• петок, 05 декември 2025

Sharifi: Pakistani, Azerbajxhani, Turqia janë "vëllezër, zemrat e të cilëve rrahin së bashku"

Sharifi: Pakistani, Azerbajxhani, Turqia janë

 Baku, 8 nëntor 2025 (MIA) - Kryeministri pakistanez Shehbaz Sharif sot theksoi lidhjet e qëndrueshme dhe të pathyeshme midis Pakistanit, Azerbajxhanit dhe Turqisë, duke i përshkruar të tre vendet si "vëllezër, zemrat e të cilëve rrahin së bashku", raportoi Agjencia Anadollu.

Duke iu drejtuar një ceremonie në Baku me rastin e përvjetorit të pestë të Ditës së Fitores së Azerbajxhanit, Sharifi vlerësoi praninë e kontingjenteve pakistaneze dhe turke që marshuan përkrah forcave azerbajxhanase, duke e quajtur momentin një "pamje krenare dhe vezulluese" që simbolizon miqësinë e pathyeshme midis popujve vëllazërore. 

 "Pakistani, Azerbajxhani dhe Turqia - tre vëllezër, zemrat e të cilëve rrahin së bashku - sot janë këtu, së bashku me vëllezërit tanë nga Emiratet e Bashkuara Arabe, krah për krah, duke shënuar këtë rast të rëndësishëm", tha Sharifi.

Ai përkujtoi edhe konfliktin katërditor midis Pakistanit dhe Indisë në maj të këtij viti, duke falënderuar Turqinë dhe Azerbajxhanin për mbështetjen që i dhanë Islamabadit në kohë të vështira. 

 "E gjithë bota ishte dëshmitar si populli i madh dhe udhëheqja e vendosur e Azerbajxhanit dhe Turqisë qëndruan fort pranë Pakistanit gjatë luftës katërditore me Indinë", tha Sharifi.

Ai, gjithashtu vlerësoi fitoren e Azerbajxhanit në Karabah si një "afirmim të lavdishëm të një qëllimi të drejtë" dhe një "fener shprese për popujt që luftojnë për sovranitet", duke përfshirë, potencoi, popullin e Gazës dhe popullin e Kashmirit të administruar nga India. 

 Pjesa më e madhe e rajonit të Karabahut, i cili kishte qenë nën kontrollin armen për gati tre dekada, u rikthye gjatë një lufte 44-ditore në vjeshtën e vitit 2020, e cila përfundoi me një marrëveshje armëpushimi të ndërmjetësuar nga Rusia, duke hapur rrugën për normalizimin e marrëdhënieve me Armeninë.

 Më 8 nëntor, siç thekson Agjencia Anadollu, ushtria azerbajxhanase çliroi qytetin e Shushës dhe më pas me dekret presidencial ajo ditë u shpall Dita e Fitores.

Fillimisht, Dita e Fitores do të festohej më 10 nëntor, ditën e përfundimit të Luftës së Dytë të Karabahut, por data u ndryshua sepse përkon me përvjetorin e vdekjes së Mustafa Kemal Ataturkut, themeluesit të Republikës së Turqisë. 

 Foto: Arkivi

 

Остани поврзан