• четврток, 25 декември 2025

Ukraina publikon planin e rishikuar të paqes prej 20 pikash, të zhvilluar me SHBA-në

Ukraina publikon planin e rishikuar të paqes prej 20 pikash, të zhvilluar me SHBA-në

Kiev, 24 dhjetor 2025 (MIA) - Ukraina ka publikuar një plan të plotë paqeje prej 20 pikash, të zhvilluar së bashku me SHBA-në, i cili duhet të bëhet dokumenti bazë për përfundimin e luftës, raportoi agjencia ukrainase "Unian".

Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski theksoi se Federata Ruse duhet të japë një përgjigje për planin deri sot, në një takim me palën amerikane dhe se Ukraina është gati për negociata në nivelin më të lartë, veçanërisht për çështjet territoriale.

Pas disa javësh bisedimesh, Ukraina dhe SHBA-ja kanë përgatitur një draft të planit të rishikuar të paqes për t'i dhënë fund agresionit rus.

Plani origjinal prej 28 pikash, i cili në thelb e shtyu Ukrainën drejt kapitullimit, u riformulua në një kornizë prej 20 pikash që presidenti Volodimir Zelenski ua paraqiti gazetarëve.

Përveç kësaj, u hartua një draft marrëveshjeje për garancinë e sigurisë midis Ukrainës, Shteteve të Bashkuara dhe Evropës, si dhe një marrëveshje dypalëshe për garancitë e sigurisë midis Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Dokumenti i dytë midis Kievit dhe Uashingtonit përqendrohet në bashkëpunimin ekonomik dhe përshkruhet si "Udhërrëfyesi për prosperitetin e Ukrainës".

"Ne kemi bërë përparim të konsiderueshëm drejt finalizimit të dokumenteve", tha Zelenski.

Nëse miratohet, dokumenti përfundimtar do të duhet të nënshkruhet nga udhëheqësit e Ukrainës, Shteteve të Bashkuara, Evropës dhe Rusisë. Ende nuk është vendosur se cilët udhëheqës evropianë do ta nënshkruajnë marrëveshjen.

Armëpushimi do të hyjë në fuqi menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes. Që marrëveshja të bëhet e vlefshme, ajo duhet të ratifikohet nga Parlamenti ukrainas dhe/ose të miratohet nga qytetarët e Ukrainës në një referendum, potencialisht brenda 60 ditëve.

Deri më tani, Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara nuk kanë arritur një marrëveshje për dy çështje kryesore në planin e rishikuar, pikat 12 dhe 14, të cilat kanë të bëjnë me kontrollin mbi termocentralin bërthamor Zaporizhia, i cili është i pushtuar nga Rusia dhe kontrollin mbi rajonin Donbas, i cili është shkatërruar nga lufta që nga viti 2014. Marrëveshja gjithashtu nuk përmend aspiratat e Ukrainës për anëtarësim në NATO. Portali “Kiev Independent” publikon një draft të një plani të mundshëm paqeje prej 20 pikash të hartuar nga Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara, i cili u prezantua dhe u parafrazua nga presidenti ukrainas:

1. Nënshkruesit konfirmojnë se Ukraina është një shtet sovran.

2. Dokumenti përbën një pakt të plotë dhe të pakushtëzuar joagresioni midis Rusisë dhe Ukrainës. Do të krijohet një mekanizëm për të monitoruar vijën e konfliktit përmes mbikëqyrjes satelitore pa pilot për zbulimin e hershëm të shkeljeve të paktit.

3. Ukraina do të marrë garanci sigurie.

4. Numri i anëtarëve të forcave të armatosura ukrainase në kushte paqeje do të mbetet në 800,000.

5. Shtetet e Bashkuara, NATO-ja dhe shtetet evropiane nënshkruese do t'i ofrojnë Ukrainës garanci "të ngjashme me Nenin 5". Do të zbatohen dispozitat e mëposhtme:

A) Nëse Rusia sulmon Ukrainën, do të nisë një përgjigje e koordinuar ushtarake dhe të gjitha sanksionet globale kundër Rusisë do të rivendosen.

B) Nëse Ukraina sulmon Rusinë pa arsye ose hap zjarr në territorin rus, garancitë e sigurisë anulohen. Nëse Rusia hap zjarr ndaj Ukrainës, garancitë hyjnë në fuqi.

C) ShBA-ja do të kompensohet për ofrimin e garancive të sigurisë (kjo dispozitë është hequr).

