• вторник, 18 јуни 2024

Takim i Gashit me koordinatoren e përhershme të KB-së, Duxhak

Takim i Gashit me  koordinatoren e përhershme të KB-së, Duxhak

Shkup, 10 qershor 2024 (MIA) - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, sot realizoi takim me koordinatoren e përhershme të Kombeve të Bashkuara në Maqedoninë e Veriut, Rosana Duxhak.

Siç njoftojnë nga pres-shërbimi qeveritar kryetari Gashi vlerësoi se takimi paraqet një mundësi të shkëlqyer për t'i shkëmbyer informacionet dhe idetë se si të thellohet bashkëpunimi ndërmjet Zyrës së Koordinatores së Përhershme të Kombeve të Bashkuara në Maqedoninë e Veriut dhe Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Në të njëjtën kohë, ai shprehu mirënjohjen për agjencitë e KB-së në vend për aktivitetet që i kryejnë në fushën e qeverisjes së mirë, përfshirjes sociale, mbrojtjes së mjedisit jetësor, ndryshimeve klimatike, punësimit, barazisë gjinore, zhvillimit të barabartë rajonal, etj., si dhe për bashkëpunimin e tyre të deritanishëm me trupat punuese të Kuvendit.

Kryetari i Kuvendit iu referua edhe përfshirjes së Dhomës Ligjvënëse në Ciklin e Katërt të Rishikimit Periodik Universal për të Drejtat e Njeriut, duke organizuar një ngjarje të përbashkët me Zyrën e Koordinatores së Përhershme të KB-së, punëtori për ngritjen e kapaciteteve të shërbimit parlamentar dhe pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Kuvendit në dialogun interaktiv me Këshillin e KB-së për të Drejtat e Njeriut. Ai gjithashtu theksoi se Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut edhe në këtë mandat parlamentar do të marrë pjesë aktive në punën e Unionit Ndërparlamentar (UNP), i cili është vëzhgues i përhershëm në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së dhe kryen bashkëpunim të frytshëm me një numër të madh të institucioneve të specializuara dhe programeve të Kombeve të Bashkuara.

Koordinatorja e përhershme e KB-së, Rosana Duxhak, informoi për aktivitetet e Kombeve të Bashkuara në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe bashkëpunimin e tyre me të gjitha ministritë, veçanërisht në lidhje me zbatimin e Agjendës 2030 dhe Qëllimeve të Zhvillimit të Qëndrueshëm (QZHQ). Ajo iu referua bashkëpunimit të deritanishëm të suksesshëm me Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe e theksoi gatishmërinë e Zyrës së Koordinatores së Përhershme të KB-së për të organizuar brifing për deputetët e rinj për rolin e parlamenteve në arritjen e QZHQ-ve.

Gashi dhe Duxhak shkëmbyen mendime për rëndësinë e arsimit cilësor dhe nevojën e reformimit të sistemit arsimor, si dhe për drejtimet e ardhshme të veprimit në këtë drejtim, në bashkëpunim me UNICEF-in, UNESKO-n dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë.

Bashkëbiseduesit u pajtuan që në periudhën e ardhshme të vazhdohet dhe të avancohet bashkëpunimi i frytshëm i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut me Zyrën e Koordinatores së Përhershme të KB-së dhe me agjencitë e KB-së në vend. mb/

Foto: Kuvendi i RMV-së

Остани поврзан