• петок, 05 декември 2025

Tusk: Dy shtetas ukrainas të cilët punojnë për Rusinë, qëndrojnë pas sabotimit të hekurudhës polake

Tusk: Dy shtetas ukrainas të cilët punojnë për Rusinë, qëndrojnë pas sabotimit të hekurudhës polake

Varshavë, 19 nëntor 2025 (MIA) - Shërbimet polake të sigurisë kanë identifikuar dy shtetas ukrainas të cilët kanë vepruar në emër të Rusisë të përfshirë në dy akte sabotimi kundër komunikacionit  hekurudhor, njoftoi kryeministri i vendit Donald Tusk.

Të shtunën, një shpërthim shkatërroi një linjë hekurudhore në relacionin Varshavë-Lublin, pranë stacionit hekurudhor Mika, qarku Garvolin. Më vonë, pranë qytetit Golomb, qarku Pulavi, një shinë e dëmtuar ka shkaktuar një ndalesë të papritur të një treni me 475 pasagjerë. 

Tusk para Sejmit (Dhoma e Ulët e Parlamentit polak) deklaroi se dy autorët e identifikuar ishin shtetas ukrainas që kishin bashkëpunuar prej kohësh me shërbimet ruse.

Pas operacionit, ata janë larguar nga vendi, duke hyrë në Bjellorusi përmes vendkalimit kufitar të Terespolit. Njëri nga të dyshuarit u dënua në Lviv për akte sabotimi në maj, ndërsa i dyti është banor i Donbasit. Burrat kanë kaluar nga Bjellorusia në Poloni në vjeshtën e këtij viti. 

Tusk shtoi se dy aktet e sabotimit janë kryer në faza. 

"E para përfshinte vendosjen e një mbajtësi çeliku në shina, e cila ndoshta kishte për qëllim të nxirrte trenin nga shinat... kjo përpjekje, për fat të mirë, rezultoi plotësisht joefikas", tha kryeministri. Ai shtoi se veprimi duhej të regjistrohej me një telefon celular me një bateri të jashtme të instaluar në shina. Incidenti daton më 15 nëntor, në orën 8:58 të mbrëmjes, dhe është regjistruar nga një kamerë mbikëqyrjeje.

"Pajisja shpërthyese C4 ka shpërthyer me ndihmën e pajisje për aktivizim të lidhur me një kabllo elektrike 300 metra. Në vendin e ngjarjes është gjetur një sasi e caktuar e substancës shpërthyese që nuk shpërtheu", tha Tusku. Ai shtoi se pajisja u aktivizua gjatë kalimit të një treni mallrash Varshavë-Pulavi, pa shkaktuar dalje nga shinat. Vetëm dëme të vogla janë shkaktuar në dyshemenë e vagonit.

Tusk tha se shërbimet ruse qëndrojnë pas të gjitha akteve të fundit të sabotimit në Poloni dhe shtoi se deri më tani janë ndaluar 55 të dyshuar për sabotim, nga të cilët 23 janë arrestuar.
Ai kujtoi se akti i parë i sabotimit u krye në janar të vitit 2024 në qytetin jugperëndimor të Vroclav.

"Autoritetet ruse nuk janë të interesuara vetëm për ndikimin e menjëhershëm të veprimeve të tilla, por edhe për pasojat sociale dhe politike. Këto përfshijnë çorganizimin, kaos, panik, spekulime dhe pasiguri", tha kryeministri polak. Një qëllim tjetër, shtoi ai, është të nxisin ndjenjat sa më radikale anti-ukrainase. 

Tusku njoftoi se, në lidhje me kërcënimet terroriste, ka lëshuar një urdhër për vendosjen  e nivelit të tretë të alarmit - "Çarli", i cili ka të bëjë me linjat hekurudhore (një nivel kritik alarmi, në të cilin rreziku konfirmohet dhe ka një ndikim të drejtpërdrejtë në zonën ku vendoset).

Për shkak të akteve të sabotimit, Komiteti i Sigurisë Kombëtare i qeverisë polake u takua me udhëheqësit e shërbimeve ushtarake dhe të sigurisë, si dhe një përfaqësues të presidentit, për të biseduar për kërcënimet e fundit të sigurisë në linjën hekurudhore Varshavë-Lublin. 

Foto: EPA

Тагови

Остани поврзан