• петок, 20 декември 2024

Siljanovska-Davkova e filloi mandatin presidencial, reagime për "Maqedoni" pas inaugurimit

Siljanovska-Davkova e filloi mandatin presidencial, reagime për

Shkup, 13 maj 2024 (MIA) - Shteti dje u bë me presidenten e gjashtë dhe njëherësh presidenten e parë grua pas pavarësisë - profesoren universitare të së drejtës kushtetuese dhe sistemit politik Gordana Siljanovska-Davkova. Ajo e filloi mandatin e saj pesëvjeçar me një betim solemn dhe një fjalim në Kuvend pasi një ditë më parë mori certifikatën për Presidente nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve pas publikimit të rezultateve përfundimtare të Zgjedhjeve Presidenciale 2024.

Pas deklaratës solemne me të cilën u zotua për kryerjen me ndërgjegje të detyrës, Siljanovska-Davkova mbajti fjalim para deputetëve nga përbërja aktuale parlamentare, kori diplomatik dhe përfaqësuesve të jetës politike dhe shoqërore.Theksoi se do të jetë president i të gjithë qytetarëve, pavarësisht përkatësisë së tyre në çdo bazë, do të respektojë Kuvendin dhe do të rrethohet me njerëz profesionistë dhe kompetentë dhe se do të bëjë gjithçka për të justifikuar besimin e madh të marrë me votat e mbi 500 mijë qytetarë.

Pjesën më të madhe të fjalimit të saj Siljanovska-Davkova ia kushtoi grave, sepse, siç tha ajo, për shkak të tyre vendosi të kandidojë, duke dashur t'i frymëzojë "ata që në Ballkan shpesh nuk janë presidente shtetesh". Ajo tha “nëse mund të jem unë presidente, mund të bëheni edhe ju” dhe se është koha për unitet “që mund të nënkuptojë edhe filozofinë femërore edhe autenticitetin femëror”.

 

Deklaroj se postin e presidentes së Maqedonisë do ta kryej me ndërgjegje dhe përgjegjësi, do të respektoj Kushtetutën dhe ligjet dhe do ta mbroj sovranitetin, integritetin territorial dhe pav

"Un do ta trasoj rrugën, por këtu - edhe nga e djathta, nga e majta, nga mesi, shoh gra shumë të zgjuara, shumë të përkushtuara që do t'i mbaj në mendje dhe në zemrën time. Në Ballkanin Perëndimor dhe në Ballkan ende është i gjallë patriarkati. Prandaj unë mendoj se gratë e forta mund t'i zgjidhin problemet mes secilit, si mes burrave dhe grave, ashtu edhe mes kombeve dhe mes shteteve, në një mënyrë të ndryshme. Besoj fort në këtë. Nuk e di saktësisht raportin e grave dhe burrave në përbërjen e ardhshme parlamentare, por do të doja shumë të bëjmë një hap përpara në atë 42 për qind.  Ndihmoni deputetëve, kalorësit e grave, të shprehin atë që kanë, ndërsa që nuk kanë mundur deri më tani. Unë ju premtoj se do ta bëjë këtë, dhe se të gjithë ju do të jeni krenarë për Maqedoninë, siç jam unë për popullin tim, si një përmbledhje e individëve dhe qytetarëve, dhe mendoj se kështu do të ndihmojmë edhe të evropianizohemi, edhe të tejkalojmë ndarjet ballkanike. Asnjëherë nuk kemi pasur nevojë për unitet më të madh", tha Siljanovska Davkova.

Në inaugurim morën pjesë presidenti i mëparshëm Gjorge Ivanov dhe bashkëshortja e presidentit të ndjerë Boris Trajkovski, Vilma Trajkovska.

Stevo Pendarovski – i cili ishte kunërkundërshtar i saj në këto zgjedhje dhe në zgjedhjet e vitit 2019, e priti në kabinetin presidencial në “Vila Vodno” për t'ia dorëzuar postin në një ceremoni me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake.

