Të paktën 66 të vdekur si pasojë e zjarrit në një hotel në resortin e skive në Turqi
- Numri i të vdekurve nga zjarri në një hotel në një resort të skive në Turqi është rritur në 66, bëri të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Ali Jerlikaja.
Stamboll, 21 janar 2025 (MIA) - Numri i të vdekurve nga zjarri në një hotel në një resort të skive në Turqi është rritur në 66, bëri të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Ali Jerlikaja.
Edhe 51 persona të tjerë janë lënduar, deklaroi Jerlikaja në provincën Bolu ku ndodhet hoteli, rreth 300 kilometra në lindje të Stambollit.
"Na vjen shumë keq", tha ministri, njoftoi DPA.
Në hotelin në vendpushimin e njohur të skive Kartalkaja, ku gjatë natës shpërtheu zjarri kanë qëndruar gjithsej 238 mysafirë.
Zjarri tani është vënë nën kontroll, ndërsa shërbimet e urgjencës në vend po vazhdojnë me "ftohje", tha ministri.
Hoteli është ndërtuar mbi një kodër, duke e bërë të vështirë shuarjen e zjarrit nga të gjitha anët, shtoi Jerlikaja.
Si-En-En-i Turk, duke cituar një paralajmërim nga policia lokale, raportoi më parë se ekziston rrezik që hoteli mund të shembet në çdo moment
Autoritetet lokale nuk e komentuan paralajmërimin.
Foto: Anadollu/EPA