Publikohet lista e këshilltarëve të jashtëm të kryeministrit, mes tyre edhe ish funksionarë
- Kryeministri Hristijan Mickoski ka 17 këshilltarë të jashtëm, emrat e të cilëve janë bërë të ditur publikisht. Mes tyre janë edhe ish zëvendëskryeministri për Çështje ekonomike Vlladimir Peshevski, ish ministri i Financave Zoran Stavreski dhe ish kryetari i Kuvendit Trajko Veljanovski.
Shkup, 29 janar 2025 (MIA) - Kryeministri Hristijan Mickoski ka 17 këshilltarë të jashtëm, emrat e të cilëve janë bërë të ditur publikisht. Mes tyre janë edhe ish zëvendëskryeministri për Çështje ekonomike Vlladimir Peshevski, ish ministri i Financave Zoran Stavreski dhe ish kryetari i Kuvendit Trajko Veljanovski.
Peshevski është këshilltar për çështje strategjike në fushën e ekonomisë, ndërsa Stavreski për financa dhe banka. Ish kryetari i Kuvendit është këshilltar për sistemin parlamentar, politik dhe gjyqësor.
Profesori Aleksandar Spasenovski i cili ka qenë edhe deputet nga viti 2011-2014 është këshilltar për çështje evropiane, ndërsa për politikë të jashtme, kryeministrin do ta këshillojë ambasadori Sasho Markovski i cili është edhe përfaqësues special në procesin e negociatave të kryetarit të qeverisë me Bashkimin Evropian.
Mes 17 këshilltarëve të kryeministrit është edhe një gjerman. Johanes Hajdeker është ekspert në forcimin e kapaciteteve të ekipit ekonomik në Zyrën e kryetarit të qeverisë për përgatitjen e dokumenteve për politika, analiza dhe këshilla për kryeministrin dhe koordinim me resorët tjerë gjatë përgatitjes dhe implementimit të politikave ekonomike qeveritare me orientim të qartë strategjik drejt procesit të aderimit në BE.
Në fushën e sigurisë, Goran Nikollovski është këshilltar për çështje strategjike të sigurisë, ndërsa Lubço Andonovski këshilltar për siguri kombëtare. Jovan Pejkovski është këshilltar në sferën e shkencave politike dhe ekonomike.
Për këshilltar për infrastrukturë është emëruar Cvetko Micevski, në fushën e drejtësisë Goce Naumovski, ndërsa për punë dhe politikë sociale Lazar Jovevski. Këshilltar i kryeministrit për mjedisin jetësor është Dame Dimitrovski, ndërsa për marrëdhënie mes bashkësive Shener Bilalli.
Vendi i këshilltarit për reforma në shëndetësi nga 31 janari ka mbetur vakant pasi këshilltari i deritashëm Igor Nikollov u emërua për ambasador në Francë.
Në mesin e këshilltareve të kryeministrit ka edhe dy gra – Mimoza Rajl, këshilltare për kulturë dhe Snezhana Tërpevska, këshilltare për avancimin e arsimit, shëndetësisë, mbrojtjes sociale dhe zbatimin e Konventës së KB-së për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara.
Mickoski në konferencën për media të martën tha se ka 17 këshilltarë, ku katër janë të angazhuar me orar të plotë në Qeveri.
Foto: arkivi i MIA-s