udhëtojë në Prishtinë, ku do të takohet me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani, kryeministri në mandatin teknik Albin Kurti dhe me ushtarët gjerman në misionin e KFOR-it.

Nesër Vadeful do ta përfundojë turneun në Shkup. Janë parashikuar takime me kryeministrin e Maqedonisë Hristijan Mickoski dhe ministrin e Punëve të Jashtme Timço Mucunski.

Para se të udhëtojë nga Berlini, ai u bëri thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor të vazhdojnë me reformat, duke theksuar se kjo është nga vlera thelbësore për progresin e kandidaturave të tyre shumëvjeçare për anëtarësim në BE dhe për kundërshtimin e përpjekjeve të Rusisë dhe Kinës të kryejnë ndikim në rajon.

Mali i Zi konsiderohet si vendi më i përparuar në procesin e inkuadrimit në BE, por ende nuk ka një datë specifike. BE-ja ka zhvilluar negociata inkuadrimi me Malin e Zi dhe Serbinë që nga viti 2012, përkatësisht 2014. Negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut filluan në vitin 2022, ndërsa Bosnja e Hercegovina ka statusin e kandidatit, por ende nuk i ka filluar negociatat. Kosova është një vend kandidat potencial. sa/

foto: arkivi

Остани поврзан