Shefi i OBSH-së i bën thirrje Trampit: "Tërheqja e SHBA-së do të ketë çmim - jetë njerëzish"
- – Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adanom Gebrejesus, i bëri thirrje presidentit amerikan Donald Tramp që ta rishqyrtojë vendimin për tërheqjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga kjo agjenci shëndetësore kyçe e Kombeve të Bashkuara.
Gjenevë, 10 nëntor 2025 (MIA) – Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adanom Gebrejesus, i bëri thirrje presidentit amerikan Donald Tramp që ta rishqyrtojë vendimin për tërheqjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga kjo agjenci shëndetësore kyçe e Kombeve të Bashkuara.
Shkurtimet dramatike të financimit dhe largimi i paralajmëruar i SHBA-së tashmë e lëkundin shëndetësinë publike globale, e cila edhe ashtu është e goditur rëndë pas pandemisë, shkruan Politiko.
I përballur me humbjen e financuesit të saj më të madh, kontributit amerikan prej 640 milionë dollarësh në vitin 2023, drejtori i përgjithshëm i OBSH-së po detyrohet të mbledhë mjete nga burime të tjera dhe të zbatojë reduktimin më të madh të kuadrit në historinë e organizatës. Ai paralajmëron se tërheqja nga bashkëpunimi global shëndetësor pas pandemisë "nuk ka kuptim" dhe se shkurtimet e menjëhershme të ndihmës kanë kushtuar tashmë jetë njerëzish.
“Nëse donatorët e kuptojnë se ndihma e tyre nuk është bamirësi, por investim në sigurinë tonë të përbashkët, ne do të jemi në një pozicion më të mirë”, deklaroi Tedros. Megjithatë, ai sheh një anë pozitive në të gjithë situatën - diçka për të cilën tha se mund të pajtohej edhe me Trampin: Shkurtimet e SHBA-së po inkurajojnë vendet që janë mbështetur në atë financim që të bëhen më të pavarura.
Tedros, udhëheqësi i parë afrikan në historinë e OBSH-së, e ka udhëhequr organizatën që nga viti 2017. Humbja e financimit amerikan e detyroi atë të riorganizonte organizatën këtë vit dhe të pushonte nga puna rreth 600 nga gjithsej 10.000 të punësuar. Në një intervistë ai hollësisht i përshkroi përpjekjet e tij për t'iu përgjigjur ankesave të Trump për "ndikim të tepërt politik" dhe "financim të tepërt" dhe shpjegoi se po përpiqej të punonte me administratën amerikane për të rishqyrtuar vendimin për tërheqje. fc/