• четврток, 25 декември 2025

SHBA miratoi shitjen e armëve për Tajvanin në vlerë prej 11 miliardë dollarë

SHBA miratoi shitjen e armëve për Tajvanin në vlerë prej 11 miliardë dollarë

Uashington, 18 dhjetor 2025 (MIA) - Shtetet e Bashkuara të Amerikës miratuan shitjen e armëve për Tajvanin në vlerë prej rreth 11,1 miliardë dollarë, me qëllim që të përforcohet aftësia mbrojtëse e ishullit.

Agjencia për bashkëpunim në sigurinë e mbrojtjes e SHBA-së (DSCA), në tetë kumtesa të veçanta me detaje për shitjet, theksoi se ato "do të ndihmojnë në përmirësimin e sigurisë së pranuesit dhe do të ndihmojnë në mbajtjen e stabilitetit politik, balancit ushtarak dhe rendit ekonomik në rajon".

Pakoja përfshin obusë vetëlëvizës dhe pajisje përkatëse me vlerë prej 4,03 miliardë dollarë, sisteme raketore artilerike shumë të lëvizshme (HIMARS) dhe pajisje adekuate në vlerë prej rreth 4,05 miliardë dollarë, softuer për misione taktike të rrjeteve, pajisje dhe shërbime në vlerë prej rreth 1,01 miliard dollarë.

DSCA njoftoi se shitja "do ta përmirësojë aftësinë e pranuesit të përballet me kërcënimet e tanishme dhe të ardhshme përmes përforcimit të vetëmbrojtjes së forcave të tij. Pranuesi nuk do të ketë vështirësi në përvetësimin e këtyre pajisjeve dhe shërbimeve në forcat e tij të armatosura".

Agjencia amerikane, gjithashtu, theksoi se shitja "nuk do ta ndryshojë balancin ushtarak bazë në rajon".

Marrëveshja me siguri do të shkaktojë zemërerim tek Pekini, i cili hodhi poshtë çdo shkëmbim zyrtar mes SHBA-së dhe Tajvanit. Autoritetet në Pekin e konsiderojnë Tajvanin si pjesë e Republikës Popullore të Kinës, edhe pse ishulli ka qeverinë e tij të pavarur nga viti 1949, përkujton DPA.

Tajvani në nëntor paralajmëroi buxhet shtesë prej 1,25 trilion dollarë të rinj të Tajvanit (40 miliardë dollarë amerikan), për periudhën e tetë viteve të ardhshme. Presidenti Lai Çing-te deklaroi se ky gjest e konfirmon përkushtimin e ishullit për ruajtjen e demokracisë së tij.

Ai shtoi se Tajvani planifikon t'i shfrytëzojë mjetet e parashikuara për periudhën e viteve 2026-2033 për financimin e furnizimeve të reja të armëve nga SHBA dhe për përforcimin e aftësive të tij asimetrike mbrojtëse. sa/

Foto: MIA arkivi

Остани поврзан