Trampi i sigurt se Egjipti dhe Jordania do të pranojnë palestinezë të zhvendosur
- "Do të dëshirojnë, do të dëshirojnë!", ka siguruar mbrëmë presidenti amerikan Donald Trampi për atë se Jordania dhe Egjipti do t'i pranojnë palestinezët e zhvendosur, edhe pse të dyja vendet publikisht kanë refuzuar ta bëjnë këtë.

Uashington, 31 janar 2025 (MIA) - "Do të dëshirojnë, do të dëshirojnë!", ka siguruar mbrëmë presidenti amerikan Donald Trampi për atë se Jordania dhe Egjipti do t'i pranojnë palestinezët e zhvendosur, edhe pse të dyja vendet publikisht kanë refuzuar ta bëjnë këtë.
"Ne po bëjmë shumë për ta dhe ata do ta bëjnë këtë", i tha presidenti republikan një gazetari në Shtëpinë e Bardhë, i cili pyeti se si mund t'i detyronte Amanin dhe Kajron ta ndryshojnë qëndrimin e tyre, por për këtë nuk u përgjigj.
Shefi i shtetit egjiptian Abdel Fatah al-Sisi dhe mbreti jordanez Abdullahu i Dytë të mërkurën e hodhën poshtë kategorikisht idenë e Tramp për transferimin e palestinezëve nga Gaza në vendet e tyre.
"Deportimi dhe zhvendosja e palestinezëve nga vendi i tyre është një padrejtësi në të cilën nuk do të marrim pjesë", tha Al-Sisi.
Në një deklaratë, Abdullahu i Dytë e nënvizoi "qëndrimin e fortë të Jordanisë për nevojën që palestinezët të qëndrojnë në vendin e tyre dhe t'u mundësohet t'i realizojnë të drejtat e tyre legjitime, në përputhje me zgjidhjen me dy shtete" - formimin e një shteti palestinez përkrah Izraelit.
Ndërsa pothuajse të gjithë 2.4 milionë banorët e Rripit të Gazës, i cili është nën rrethimin e Izraelit, janë zhvendosur për shkak të luftës, presidenti amerikan të shtunën e kaluar e paraqiti idenë për t'i dërguar ata në Jordani dhe Egjipt për, sipas fjalëve të tij, "të pastrohet" ky territor palestinez.
Donald Trampi të hënën konfirmoi se banorët e Gazës "mund të jetojnë në zona shumë më të sigurta dhe ndoshta shumë më të rehatshme".
Propozimi i tij shkaktoi dënime të ashpra në Lindjen e Mesme dhe Evropë.
Foto: Arkivi i MIA-s