Samiti i G20 fillon në hijen e bojkotit të SHBA-së dhe tensioneve në Ukrainë
- Sot fillon samiti dyditor i G20-ës i ekonomive kryesore, i shënuar me mungesën e shumë liderëve botërorë dhe një debat i nxehtë për planin amerikan paqësor për Ukrainën, publikoi DPA.
Johanesburg, 22 nëntor 2025 (MIA) - Sot fillon samiti dyditor i G20-ës i ekonomive kryesore, i shënuar me mungesën e shumë liderëve botërorë dhe një debat i nxehtë për planin amerikan paqësor për Ukrainën, publikoi DPA.
Presidenti amerikan Donald Tramp, si dhe krerët e shteteve të Rusisë dhe Kinës - Vladimir Putin dhe Si Xhinping - janë midis liderëve që kanë anuluar pjesëmarrjen e tyre në samitin e parë të G20 në kontinentin afrikan. Gjithashtu mungojnë liderët e Meksikës dhe Argjentinës.
Administrata e Trampit po i bojkoton tërësisht bisedimet sepse akuzon qeverinë e Afrikës së Jugut për shtypje të ashpër kundër fermerëve të bardhë. Afrika e Jugut i hedh poshtë akuzat si të pabaza.
Nikoqiri i takimit, presidenti i Afrikës së Jugut, Siril Ramafosa, po e përqendron samitin në temat e solidaritetit, barazisë dhe qëndrueshmërisë.
Prioritetet e tij kryesore përfshijnë lehtësimin e borxhit për vendet në zhvillim, një tranzicion të drejtë energjetik, përdorimin e drejtë dhe të pastër të burimeve të pakta natyrore, ndarjen e drejtë të barrës në mbrojtjen e klimës dhe sigurinë ushqimore.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guteresh, u bëri thirrje vendeve të G20-ës të punojnë për t'i dhënë fund konflikteve që "shkaktojnë kaq shumë vdekje, shkatërrim dhe destabilizim në të gjithë botën".
Guteresh përmendi konkretisht luftërat dhe konfliktet në Ukrainë, Gazë, Sudan, Mali dhe Republikën Demokratike të Kongos. ls/
Foto: EPA