Trampi e nënshkruajti Ligjin për financim, me çka përfundoi bllokada rekord e punës së qeverisë amerikane
- Presidenti amerikan Donald Tramp mbrëmë e nënshkruajti Ligjin për financim me të cilin përfundoi bllokada më e gjatë në punën e një qeverie në historinë e SHBA-së, menjëherë pasi Dhoma përfaqësuese e votoi masën, njoftoi DPA.
Uashington, 13 nëntor 2025 (MIA) - Presidenti amerikan Donald Tramp mbrëmë e nënshkruajti Ligjin për financim me të cilin përfundoi bllokada më e gjatë në punën e një qeverie në historinë e SHBA-së, menjëherë pasi Dhoma përfaqësuese e votoi masën, njoftoi DPA.
Nënshkrimi i Trampit, i cili u konsiderua një formalitet pasi masa kaloi në të dyja dhomat e Kongresit, i dha fund një mbylljeje 43-ditore që la qindra mijëra punonjës federalë pa paga dhe ndërpreu shërbimet publike, kujtoi agjencia gjermane.
"Do të thotë me nënshkrimin tim, Qeveria Federale tani do të vazhdojë me funksionimin normal, ndërsa administrata ime dhe partnerët tanë në Kongres do të vazhdojnë punën tonë për të ulur shpenzimet e jetesës, për të rivendosur sigurinë publike, për të rritur ekonominë tonë dhe për ta bërë Amerikën përsëri të pranueshme", tha Trampi gjatë nënshkrimit të ligjit.

Më herët dje, 222 anëtarë të Dhomës përfaqësuese të SHBA-së votuan për buxhetin kalimatar, i cili duhet të financojë qeverinë deri në fund të janarit, kurse 209 ishin kundër.
Republikanët kanë një shumicë të ngushtë në Dhomën përfaqësuese. Pothuajse të gjithë republikanët dhe disa demokratë votuan për masën, njoftoi DPA.
Bllokada filloi më 1 tetor, pasi republikanët dhe demokratët nuk arritën të bien dakord për buxhetin e ri federal. Pa një plan shpenzimesh të miratuar nga të dyja dhomat e Kongresit, nuk ka rrjedhë të parave për agjencitë qeveritare.
Pagat për punonjësit federalë, ushtrinë dhe programet për ndihmë sociale financohen përmes buxhetit federal.
Republikanët e Trampit dhe demokratët e opozitës për javë të tëra kanë pasur debat të nxehtë rreth buxhetit, dhe ai është përqendruar në shpenzimet për mbrojtjen shëndetësore.
Ishin të nevojshme disa vota demokrate që ligji të kaloj në Senatin e SHBA-së, pasi republikanët kanë një shumicë të ngushtë atje me 53 nga 100 vendet e odës, ndërsa për ligjin ishin të nevojshme të paktën 60 vota.
Demokratët me javë të tëra refuzuan të mbështesnin një kompromis. Megjithatë, gjatë fundjavës, disa demokratë e ndryshuan qëndrimin e tyre, duke e hapur rrugën për votim të hënën, kur Dhoma e Lartë e Parlamentit miratoi masën.
Buxheti kalimtar është i vlefshëm vetëm deri në fund të janarit. Nëse një buxhet i rregullt nuk miratohet deri atëherë, mund të ketë një bllokim tjetër në shkurt, kujton DPA. ls/
Foto: EPA