Shqipëria pajiset me sistemin raketor “Xhavelin” nga SHBA
- Pajisja e Forcave të armatosura të Shqipërisë me sistemin “Xhavelin” përfaqëson një hap të rëndësishëm në rritjen e kapaciteteve mbrojtëse të vendit dhe përmbushjen e objektivave të modernizimit të ushtrisë.
Tiranë, 24 dhjetor 2025 (MIA)- Pajisja e Forcave të armatosura të Shqipërisë me sistemin “Xhavelin” përfaqëson një hap të rëndësishëm në rritjen e kapaciteteve mbrojtëse të vendit dhe përmbushjen e objektivave të modernizimit të ushtrisë.
“Ardhja e sistemeve "Xhavelin" falë bashkëpunimit me aleatin tonë strategjik SHBA, forcon aftësitë mbrojtëse të Forcave të Armatosura Shqiptare, rrit parandalimin, ndërveprueshmërinë me NATO-n dhe sigurinë kombëtare”, u shpreh ministri i Mbrojtjes, Puro Vengu.
Sistemi “Xhavelin” konsiderohet një element kyç për mbrojtjen tokësore, duke rritur ndjeshëm aftësinë e Forcës tokësore për të përballuar kërcënime të avancuara dhe për të vepruar në përputhje me standardet e Aleancës.
“Xhavelin” është një sistem raketor kundërtank i gjeneratës së fundit, i prodhuar nga SHBA. Sistemi është shumë efektiv kundër mjeteve të blinduara dhe përdoret gjerësisht nga ushtritë e NATO si dhe në operacione reale luftarake.
Shqipëria e ka porositur sistemin “Xhavelin” në kuadër të programeve të bashkëpunimit ushtarak me SHBA, përmes mekanizmave të shitjeve ushtarake të huaja (Foreign Military Sales – FMS). Ky investim është pjesë e strategjisë afatgjatë të modernizimit të Forcave të Armatosura, rritjes së parandalimit dhe përafrimit të plotë me kapacitetet dhe doktrinën e NATO-s.
Foto: Fejsbuk