QMK: Përmbytje dhe vështirësi në komunikacion në disa rajone
- Qendra për Menaxhim me Kriza informon se reshjet e dendura të shiut që e përfshiu vendin gjatë natës shkaktuan përmbytje, dalje nga shtrati të lumenjve dhe vështirësi në komunikacion. Problemet më të mëdha u regjistruan në rajonet Tetovë-Gostivar, Ohër-Kërçovë dhe Manastir-Prespë, ku shërbimet emergjente tashmë po ndërhyjnë.
Shkup, 8 janar 2025 (MIA) - Qendra për Menaxhim me Kriza informon se reshjet e dendura të shiut që e përfshiu vendin gjatë natës shkaktuan përmbytje, dalje nga shtrati të lumenjve dhe vështirësi në komunikacion. Problemet më të mëdha u regjistruan në rajonet Tetovë-Gostivar, Ohër-Kërçovë dhe Manastir-Prespë, ku shërbimet emergjente tashmë po ndërhyjnë.
Siç njoftojnë nga QMK, në rajonet e Tetovës dhe Gostivarit, rruga lokale midis fshatrave Forinë dhe Tumçevishtë është e vështirë për t’u kaluar, ndërsa lumi Lakaviçka ka dalë nga shtrati në fshatin Turçan i Vogël dhe lumi Susheçka në Banjicë të Epërme. Institucionet kompetente dhe shërbimet e emergjencës po e monitorojnë situatën në terren.
Në Ohër janë përmbytur pbdrumet, garazhet dhe oborret në disa lokacione, ndërsa lumi Daljan ka dalë nga shtrati, duke përmbytur një numër të madh shtëpish. Vetëqeverisja lokale dhe Shtabi i Krizës po veprojnë sipas raporteve, dhe shërbimet e emergjencës janë organizuar dhe janë në terren.
Në Kërçovë, në rrugën Prilepska, disa ndërtesa banimi u përmbytën, dhe rreth 100 persona u evakuuan dhe u sistemuan në sallën sportive "Hristo Uzunov". Të evakuuarve iu sigurua ushqim, ujë dhe gjëra themelore, ndërsa në terren ndërhynë ekipe nga Kryqi i Kuq, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, Qendra Rajonale për Menaxhimin e Krizave, Njësia Territoriale e Zjarrfikësve, NP Komunalec dhe Komuna e Kërçovës. Përveç kësaj, u regjistruan dalje nga shtrati të lumit Zajashka në zonën mbi stadiumin "Vllazrimi" dhe shkollën e re "Sande Shterjoski" dhe lumi Treska, me përmbytje të tokës bujqësore në fshatrat përreth.
Në rajonet e Manastirit dhe Prespës, reshjet e shiut kanë shkaktuar rritje të niveleve të ujit dhe derdhje të disa rrjedhave ujore, duke përmbytur një numër të madh shtëpish dhe oborresh. Për të përcaktuar prioritetet dhe për të koordinuar aktivitetet në terren, Shtabi i Krizave i Komunës së Manastirit ka planifikuar një takim në orën 9 të mëngjesit. sa/
Foto: QMK