Ata zhvilluan një takim tet-a-tet, pas së cilës nga Kabineti i Presidentit njoftuan se Pendarovski e uroi Presidenten Siljanovska-Davkova për fitoren e saj në zgjedhjet presidenciale dhe i uroi suksese në kryerjen e detyrave të saj.

"Dy bashkëbiseduesit e përshëndetën procesin e zhvilluar zgjedhor, duke theksuar se zgjedhjet ishin shprehje e vullnetit të opinionit të RMV-së dhe dëshmuan pjekurinë demokratike të vendit tonë", kumtoi Kabineti presidencial.

Nga seanca solemne në Parlament u largua ambasadorja greke Sofija Filipidu, për shkak se Siljanovska-Davkova, gjatë dhënies së betimin solemn, nuk e përdori emrin kushtetues të vendit - Republika e Maqedonisë së Veriut, por e përdori vetëm emrin Maqedonia.

Disa nga mediat greke menjëherë publikuan koment "Provokim nga Siljanovska" duke e transmetuar  tekstin e agjencisë shtetërore të lajmeve ANA-MPA me titullin "Maqedonia e Veriut: Gordana Siljanovska dha betimin si presidente e vendit, të cilin e quajti "Maqedoni".

"Ambasadorja e Greqisë në Maqedoninë e Veriut, Sofia Filipidu, e cila ishte e ftuar në seancën e Kuvendit për inaugurimin e Gordana Siljanovskës, u largua në shenjë protese për faktin se presidentja gjatë betimit të saj e quajti vendin "Maqedoni", duke shkelur Marrëveshjen e Prespës, shkruan ANA-MPA.

Reagoi edhe Ministria e Punëve të Jashtme të Greqisë e cila kumtoi se “marrëdhëniet dypalëshe me shtetin fqinj dhe rruga e tij europiane varen nga zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Prespës dhe përdorimi i emrit kushtetues”.

MPJ-ja greke thekson se "gjatë kohës së betimit në Kuvend edhe krahas faktit që në tekstin zyrtar të betimit që i është diktuar, vendi ishte me emrin 'Maqedonia e Veriut', presidentja e re e Republikës së Maqedonisë së Veriut, znj. Siljanovska-Davkova, ka zgjedhur ta quajë 'Maqedoni'".

"Ky veprim qartë e shkel Marrëveshjen nga Prespa, por edhe Kushtetutën e vendit fqinj, e cila është e harmonizuar me obligimet e saj ndërkombëtare", njoftojnë nga MPJ-ja greke, duke theksuar se Qeveria greke, edhe krahas ankesave që i ka shprehur si opozitë, e respekton Marrëveshjen si marrëveshje të ratifikuar ndërkombëtare, e cila mbisundon ndaj secilës dispozitë tjetër ligjpore.

Kryetari i partisë opozitare greke SYRIZA-s, Stefanos Kaselakis, në platformën "X" i bëri thirrje, siç shkruan, "udhëheqësisë së re të Maqedonisë së Veriut që të vijë në vete dhe të mendojë për përgjegjësitë e veta ndaj historisë dhe ardhmërisë së popullit të saj". Lideri i partisë opozitare greke parashtron pyetje, por edhe kritika deri te kryeministri aktual grek lidhur me Marrëveshjen nga Prespa, duke e marrë parasysh qëndrimin dhe kundërshtimin e Kirjakos Micotakis në periudhën derisa ka qenë opozitë.

 

 

Në seancën inauguruese në Kuvend, Gordana Siljanovska-Davkova dha  deklaratë solemne për marrjen e postit të Presidentes së Maqedonisë së Veriut në periudhën mandatore 2024-2029 – presidentja

Edhe kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, përmes platformës Iks ka thënë se Maqedonia e Veriut duhet të vazhdojë me anëtarësimin në BE përmes zbatimit të reformave dhe duke respektuar marrëveshjet e lidhura, përfshirë atë të Prespës.

