• четврток, 25 декември 2025

Ushtria amerikane kreu sulm masiv kundër SHI-së në Siri

Ushtria amerikane kreu sulm masiv kundër SHI-së në Siri

Uashington, 20 dhjetor 2025 (MIA) – Ushtria amerikane ka kryer një “sulm masiv” ndaj objektivave të lidhura me Shtetin Islamik në Siri, në përgjigje të sulmit vdekjeprurës ndaj forcave amerikane.

Më 13 dhjetor, dy ushtarë amerikanë dhe një përkthyes civil u vranë në një zonë shkretinore në provincën qendrore siriane Homs.

Qëllimi i operacionit, sipas Uashingtonit, është të dobësojë kapacitetet e SHI-së për të vepruar më tej dhe për të parandaluar sulmet ndaj personelit amerikan në Siri. Në Siri janë të vendosur rreth 1.000 ushtarë amerikan.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pit Hegset deklaroi se operacioni "Hajkaj strajk" (Hawkeye Strike) synon eliminimin e "luftëtarëve, infrastrukturës dhe vendeve të armëve" të SHI-së. Ai tha se objektivat u zgjodhën për të goditur burimet kryesore të SHI-ës, përfshirë kapacitetet operative dhe mbështetjen logjistike.

"Ky nuk është fillimi i një lufte - kjo është një deklaratë hakmarrjeje. Sot ne i kemi ndjekur dhe vrarë armiqtë tanë. Shumë prej tyre. Dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë", deklaroi Hegset në rrjetet sociale.

Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp, njoftoi në rrjetet sociale se qeveria siriane mbështet plotësisht sulmet dhe se SHBA-të po “hakmerren shumë ashpër”.

Komanda Qendrore e SHBA-së (USCENTCOM), e cila mbikëqyr forcat amerikane në Lindjen e Afër, konfirmoi sulmet, duke vënë në dukje se në operacion morën pjesë edhe avionë luftarakë të Forcave Ajrore Mbretërore të Jordanisë.

"Siria e përsëriti vendosmërinë e saj të fortë për të luftuar kundër SHI-së dhe për të siguruar që nuk do të ketë "strehë të sigurta në territorin sirian", theksohet në kumtesën e Ministrisë siriane për Punë të Jashtme. 

Në muajt e fundit, koalicioni i udhëhequr nga SHBA-ja kundër SHI-së ka kryer disa sulme ajrore dhe operacione tokësore në Siri, duke synuar anëtarë të dyshuar të organizatës terroriste. Në operacionet ishin të përfshirë edhe anëtarë të forcave të sigurisë siriane.

Siria aktualisht udhëhiqet nga ish-kryengritës që rrëzuan liderin Bashar al-Asad vitin e kaluar pas një lufte civile 13-vjeçare, dhe përfshin anëtarë të ish-degës së al-Kaedës në Siri, të cilët u shkëputën nga grupi dhe hynë në konflikt me SHI-në. Siria po bashkëpunon me koalicionin e udhëhequr nga SHBA-të kundër SHI-së, ndërsa muajin e kaluar presidenti sirian Ahmed al-Shara e vizitoi Shtëpinë e Bardhë dhe diskutoi me Trampin për forcimin e marrëdhënieve dhe çështjet rajonale. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

Остани поврзан