Rama pas takimit me Thaçin në Hagë: Burgim pa gjyq, padrejtësi e qartë në zemrën e Evropës demokratike
- Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama sot e vizitoi ish presidentin e Kosovë, Hashim Thaçi, në Hagë, i cili ndodhet në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020, nën akuzën për krime lufte.
Tiranë, 18 dhjetor 2025 (MIA) - Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama sot e vizitoi ish presidentin e Kosovë, Hashim Thaçi, në Hagë, i cili ndodhet në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020, nën akuzën për krime lufte.
Në një njoftim në rrjetet sociale, ai shkroi se e kam gjetur në formë të mirë dhe të qetë, edhe pse me ndalime absurde të drejtash minimale, duke vlerësuar paraburgimin e Thaçit dhe ish udhëheqësve të UÇK-së si "padrejtësi e qartë në zemër të Evropës demokratike, me bekimin dhe fondet e taksapaguesve të vendeve demokratike".
"Sapo kam dalë nga godina ku luhet teatri i turpit të drejtësisë ndërkombëtare me Hashim Thaçin, i cili u rrëmbye pa gjyq e as akuzë nga zyra e presidentit të Republikës, ku e kishte çuar populli i Kosovës, e me Luftën Çlirimtare të Kosovës, të cilën nuk e përdhos dot një farsë e nisur për trafik organesh nga kukullat ruse të Dumës së Putinit në Strasburg dhe e vazhduar me lloj-lloj absurditetesh e dëshmitarësh groteskë të akuzës ndërkombëtare në Hagë", ka shkruar Rama.
"E kam gjetur komandantin në formë, të qetë e të buzëqeshur si çdo i pafajshëm me karakter të hekurt, edhe pse me ndalime absurde të drejtash minimale që i ishin hequr krahasimisht me herën e kaluar - një turp më vete me një fjalë!",shtoi Rama.
Ai tha se kemi folur për familjet, për miqtë e përbashkët, për Shqipërinë e për Kosovën, për “Skënderbeun” e Aurel Plasarit, që ia pata çuar më parë, për librin e fundit të Kisinxherit që ia çova këtë herë, e për dy a tre libra të tjerë nga moria e leximeve të tij në këtë vend, të cilin me të qeshur Hashimi e quan “institut”.
"Bekuar qofshin Republika e Kosovës, Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe të burgosurit e saj pa gjyq, prej më shumë se pesë vjetësh tanimë, në mes të Evropës së lirisë, demokracisë e shtetit ligjor", theksoi Rama. qa/
Foto: Rama Fejsbuk