“Që Maqedonia e Veriut të vazhdojë rrugën e saj të suksesshme drejt anëtarësimit në BE, është më e rëndësishme që vendi të vazhdojë në rrugën e reformave dhe respektimin e plotë të marrëveshjeve të saj detyruese, përfshirë Marrëveshjen e Prespës”, ​​ka shkruar Ursula fon der Lajen.

Reagimet e para politike në vend erdhën nga Bashkimi Demokratik për Integrim dhe nga krahu i Aleancës për Shqiptarët që janë në koalicion me BDI-në në Frontin Evropian, të cilët vlerësuan se presidentja e re me betimin e ka shkelur Kushtetutën.

 Koordinatori i grupit të deputetëve të BDI-së, Arbër Ademi në konferencë për shtyp pas inaugurimit në Kuvend të presidentes së re të Shtetit, Gordana Siljanovska Davkova, vlerësoi se ajo e ka shkelur Kushtetutën gjatë dhënies së betimit të saj, ka bërë thirrje në unitet, ka përmendur vetëm dy liderë të partive dhe nuk ka thënë asgjë thelbësore dhe nuk është përqëndruar në eurointegrimet.

"Ishte fjalim për 8 mars, pa asgjë thelbësore, as nuk është përmendur NATO-ja dhe anëtarësimi i Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO, si dhe të gjitha sfidat që na presin, as nuk tha një fjalë për Bashkimin Evropian dhe proceisn eurointegrues të vendit me të gjitha sfidat që na presin. Nuk tha asnjë fjalë për kultivimin e marrëdhënieve ndëretnike, as për Marrëveshjen e Prespës, as për Marrëveshjen për fqinjësi të mirë me Republkikën e Bullgarisë, as për ndryshimet kushtetuese", tha Ademi.

Ministri i Drejtësisë në Qeverinë Teknike, Krenar Lloga, i cili është edhe sekretar i përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët nga krahu i Ziadin Selës, në reagimin ndaj fjalimit të presidentes së shtetit, Gordana Siljanovska Davkova, vlerëson se ajo nuk e ka respektuar emrin kushtetues të shtetit dhe se me këtë "betimi i saj bëhet i pavlefshëm".

"Mosrespektimi i emrit kushtetues të shtetit e bën betimin e Siljanovskës të pavlefshëm. Ose përsëritje e procedurës ose Jovan Mitrevski (kryetar i Kuvendit) duhet të marrë funksionin e presidentit të Shtetit si ushtrues detyre", thotë Lloga në reagimin e publikuar në Fejsbuk dhe të ndarë në mediume.

Koalicioni VLEN, thekson se nuk duhet të hapen plagët e vjetra dhe se presidenti duhet të jetë shembull për respektimin e Kushtetutës. Shprehin, siç theksojnë, shqetësim për ndikimin e emocioneve të fushatës zgjedhore në racionalitetin e hapave të parë në realpolitikë.

 "I kuptojmë ndjenjat e popullit maqedonas, por nuk ka shans të dytë për një përshtypje të parë për kreun e ri të shtetit. Presidenti i Republikës duhet të jetë shembull i respektimit të Kushtetutës, sidomos kur bëhet fjalë për një profesoreshë të së Drejtës kushtetuese. Maqedonia e Veriut, shtojnë prej atje është anëtare e plotfuqishme e Aleancës së NATO-s dhe negociatat me BE-në kanë filluar, por ndryshimet kushtetuese na presin përpara për të vazhduar në rrugën evropiane. "Nuk kemi nevojë për hapjen e plagëve të vjetra. Ndaj është mirë që presidentja e re nënshkroi betimin me emrin kushtetues, që është ende një shenjë se realiteti de fakto pranohet prej saj", thuhet në kumtesën e VLEN-it. ls/

Foto: MIA

 

 

 

 

Остани поврзан