• четврток, 25 декември 2025

Teori e re: Erupcioni vullkanik ka shkaktuar domino-efekt dhe e ka sjellë murtajën e shekullit 14 në Evropë

Teori e re: Erupcioni vullkanik ka shkaktuar domino-efekt dhe e ka sjellë murtajën e shekullit 14 në Evropë

Berlin, 18 dhjetor 2025 (MIA) - Sipas një studimi të ri, në mesin e shekullit 14 një erupsion i panjohur vullkanik ka krijuar kushte për përhapje të murtajës në Evropë. Me shkaktimin e një periudhe më të ftohtë në Mesdhe, erupcioni krijoi domino-efekt që çoi drejt shkatërrimit të prodhimeve bujqësore, për ç'shkak tregtarët ishin të detyruar të importojnë grurë përmes Detit të Zi, e me atë edhe ta përhapin murtajën bubonike.

Kjo murtajë, e quajtur "Vdekja e zezë" është përhapur nëpër Evropë në vitin 1347 duke i goditur portet italiane. Në vitet e ardhshme, sëmundja u përhap në tërë kontinentin, duke shkaktuar vdekjen mes 30 dhe 60 për qind të popullatës, transmeton "RTS".

Historiani Martin Bau, nga Instituti për histori dhe kulturë të Evropës Lindore në Lajbnic, Gjermani, e parashtron pyetjen: Si dhe pse "Vdekja e zezë" arriti madje deri në itali përmes Detit të Zi, dhe mu në atë moment?

Bau dhe gjeografi nga Universiteti në Kembrixh, Ulf Bintgen, me hulumtimin e ndryshimeve klimatike të Mesdheut e sqarojnë paraqitjen e befasishme të pandemisë. Hulumtimi është publikuar në revistën "Komjunikejshën Erth end Envajerment" (Communications Earth & Environment).

Gjatë studimit të burimeve historike, shkencëtarët vërejtën se mes viteve 1345 dhe 1349 në disa pjesë të Azisë dhe Evropës është vërejtur dritë e pakësuar diellore, vranësira të shtuara dhe eklips hënor, dhe e tërë kjo është rezultat i erupcionit të madh vullkanik dhe njëkohësisht paraqitje dhe shpërndarje e pandemisë.

Sipas të dhënave paleoklimatike, është zbuluar sasi e sulfurit në shtresat e ngrira polare, që tregon për një apo më shumë erupcione të ndonjë vullkani të panjohur deri atëherë.

Sipas hulumtimit të shkencëtarëve është zbuluar se verat e viteve 1345, 1346 dhe 1347 ishin dukshëm më të ftohta se zakonisht, përderisa periudhat vjeshtore ishin shumë të lagështa, që shkaktoi erozion të truallit dhe vërshime, që çuan drejt pakësimit të korrjeve, përfshirë edhe vjeljen e rrushit dhe prodhimin e grurit në itali. Për atë shkak tregtarët filluan të importojnë grurë nga rajoni i Detit të Zi, me qëllim që ta parandalojnë urinë.

Në atë mënyrë, tregtarët itlaianë e bartën dhe përhapën murtajën, theksojnë autorët e punimit shkencor.

Rastet e para të murtajës tek njerëzit janë regjistruar në Venecie vetëm disa javë pas arritjes së anijeve të fundit me grurë.

Kështu filloi zinxhiri i infektimit: fillimisht infektohen brejtësit, e pasi që të ngordhin, pleshtat e tyre kalojnë tek gjitarët e tjerë, e në fund edhe tek njerëzit, sqaron Bau. ab/

Foto: МIА arkivi

Остани поврзан