D) Marrëveshjet dypalëshe të sigurisë të nënshkruara më parë midis Ukrainës dhe rreth 30 vendeve mbeten në fuqi.

6. Rusia do të formalizojë politikën e saj të joagresionit ndaj Evropës dhe Ukrainës përmes të gjitha ligjeve dhe dokumenteve të nevojshme, të cilat duhet të ratifikohen nga Duma Shtetërore.

7. Ukraina do të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian brenda një periudhe të përcaktuar qartë dhe do të marrë akses preferencial afatshkurtër në tregun evropian.

"Për momentin, çështja e datës së pranimit është një çështje dypalëshe midis Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës, pa konfirmim nga Evropa," tha Zelenski.

"Anëtarësimi në BE është gjithashtu një garanci sigurie, kështu që ne duam të caktojmë një datë - për shembull, vitin 2027 ose vitin 2028."

8. Ukraina do të marrë një paketë globale zhvillimi, të përcaktuar nga një marrëveshje e veçantë, e cila përfshin disa fusha ekonomike:

A) Do të krijohet një fond zhvillimi për të investuar në industri me rritje të lartë, duke përfshirë teknologjinë, qendrat e të dhënave dhe inteligjencën artificiale.

B) SHBA-ja dhe kompanitë amerikane do të bashkëpunojnë me Ukrainën për rindërtimin, modernizimin dhe menaxhimin e infrastrukturës së gazit.

C) Përpjekje të përbashkëta për të rindërtuar zonat e prekura nga lufta.

D) Zhvillimi i infrastrukturës do të jetë një përparësi.

E) Shfrytëzimi i mineraleve dhe burimeve natyrore do të zgjerohet.

F) Banka Botërore do të ofrojë një paketë të veçantë financimi.

E) Do të ngrihet një grup pune i nivelit të lartë, me emërimin e një eksperti financiar kryesor botëror si administrator për prosperitet.

9. Do të krijohen disa fonde për rindërtimin ekonomik, rindërtimin e infrastrukturës së shkatërruar dhe çështjet humanitare, me qëllim mobilizimin e 800 miliardë dollarëve - dëmi i vlerësuar nga lufta.

10. Ukraina do të përshpejtojë negociatat për një marrëveshje të tregtisë së lirë me Shtetet e Bashkuara.

11. Ukraina konfirmon vendosmërinë e saj për të mbetur një shtet jo-bërthamor në përputhje me Traktatin për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore.

12. Kontrolli i termocentralit bërthamor të Zaporizhias dhe restaurimi i hidrocentralit të Kakhovkës.

Uashingtoni propozon menaxhim të përbashkët të termocentralit midis Ukrainës, Rusisë dhe SHBA-së (33 për qind secila), me mbikëqyrje amerikane.

Ukraina kundërshton kontrollin rus dhe propozon menaxhim të përbashkët me Shtetet e Bashkuara, me 50 për qind të energjisë elektrike që shkon në territoret e kontrolluara nga Ukraina.

13. Ukraina dhe Rusia do të prezantojnë programe shkollore që promovojnë mirëkuptimin, tolerancën dhe luftën kundër racizmit dhe paragjykimeve.

14. Në rajonet Donjeck, Luhansk, Zaporizhia dhe Kherson, vija e pozicioneve ushtarake në ditën e nënshkrimit do të njihet de facto si vija e frontit, me tërheqjen e forcave ruse nga rajonet e tjera dhe vendosjen e forcave ndërkombëtare të monitorimit.

15. Rusia dhe Ukraina zotohen të mos përdorin forcën për të ndryshuar statusin territorial dhe për të zgjidhur mosmarrëveshjet në mënyrë diplomatike.

16. Rusia nuk do të ndërhyjë në përdorimin e Dnieperit dhe Detit të Zi për qëllime tregtare.

17. Do të krijohet një komitet humanitar për të shkëmbyer të gjithë të burgosurit, për të liruar civilët dhe për të ndihmuar viktimat e konfliktit.

18. Ukraina duhet të mbajë zgjedhje presidenciale sa më shpejt të jetë e mundur pas nënshkrimit të marrëveshjes.

19. Marrëveshja do të jetë ligjërisht e detyrueshme dhe zbatimi i saj do të mbikëqyret nga Këshilli i Paqes, i cili do të kryesohet nga Donald Trampi.

20. Armëpushimi do të hyjë në fuqi menjëherë pas dakordimit të të gjitha palëve.

Foto: EPA

Остани поврзан