Tramp: Veprim ushtarak i mundshëm në Nigeri nëse nuk ndalen vrasjet e të krishterëve
- Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp, tha mbrëmë se është e mundur të dërgohen trupa në Nigeri ose të kryhen sulme ajrore për të parandaluar vrasjen e një numri të madh të krishterëve në vendin e Afrikës Perëndimore.
Uashington, 3 nëntor 2025 (MIA) - Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp, tha mbrëmë se është e mundur të dërgohen trupa në Nigeri ose të kryhen sulme ajrore për të parandaluar vrasjen e një numri të madh të krishterëve në vendin e Afrikës Perëndimore.
Duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari nëse ai parashikon trupa në terren apo sulme ajrore ndaj Nigerisë, Trampi tha: "Mund të jetë".
"Dua të them, gjëra të tjera. Imagjinoj shumë gjëra. Ata po vrasin një numër rekord të krishterësh në Nigeri. Po vrasin të krishterë, dhe po i vrasin në numër shumë të madh. Nuk do ta lejojmë këtë të ndodhë", tha Tramp.
Më herët atë ditë, ai kërcënoi me veprime ushtarake kundër Nigerisë nëse vendi më i populluar në Afrikë nuk do të ndalonte me vrasjen e të krishterëve.
Kërcënimi i tij erdhi pasi administrata e tij e shtoi Nigerinë në një listë të "vendeve me shqetësim të veçantë" që shkelin liritë fetare, një listë që përfshin edhe Kinën, Mianmarin, Korenë e Veriut, Rusinë dhe Pakistanin.
Nigeria, në përgjigje të kërcënimeve të Trampit, tha dje se do të pranonte ndihmën e SHBA-së për të luftuar kryengritësit islamistë për sa kohë të respektohet integriteti i saj territorial.
Ne mirëpresim ndihmën nga SHBA për sa kohë që ato njohin integritetin tonë territorial", tha Daniel Bvala, një këshilltar i presidentit nigerian Bole Tinubu.
Në Nigeri jetojnë mbi 237 milionë njerëz të ndarë në rreth 200 grupe etnike. Veriu i vendit është i populluar kryesisht nga myslimanë, ndërsa jugu është kryesisht me të krishterë.
Kryengritësit islamistë si Boko Haram kanë shkaktuar kaos në vend për më shumë se 15 vjet, duke vrarë mijëra njerëz, por sulmet e tyre janë kufizuar kryesisht në verilindjen e vendit, e cila është kryesisht myslimane. Analistët thonë se, ndërsa të krishterët kanë qenë ndër viktimat e militantëve islamikë, shumica dërrmuese e viktimave janë myslimanë. sa/
foto: EPA