• петок, 05 декември 2025

Takim i Kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, me Ambasadorin e sapoemëruar të Zvicrës, Sh.T. Kristof Zomer

Takim i Kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, me Ambasadorin e sapoemëruar të Zvicrës, Sh.T. Kristof Zomer

Shkup, 25 nëntor 2025 (MIA) - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, u takua sot me ambasadorin e sapoemëruar të Konfederatës Zvicerane në vend, Kristof Zomer.

Gashi i shprehu urimet e tij të sinqerta për marrjen e detyrës, duke i uruar një mandat të suksesshëm dhe të frytshëm, si dhe vazhdimin e bashkëpunimit miqësor dhe konstruktiv midis të dyja shteteve.

Siç informojnë nga pres-shërbimi i Kuvendit, në bisedë u theksua se Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Zvicra mbajnë marrëdhënie të shkëlqyera dypalëshe, të bazuara në besim, respekt dhe bashkëpunim të vazhdueshëm si partnerë. U theksua veçanërisht mbështetja që Zvicra ofron në procesin e integrimit evropian të vendit tonë, si dhe rëndësia për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit parlamentar midis dy organeve legjislative.

Kryetari Gashi shprehu mirënjohje për mbështetjen në kuadër të Programit të Mbështetjes së Kuvendit, me theks të veçantë në zhvillimin dhe forcimin e kapaciteteve institucionale të Kuvendit, përfshirë Institutin Parlamentar, projekt që përfaqëson një trashëgimi të qëndrueshme dhe një shembull të partneritetit të suksesshëm.

Ambasadori Zomer falënderoi për mikpritjen e ngrohtë dhe vlerësoi bashkëpunimin midis dy vendeve deri më tani, veçanërisht në nivel parlamentar. Ai vuri në dukje se po e fillon mandatin e tij në një periudhë të shënuar nga arritje të rëndësishme në marrëdhëniet dypalëshe dhe shprehu pritjen e tij që përpjekjet e përbashkëta do të vazhdojnë për të promovuar bashkëpunimin në të gjitha fushat, duke përfshirë edhe inkurajimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik.

Të dyja palët shprehën gatishmërinë e tyre për të vazhduar projektet e përbashkëta, për të thelluar bashkëpunimin institucional dhe për të forcuar partneritetin midis të dyja shteteve. mb/

Foto: Kuvendi

Остани поврзан