Statujë e Mesit para stadiumit “Kamp Nou”
- Presidenti i Barcelonës, Zhoan Laporta, paralajmëroi mbrëmë se klubi planifikon të ngrejë një statujë të Lionel Mesit përpara stadiumit të rinovuar "Kamp Nou" në shenjë nderi për golashënuesin më të mirë të të gjitha kohërave.
Barcelonë, 14 nëntor 2025 (MIA) – Presidenti i Barcelonës, Zhoan Laporta, paralajmëroi mbrëmë se klubi planifikon të ngrejë një statujë të Lionel Mesit përpara stadiumit të rinovuar "Kamp Nou" në shenjë nderi për golashënuesin më të mirë të të gjitha kohërave.
Tridhjetë e tetë vjeçari Mesi i cili luan për Inter Majami, në fillim të kësaj jave vizitoi stadiumin e Barcelonës për herë të parë që nga largimi i tij në vitin 2021 ku me këtë rast dërgoi një mesazh në rrjetet sociale se shpreson të kthehet një ditë dhe jo vetëm të bëjë lamtumirën si lojtar.
"Mesi do të jetë gjithmonë i lidhur me Barcelonën dhe ai e di se dera është e hapur për të. Kemi respekt të plotë për të dhe meriton respektin më të madh. Ai duhet të ketë statujën e tij para 'Kamp Nou', si Johan Krojfi dhe Laslo Kubala. Bëhet fjalë për futbollist ikonë i cili ka lënë gjurmën tek secili prej nesh. Ne kemi folur për këtë dhe familja e tij duhet të dakordohet dhe unë e di që të gjithë tifozët do ta donin këtë," tha Laporta.
Mesi arriti në Barcelonë si një 13-vjeçar dhe kaloi 21 vite në klub. Argjentinasi me klubin katalunas fitoi dhjetë tituj në Ligën e Spanjës dhe katër në Ligën e kampionëve duke shënuar 672 gola në 778 paraqitje.
Stadiumi ikonik i Barcelonës, "Kamp Nou" është duke u rinovuar për gati dy vjet e gjysmë.
FOTO: arkivi