• четврток, 30 јануари 2025

“Paratë, mediat dhe zgjedhjet” – përfaqësuesit e IFES-it i prezantuan gjetjet para anëtarëve të KÇE-së për financimin shtetëror në vend

“Paratë, mediat dhe zgjedhjet” – përfaqësuesit e IFES-it i prezantuan gjetjet para anëtarëve të KÇE-së për financimin shtetëror në vend

Shkup, 29 janar 2025 (MIA) -  Përfaqësuesit e Fondacionit Ndërkombëtar për Sisteme Zgjedhore (IFES) sot para kryetarit dhe anëtarëve të Komisionit për Çështje Evropiane (KÇE) i prezantuan gjetjet e tryezës së rrumbullakët me titull "Paratë, mediat dhe zgjedhjet", kushtuar financimit shtetëror në Maqedoninë e Veriut, për të kontribuar për një sistem më të drejtë, më të fortë dhe më transparent.

Gjatë prezantimit të projektit, i cili financohet nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, me mbështetjen e Ambasadës Britanike në Shkup, kryetari i KÇE-së, Antonio Milloshoski, theksoi se gjetjet e kësaj analize duhet të jenë në funksion të avancimit të rregullativës zgjedhore, para së gjithash në fushën e financimit shtetëror, i cili, siç tha ai, kërkon ende përfshirjen e të gjitha palëve, siç janë ministritë kompetente apo shoqatat e gazetarëve.

Për këtë qëllim, siç tha Milloshoski, së shpejti mund të organizohet debat në KÇE, duke pasur parasysh se në vend po afrohen zgjedhjet lokale dhe është parë nevoja për rregullimin e mëtutjeshëm adekuat të reklamimit politik me pagesë gjatë zgjedhjeve, duke e futur atë në portalet e internetit brenda kornizës juridike.

Sipas analizës së IFES-it, në zgjedhjet e fundit (parlamentare) të vitit të kaluar, në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve janë regjistruar gjithsej 251 portale interneti për publikimin e reklamave me pagesë. Sipas raporteve, 150 prej këtyre mediave (60%) në fakt kanë publikuar reklama me pagesë. Në total, llogaritet se portalet kanë marrë 811,013 mjete publike në euro, përkatësisht 20% të totalit të shpenzimeve për reklamat e paguara politike, gjë që e nxjerr në pah rolin ndikues të partive dhe portaleve në formësimin e perceptimeve publike për fushatën zgjedhore dhe kandidatët.

Në takimin me përfaqësuesit e IFES-it u bisedua edhe për nevojën e përkufizimit të qartë dhe ndarjes së roleve gjatë zgjedhjeve të trupave mbikëqyrës si ASHMAA, KSHZ, KSHPK, ESHR. U shkëmbyen mendime edhe për mundësitë e integrimit të barazisë gjinore në financimin publik, si mënyrë për të përmirësuar pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e grave në jetën politike dhe publike, si dhe për ndalimin e gjuhës së urrejtjes në reklamimin politik me pagesë. ls/

Foto: Kuvend

 

Остани поврзан