• петок, 05 декември 2025

Trampi në letrën dërguar presidentit izraelit Hercog kërkon ta falë kryeministrin Netanjahu

Trampi në letrën dërguar presidentit izraelit Hercog kërkon ta falë kryeministrin Netanjahu

Uashington, 12 nëntor 2025 (MIA) - Presidenti izraelit, Isak Hercog mori një letër nga presidenti amerikan Donald Tramp, në të cilën i bën thirrje të shqyrtojë idenë për faljen e kryeministrit Benjamin Netanjahu, publikoi sot kabineti i tij. 

Kundër Netanjahut tashmë disa vite po udhëhiqen tre lëndë gjyqësore të ndara për shkak të korrupsionit të dyshuar, ndërsa Trampi vazhdimisht kërkon faljen e tij. 

"Ndërsa absolutisht respektoj pavarësinë e sistemit gjyqësor izraelit dhe kërkesat e tij, besoj se ky ‘rast’ kundër Bibit i cili një kohë të gjatë ka luftuar së bashku me mua - mes tjerash, kundër armikut shumë të fuqishëm të Izraelit, Iranit - është një persekutim i motivuar politikisht dhe i pajustifikuar", shkroi Trampi në një letër drejtuar presidentit izraelit.

Zyra e Hercogut kumtoi se kushdo që kërkon falje presidenciale duhet formalisht ta kërkojë atë, në përputhje me procedurat ekzistuese, transmetojnë mediat britanike.

Trampi, gjithashtu falje për Netanjahun kërkoi dhe gjatë vizitës së tij në Izrael në tetor në një fjalim para Parlamentit izraelit (Kneset).

Lideri i opozitës izraelite, Jair Lapid, iu përgjigj thirrjes së Trampit duke "kujtuar" se ligji izraelit përcakton se kushti i parë për falje është "pranimi i fajit dhe shprehja e pendimit".

Më herët këtë vit, Lapid "me respektin e duhur për Trampin", theksoi se "askush nuk duhet të ndërhyjë në procesin ligjor të një shteti të pavarur" dhe e quajti iniciativën e presidentit amerikan "kompensim" për Netanjahun për presionin ndaj tij për të ndaluar luftën në Gazë. 

"Ky është një Tramp tipik", tha Lapid në atë rast. rq/

Foto: arkivi i MIA-s

Остани поврзан